“Tradita është pa kohë”: Robert Bisha për autenticitetin dhe kolonializmin kulturor në muzikë

14 Shkurt 2026, 18:35Kulturë TEMA
“Tradita është pa kohë”: Robert Bisha për

Kompozitori Robert Bisha, i ftuar në episodin e 57-të të Apostrof Podcast, reflekton ndër të tjera edhe në lidhje me sfidat e riinterpretimit të muzikës tradicionale shqiptare dhe trysnisë me të cilën artistët përballen në produksionet kulturore bashkëkohore.

Gjatë bisedës, Bisha u ndal tek arsyet se përse, pavarësisht përpjekjeve për të ringjallur tingujt e traditës, shumë pak kompozitorë ia dalin mbanë. Sipas tij, çelësi qëndron tek mënyra se si perceptohet tradita dhe qasja ndaj saj.

Bisha shprehet se e ashtuquajtura muzikë tradicionale nuk është e lidhur me të shkuarën, por ekziston jashtë kohës. “Për mua është e pakohë,” shpjegoi ai, ndërsa theksoi se respektimi i nuancave të saj është thelbësor para se të nisësh t’i përkthesh ato në instrumenta modern, apo në gjuhë të reja artistike.

Ai kritikon qasjen që kërkon ta « veshë” muzikën tradicionale me shtresa elegante vetëm e vetëm për ta bërë më tërheqëse për audiencën, ndërsa e quajti këtë tendencë si “kolonialiste.” Sipas këndvështrimit të tij, përshtatje të tilla rrezikojnë ta kthejnë trashëgiminë kulturore në një produkt të krijuar për të kënaqur pritshmëritë e opinionit publik, në vend që të ruajnë thelbin  e saj.

“E shoh si një vazhdimësi e kohës së Xhaxhit, ku duhej se s'bën që muzika t’i pëlqente diktatorit,” tha ai, ndërsa shtoi se sot diktatori është opinion i publikut.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00

Muzika, tradita, anarkia dhe kërkimi për lirinë | Robert Bisha | Apostrof #57