Hersi Matmuja lançon albumin e ri "Lum"

13 Shkurt 2026, 20:55Kulturë TEMA
Hersi Matmuja lançon albumin e ri  "Lum"

Pas një kërkimi të gjatë artistik nëpër skenat prestigjioze evropiane, këngëtarja e njohur Hersi Matmuja është rikthyer aty ku nisi gjithçka: te rrënjët. Jo thjesht te muzika, por tek aroma e tokës, te kujtimet e gjyshit dhe te zëri i nënës që shoqërohej nga rrahjet e “dahires”. Në bashkëpunim me partnerin e saj, violonçelistin italian Jacopo Conoci, ajo ka sjellë në jetë projektin “Lum”.

​“Lum” nuk është thjesht një album, por është një proces rigjenerimi. Titulli mbart brenda tij simbolikën e dyfishtë të lumit që rrjedh dhe bekimin verior të “lumit ne”. “‘Lum’ është për lumin Lumë sepse gjashtë prej këngëve të albumit janë nga Kukësi, nga zona e Lumës prej nga kam prejardhjen. Është tradita që risillet si uji që rrjedh e sjell rigjenerim. Ne duam ta bëjmë muzikën tonë të jetojë duke e risjellë në forma të reja”, u shpreh Hersi gjatë një interviste me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio” që transmetohet në Radio Tirana.

​Ajo që e bën këtë projekt unik është guximi për të prekur perla që prej shekujsh kanë mbijetuar vetëm përmes kujtesës popullore. “Disa prej këtyre këngëve nuk kanë asnjë regjistrim me akorde, kanë ardhur deri sot siç këndoheshin nga gratë “mas darksh” me dahire (dajre), që ne i kemi traditë. Në album e kanë gjetur veten në një tjetër formë”.

​Jacopo Conoci, me një ndjeshmëri të lartë, i ka veshur këto këngë me një petk minimalist. Këngëtarja tregon se për Jacopon, një këngë lumjane ka të njëjtën peshë si një vepër e Bach-ut. ​“Ai i ka marrë këngët me shumë përgjegjësi. E dinte që do të vinte duart në diçka që për herë të parë po prekej. Ndonjëherë edhe më me seriozitet se unë, sepse unë e kisha në gjak dhe e kisha shumë të thjeshtë. Atij i është dashur vite deri sa kënga “Prej zamanit” të arrinte në këtë formë sepse në një sekondë çdo gjë mund të bëhet banale”.

Nga njëra këngë në tjetrën, Hersi rizbuloi historinë e familjes. Momenti më emocionues i këtij rrugëtimi mbetet kënga e gjyshit të saj, “Prej zamanit”. Gjatë rrëfimit, artistja nuk mundi t’i mbante lotët, duke zbuluar se kjo elegji është një bisedë me të shkuarën dhe me ata që nuk jetojnë më. ​“Pavarësisht se e kam kënduar vetë këtë këngë, më duket sikur më këndon ajo mua, jo unë atë. Kjo është një elegji që i këndohet vetvetes. Prandaj më prek shumë. Rrallëherë në tekste personazhi i këndon dhimbjes së vet, parashikon vdekjen e tij përpara se të ndodhë. Zakonisht janë të tjerët që qajnë, ne nuk e kemi zakon të qahemi si popull”.

​Përveç folklorit kuksian, albumi “Lum” udhëton edhe nëpër djepin e kulturës shkodrane me këngët “Çikë o mori çikë” nga Tish Daija dhe “Turtullesha” e Ramadan Sokolit. Ai shtrihet më tej drejt komunave arbëreshe dhe muzikës salentine, duke dëshmuar se shpirti njerëzor këndon njësoj, pavarësisht gjuhës.

​Për Hersin dhe Jacopon, ky projekt po lulëzon paralelisht me një tjetër bekim. Çifti është në pritje të ëmbël të fëmijës së tyre të dytë, duke e bërë vitin 2026 një pikënisje të re si në jetën artistike, ashtu edhe në atë personale. ​“Ne duam t’i bëjmë të gjitha përnjëherë, edhe diskun edhe fëmijën, sepse jeta është sot.”

Për të ndjerë magjinë e këtij bashkimi kulturor, promovimi dhe koncerti i albumit “Lum” do të mbahet më 15 shkurt në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një ftesë për t’u zhytur në ujërat e pastra të traditës shqiptare, të sjellë me mjeshtërinë e një artisteje që nuk harroi kurrë burimin. A.K./TemA

Lini një Përgjigje