13 shkurti shënoi Ditën Ndërkombëtare të Radios. Kjo datë është zgjedhur pasi më 13 shkurt 1946, pasi Kombet e Bashkuara kanë themeluar Radion zyrtare.
Kjo ditë përkujtohet mbi fuqinë e radios për të shpërndarë informacionin, por edhe rolin e tij edukues dhe argëtues.
I ftuar në emisionin “Çasti i Duhur”, Drejtori i Radio Tiranës, Genc Ymeraj, vlerësoi se radioja ndodhet në një moment rifuqizimi dhe rikthimi në identitetin e saj të plotë.
Ai tha se, aktualisht po punohet për ta çuar radion në parametra që ta bëjnë sa më tërheqëse dhe të pëlqyeshme për një masë të gjerë dëgjuesish, duke ndërthurur eksperiencën e brezave me energjinë dhe vizionin e të rinjve.
“Radio ka një moment tani që po tenton rifuqizimin e saj, sepse në një farë periudhe, me strukturat që u aplikuan, doli thjesht një departament. Është bërë një hap tjetër që radio është kthyer në drejtori për t’iu kthyer traditës së vjetër të Tiranës, që fillon edhe traditën radiotelevizive në Shqipëri. Pra, nisur me radion dhe për të vazhduar më pas me televizionin.
Për fat, edhe brezat kanë një gërshetim të bukur; të rinjtë janë më të fuqishëm në këtë periudhë dhe ne po tentojmë që radion ta çojmë në ato parametra që të jetë e pëlqyeshme për një masë të gjerë. Po tentojmë që radio të ketë vendin e saj të merituar”, tha Ymeraj.
Me nostalgji, Ymeraj solli në vëmendje edhe fillimet e tij në radio.
“Kanë qenë vite të bukura, sepse radio është dashuria e parë dhe një nga dashuritë më të qëndrueshme që ka njeriu në jetë. Emisionet e mëngjesit, sidomos ato të natës, kanë qenë një dashuri e veçantë”, tha ai.
Të gjitha karakteristikat që e kanë bërë radion atë që është sot, e bëjnë atë një nga mjetet më të përhapura të informacionit dhe të shkëmbimit të mendimeve dhe, njëkohësisht, një mjet edukativ me potencial shumë të lartë. Për këto arsye UNESCO e shpalli 13 shkurtin ditën botërore të Radios.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje