Shkodra u vesh me dritë dhe ngrohtësi për rreth një muaj, duke krijuar një atmosferë të veçantë që bashkoi qytetarë e vizitorë në frymën e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Shëtitorja u kthye në zemrën e qytetit, ku dritat shumëngjyrëshe, pemët e zbukuruara dhe rrugët e ndriçuara krijuan një ndjesi përrallore.
Në këtë vepër artisti Skënder Strica ka paraqitur kafenetë dhe lokalet që gumëzhinin, tavolinat e mbushura me njerëz që ndanin buzëqeshje, biseda dhe ngrohtësi njerëzore. Fëmijët shëtisnin mes dritave me sytë plot kureshtje, ndërsa familjet dhe miqtë shijonin netët e gjata të dimrit në një qytet që dukej më i afërt se kurrë.
Skënder Strica konsiderohet si një ndër peizazhistët më të mirë të arteve pamore shqiptare. Ai është i njohur për pasionin dhe dedikimin ndaj natyrës, ku Alpet e Shqipërisë janë burimi i tij kryesor i frymëzimit. Piktori i maleve, siç e quajnë, ka realizuar 12 ekspozita ndërkombëtare, përfshirë ato në Malin e Zi dhe Austri, dhe është i njohur për pikturat e tij madhështore që pasqyrojnë natyrën shqiptare me detaje të jashtëzakonshme.
Shkodra, qyteti i tij i lindjes, ka një traditë të thellë në artin e pikturës dhe është një burim i pashtershëm frymëzimi për Stricën. Krijimtaria e tij është një model i pasionit dhe dashurisë për të bukurën, ku ngjyrat dhe kompozimet janë të harmonizuara në mënyrë perfekte.
Ai është i njohur për aftësinë e tij për të portretizuar katër stinët, ku secila pasqyrohet në mënyrën më të bukur dhe të veçantë të mundshme. /mapo/
ja dhe Van Gogh-u shqiptar...lol