PIKTURA E DITËS: “Shqipëria vallëzon” - Nga Abdurrahim Buza, kryevepra artistike e rezistencës dhe bashkimit tonë kombëtar

3 Janar 2026, 14:44Kulturë TEMA
PIKTURA E DITËS: “Shqipëria vallëzon” - Nga

“Shqipëria vallëzon”, realizim i vitit 1971, e piktorit Abdurrahim Buza, gjendet në Galerinë e Arteve të Bukura, një kryevepër artistike me ndjenja kombëtare dhe frymë humaniste.

Pikturë e realizuar me bojëra vaji. Në këtë tablo kemi një kompozim rrethor. Valltarët janë kapur dorë për dore dhe të bashkuar kanë formuar një rreth. Autori përmes bashkimit të Shqipërisë në vend të përcarjes shihte bashkimin tonë kombëtar.

Sfondi është jeshil i errët duke evidentuar më mirë kostumet popullore. Në këtë vepër, artisti ka paraqitur personzhe me veshje popullore nga e gjithë Shqipëria.

Ata janë të bashkuar dhe vallëzojnë dorë për dorë. Piktura është paraqitur e thjeshtë dhe me realizëm. Valltarët edhe pse hedhin të njëjtën valle, secili përpiqet të japë individualitetin e vet me portretin, mënyrën se si lëviz dhe si kërcen, si dhe me kostumin që mban veshur. Duke vallzuar, shqiptarët të gjithë bashkë krijojnë unitetin në rreth.

Karakteristikë e veprave të Abdurrahim Buzës është përshkrimi i mendimit të thellë, i ekzistencës kombëtare, i qëndresës tonë që nuk thyhet lehtë. Në këtë të fortë është edhe lindja, edhe vallja edhe dasma dhe ashtu si në shumë kompozime të ngjashme, “Dasma kosovare”, “ “Nusja kosovare”, “Shqipëria vallëzon” është bërë amblemë e të gjitha festivaleve popullore kombëtare shqiptare.

Shkrimtari i njohur, i ndjeri Dritëro Agolli, njohës i mirë i veprave dhe miku i ngushtë i piktorit Buza, për veprat dhe përsonalitetin e tij krijues në mes të tjerash ka shkruar: “Origjinaliteti kombëtar dhe karakteri individual i krijimtarisë së tij, që shprehet përmes një stili të dallueshëm nga të tjerët, plot muzikalitet, variacione temash dhe idesh, e bën veprën e Buzës një koleksion të çmuar në vlerat e mëdha të artit tonë kombëtar...”

Abdurrahim Buza (1905-1986) nga një familje nga Gjakova. Pasi fitoi një bursë nga shteti, qëndroi për një vit në Akademinë e Arteve të Bukura në Torino. Më pas kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Kthehet në atdhe më 1933. Buza u punësua si profesori i parë i Liceut artistik në Tiranë, më 1947.

Subjektet e pikturave të tij ishin historike, legjendare dhe kombëtare. Vepra të tjera të njohura të Abdurrahim Buzës janë: ”Shqipëria vallëzon”, “Lojërat popullore”, “Refugjatët”,
“Lejlaja”, “Autoportret”, “Azem Galica”, 1938, “Peizazh në Pogradec” e deri në veprat e fundit “Ylberi tjetër” që arriti t’i përfundoj para vdekjes, 1986. /mapo/

Lini një Përgjigje