Rindërtimi i fuqive shpirtërore  

2 Janar 2026, 10:55Kulturë Nga Isuf Luzaj

Fragment

Është i ashpër çdo shteg, a rrugicë që hapim për t’u ngjitur pa bashkëfajtorë të errët, ata që nuk mund të vazhdojnë, konspirojnë kundër atij që përparon, sikur merita të fyente për të vetmin fakt se ekziston.

Rebelizmi i karaktereve të fortë poshtëron e përul tmerrësisht ata që përshtaten me përunjësi si shushunja, origjinaliteti i artistëve i ngre peshë në ajër akademikët prudentë, verbi, a FITILLKU i ri i të diturve shpërfillet a shqetëson sundonjësit e rutinës së zakonshme. Të gjithë ata që janë ndalur, janë armiq të natyrshëm të atyre që vazhdojnë të ecin.

Të ngrihesh lart, do të thotë të shqetësohesh, mediokrit e quajnë veten të pakapërcyeshëm dhe nuk binden me përulësi të kremtojnë meritën e atij që u thotë të drejtën duke i zgjuar nga ëndrra, në të cilën lëkunden në mënyrë letargjike. Me admirue të tjerët, është një torturë për atë që më kot dëshirojnë të jenë të admirueshëm.

Çdo personalitet eminent plagos boshësinë e bashkëkohësve së tij dhe i përul ata duke i udhëhequr drejt vendimit për hakmarrje. Dëshira për të shtuar vetë meritat e tij e detyron njeriun të jetojë në rojë kundër armiqsh të panumërt, të padukshëm, nga çdo inferioritet i përbuzur dalin gjemba e driza të forta kundër më të aftit, nga çdo favor i improvizuar dalin shigjeta tradhtie pas krahësh dhe pusia errësire.

Të rinjtë që ëndërrojnë një pjesë të fitores duhet të dinë se në veprim e sipër ndërtohet baza e përmendores dhe veprat e tyre do të jenë nesër statuja e secilit, merita qëndron në to dhe gjithnjë triumfon përmes kohës, sepse vetë smira dhe NAKARI vdesin me njeriun që i ndërton...

 

2 Komente

  1. V
    Veli Stafa

    Pak.fjale por prej ari.Ketu kupton karakteret njerezore te mbrapshta qe zakonisht mbrojne erresiren se si i kundervihen drites. Kur.pwrplaset.drita me erresiren nuk ka armepushim.apo pakt.por vetem lufte pwr jete a vdekje derisa njera te mposhte tjetren.Prof.Jusuf Luzaj nje nga perlat.e kultures tone.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Si në komunizëm

      Mua kjo ese e autorit më kujton luftërat e brrylave në kohën e komunizmit. Ku më të paaftit pengonin të aftit. Ku spiunët gjallonin ngado. Shumica me tesera partie. Detyra kryesore e mediokërve është të padisin dhe të përçmojnë të aftit, të zotët, të ndershmit dhe të drejtët. O duhet të ishin të poshtër si ata, që i lëpiheshin komandantit, pa guxuar të kishin një mendim të tyrin, ose bëhej hataja.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje