Tabloja “Shqipja” e Zamir Matit është një vepër e ngarkuar emocionalisht dhe simbolikisht, e krijuar në vitin 1981 si reagim artistik ndaj protestave të rinisë kosovare kundër regjimit jugosllav.
Piktura paraqet shqiponjën dykrenare në një formë të fuqishme, dramatike dhe të lartësuar, duke u shndërruar në një simbol të rezistencës, identitetit dhe krenarisë kombëtare.
Zamir Mati, “Piktor i Merituar” dhe i nderuar me titullin “Ambasador i Kombit”, është një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar, me mbi 50 vite krijimtari profesionale. I lindur në vitin 1951 dhe diplomuar në vitin 1973, Mati është autor i qindra veprave në vaj, akuarele, grafika, portrete dhe ilustrime.
I njohur edhe si “piktori i balonave”, ai ka zhvilluar qindra balona artistike dhe drejton grupin “Kites, Blue, Sky, Albania” në Francë.
Prej vitit 1992 jeton në Paris, ku është pjesë aktive e qendrës kulturore “Maison d’Albanie”. Mati ka krijuar seri pullash postare për Shqipërinë dhe një prej veprave të tij është përdorur edhe nga Posta Franceze më 2019.
Si autor librash, ai njihet veçanërisht për veprën voluminoze mbi Flotën Luftarake Detare, ndërsa gjatë karrierës ka hapur ekspozita, është nderuar në media dhe ka portretizuar figura të njohura të artit shqiptar.
Zamir Mati mbetet me të drejtë një “ambasador i artit” që ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë brenda e jashtë vendit.
Lini një Përgjigje