“Planeti leshtor”, botimi i ri i UETPRESS/ Enird Malile, autori që e kthen të përditshmen në letërsi

3 Tetor 2025, 20:13Kulturë TEMA
“Planeti leshtor”, botimi i ri i UETPRESS/ Enird Malile, autori

"Planeti Leshtor" nuk është vetëm një vepër letrare, është një udhëzues i heshtur për të menduar më thellë mbi njeriun dhe shoqërinë.

Në çdo vështrim të kujdesshëm mbi natyrën ne teorizojmë, shprehej Gëte në librin e tij “Teoria e Ngjyrave”, botuar në 1810. Edhe pse ai i referohej natyrës së ngjyrave dhe mënyrës se si ato perceptohen nga njerëzit, e vërteta e thënies shkon përtej fushës së studimit. Ajo mund të gjendet e dobishme në punën e shumë krijuesve, ashtu siç gjendet edhe në 33 tregimet e Enird Maliles, të përmbledhura nën titullin “Planeti leshtor”. Ky është libri i parë i autorit, me profesion psikolog klinik, botuar nën logon e shtëpisë botuese UETPress.

Përmes vëzhgimit të hollësishëm të ngjarjeve, shoqërisë, fenomeneve të zakonshme dhe kuptimit të thellë të tyre, autori i nxjerr mjaft thjeshtë në sipërfaqe ato të vërteta për të cilat shpesh harrojmë se ekzistojnë. Janë me ne, në përditshmërinë tonë, në rrethin tonë, por jemi aq të përfshirë në thurjen e jetës sa nuk kujtohemi të shohim në të, dhe përmes saj. Libri u promovua të enjten në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, duke bërë bashkë familjarë e miq të autorit, pedagogë, studiues dhe dashamirës të letërsisë.

Ndërsa kujtoi romanin “Oh” të Anton Pashkut dhe ndikimin që solli në letërsinë tonë moderne, përmes absurdes dhe introspeksionit psikologjik, drejtuesja e UETPress, Suadela Balliu, tha se edhe Malile lundron në të njëjtat ujëra. “Hasim të njëjtat figura, individë të zakonshëm, shpesh të fiksuar, të brishtë, të thjeshtë, por që jetojnë në një gjendje të vazhdueshme ankthi dhe përplasje në vetvete. Më shumë se absurdi që trajtohet te ekzistencialistët, Malile e çon përtej. Ai nuk përpiqet të kuptojë absurdin e ekzistencës apo absurdin sizifian të çdo dite, për të gjetur kuptim.”

Studiuesi i letërsisë dhe pedagogu i UET, Ermir Nika, përgëzoi autorin për punën e bërë në lëvrimin e tregimit, një zhanër i vështirë sipas tij, që nuk të toleron në papërsosmëri. “Tregimi për mua si krijues është zhanër i vështirë sepse nuk ke hapësirë të korrigjosh. Është një shtrirje e kufizuar dhe duhet të jesh shumë esencial. Kur gabon, qoftë edhe me një fenomen, vepra të bie si një strukturë e dobët.”

Nika e vlerësoi Malilen për stilin unik, pasi nuk identifikohet si ndjekës i ndonjë rryme të caktuar, por qëndron bindshëm me vetëbesimin në të veçantën që ai sjell. “Je shumë origjinal në atë që i sjell letërsisë shqipe dhe kjo më duket gjëja më e veçantë në veprën tënde”, theksoi Nika.

“Planeti leshtor”, finalist i Çmimit Kadare 2025

Përtej sprovave të mëhershme të botuara, qoftë edhe në mënyrë anonime, “Planeti leshtor” është vepra që e identifikon Enird Malilen si shkrimtar. Me dorëshkrimin e kësaj vepre ai u bë pjesë e konkursit letrar Çmimi Kadare 2025, tashmë një institucion i rëndësishëm në letërsinë shqipe, që krahas emrit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, identifikohet me krijimtarinë e një fondi të gjerë autorësh të spikatur për vlerat që sjellin në veprat e tyre.

Juria e këtij edicioni, e përbërë nga shkrimtarët Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, e vlerësun krijimtarinë dhe risinë e sjellë nga Malile duke e çuar dorëshkrimin në pesëshen finale. Gjatë promovimit të librit, Dionis Prifti, i cili ka shkruar parathënien e "Planeti leshtor", kujtoi se juria u dakordësua unanimisht për origjinalitetin që vinte në krijimtarinë e këtij autori. “Të tre ishim në një mendje që kishim gjetur diçka ndryshe. Vinte një freski në krahasim me gjërat e tjera që lexuam, që ishin më afër dramatikes, epikes. Malile kapet pas elementëve të përditshmërisë dhe nga kjo kundërshti na pëlqeu ky libër.”

Pavarësisht faktit se subjektet e tregimeve janë të thjeshta, ashtu si fjalori e stili i autorit, dhe në dukje nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme, dramatike, në kufijtë e katarsisit të tragjedive greke, ato lënë ndikim të fortë emocional. “Janë vëzhgimet e mprehta që pasi i lexon të lënë të mendohesh gjatë”, tha më tej Prifti, fitues i Çmimit Kadare 2024.

Autori rrëfeu se jeta e përditshme bashkëkohore ka qenë ajo që e ka ngacmuar për të shkruar këto tregime. Ato vijnë të fragmentizuar, por në tërësi mund të formojë një mozaik të jetës shoqërore. “Ajo që kam dashur të kap në letërsinë time është ky fragmentarizim, e përditshmja, këto çaste që ikin. Kam menduar, qoftë edhe gabimisht, se ka diçka përtej sipërfaqësore, fragmentares, përtej kohës që ecën shumë shpejt.”

Enird Malile është një nga përfaqësuesit më interesantë të brezit të ri të shkrimtarëve shqiptarë. “Planeti leshtor” e vendos atë mes autorëve që dinë të ndërthurin eksperimentin estetik me thellësinë filozofike, duke krijuar një univers ku realiteti dhe imagjinata përplasen dhe ndërthuren. Në vend që të ofrojnë përgjigje, tregimet e tij hapin dritare mbi qenien dhe kuptimin e saj, ku secili lexues mund të gjejë një copëz vetvete. Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm një vepër letrare, por edhe një udhëzues i heshtur për të menduar më thellë mbi njeriun dhe shoqërinë. /liberale/

Lini një Përgjigje