Po sikur familjari juaj më i dashur të ketë qenë dikur një vrasës? Shkrimtari arvanitas Dimosthenis Papamarkos na sfidon të rishqyrtojmë të keqen (VIDEO)

15 Mars 2026, 17:00Kulturë TEMA

Po sikur familjari juaj më i dashur të ketë qenë dikur

E keqja jeton brenda secilit nga ne, por në çfarë rrethanash ajo ngre kokë?

Kjo është pyetja në qendër të librit të titulluar “Gjak”, një përmbledhje me tregime nga shkrimtari arvanitas Dimosthenis Papamarkos, i cili është i ftuari më i fundit në Apostrof Podcast. Në një bashkëbisedim të gjerë me Bjorn Runa, Papamarkos diskuton rreth thelbik filozofik dhe historik të librit të tij, rolit të dialektit dhe identitetit arvanitas, si edhe për të vërtetat e parehatshme në lidhje me luftën, traumat dhe brishtësinë morale të shoqërive tona bashkëkohore.

Papamarkos është një autor bashkëkohor grek me origjinë arvanitase, i cili jeton dhe punon në Athinë. Përmbledhja e tij me tregime, “Gjak”, e botuar fillimisht në greqisht dhe tashmë e përkthyer edhe në shqip, ka marrë vlerësime të rëndësishme në Greqi, ndërsa është përshtatur edhe për teatër. Libri përmban një seri tregimesh që rrëfehen kryesisht nga veteranë të luftës Greko-Turke… Burra të formësuar nga dhuna, të frymëzuar nga bota arvanitase, që rrallë herë ka gjetur vend në letërsinë greke.

Papamarkos shpjegon se libri nuk nisi si një projekt historik, por si një kureshtje filozofike vetjake: nëse e keqja ekziston brenda secilit prej nesh dhe cilat janë rrethanat që e lejojnë të dalë në sipërfaqe. Për ta konkretizuar dilemën e tij, ai sjell një shembull hipotetik: po sikur një nga anëtarët më të dashur të familjes – për shembull xhaxhai juaj i preferuar – të ketë qenë dikur në rininë e tij një njeri i dhunës? Çfarë tregon kjo jo vetëm për atë si person, por për vetë identitetin, mundësinë e ndryshimit dhe bashkëekzistencën aspak të lehtë mes butësisë dhe mizorisë brenda të njëjtit person?

Gjuha e rrëfimit në libër është po aq e rëndësishme sa edhe vetë subjekti. Papamarkos ka zgjedhur t’i shkruajë këto tregime në vetën e parë me një stil pseudo oral, duke synuar kështu të imitojë rrëfimet gojore. Personazhet flasin arvinitisht dhe libri në origjinal mbart shumë fjalë dhe fraza të këtij dialekti. Siç shpjegon edhe vetë autori, ai donte që lexuesi të ndihej sikur po lexonte transkriptimin e një audio regjistrimi të vjetër.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit në podcast përqendrohet gjithashtu tek mënyra se si shoqërite ballkanase përballen me dhunën në përfundim të luftërave. Papamarkos shprehet se Greqia, sikurse shumica e vendeve ballkanike, vazhdon ta ketë të vështirë përballjen e sinqertë me historinë e saj të afërt. Shpesh narrativat zyrtare priren të lartësojnë heroizmin, fitoret territoriale, apo vuajtjen kombëtare, ndërsa neglizhojnë dëmin moral dhe psikologjik që iu është shkaktuar njerëzve që kanë marrë pjesë në këto luftëra.

Kjo është edhe një nga arsyet përse tregimet në këtë libër tingëllojnë shqetësuese për lexuesin e sotshëm. “Gjak” nuk është thjesht një libër për luftërat e një të kaluare të largët, por është gjithashtu një libër për historitë ngushëlluese që shoqëritë tona i tregojnë vetes në mënyrë që të mund të jetojnë disi në paqe me mizoritë që kryejnë.

Në përfundim të bisedës, Papamarkos tregon gjithashtu se sa i rëndësishëm ka qenë për të përkthimi në shqip i librit. Duke patur parasysh lidhjet gjuhësore dhe kulturore mes arvanitasve dhe shqiptarëve, ai thotë se dëshironte shumë që libri t’iu vinte në shqip edhe lexuesve shqiptarë, veçanërisht sepse shumë nga fjalët, zakonet dhe pëlhura emocionale që përshkon këto tregime janë mjaft familjare për lexuesin shqiptar.

Në një kohë kur nacionalizmi po rritet sërish në Europë dhe siguritë e vjetra kanë nisur të krisen, libri i Papamarkos ofron diçka më të çmuar se sa thjesht nostalgjia historike apo ekzotizmi letrar. Ai ofron një paralajmërim se asnjë shoqëri nuk është aq e qytetëruar sa i pëlqen ta imagjinojë veten dhe asnjë qenie njerëzore nuk është plotësisht i mbrojtur nga e keqja që fle brenda tij.

Lini një Përgjigje