Nga Ardian Vehbiu
Pashë diku një preokupim, me gjasë të sinqertë, për ndonjë dorëshkrim që mund të ketë mbetur nga i ndjeri Kadare; dhe që tani u dashka vendosur si të trajtohet. Trashëgimi të tilla u vlejnë fort filologëve, biografëve dhe aq më shumë botuesve, që veç përfitojnë ekonomikisht duke u shitur naivëve dhe koleksionistëve materiale “të reja” shkrimtarësh përndryshe të suksesshëm. Sa për lexuesin, duke pasur parasysh raftin me dhjetëra e dhjetëra vepra të Kadaresë në librari, preokupimi i tij nuk mund të jetë e reja dhe e pabotuara, por e botuara dhe E PALEXUARA; ndonjëherë edhe e lexuara dhe e harruara. Institucioneve kulturore dhe letrare në Shqipëri u bie barra që ta mirëmbajnë këtë trashëgimi aktuale dhe të gjejnë mënyra që të joshin atje lexuesin e ri; gjithë pa jetërsuar lexuesin ekzistues: vallë a do të dështojnë edhe këtë herë, siç e kanë zakon? Për shkrimtarë që kanë pasur kohën e duhur dhe fatin e mirë që të kujdesen për veprën e tyre në rrjedhë të viteve, përvoja tregon se dorëshkrimet e pabotuara nuk janë zakonisht në nivelin e veprës së botuar – tek e fundit, prandaj edhe kanë mbetur të pabotuara. Kadareja dhe lexuesi i tij nuk kanë nevojë për “vepra të reja”, por – në rastin më të skajshëm – për lexime të reja të teksteve klasike ekzistuese. Nëse kultura i shërben mirë kësaj trashëgimie dhe nuk harxhon kohë dhe fonde me gjepura dhe çikërrima, edhe institucionet botuese nuk do kenë arsye të obsesionohen me “zbulime” letrare.
Zotëri, Keni mbaruar studimet për gjuhë-letersi dhe nuk jeni i afte që ne vend te fjales obsesionohen, të petdorni fjalë apo shprehje foljore shqip, fjala vjen: ...t'u rrahe mendja vetem ne zbulime...