Artizanati po trashëgohet brez pas brezi, duke bërë që gratë dhe vajzat të ushtrojnë këtë traditë me krenari, sidomos në tezgjah.
Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e Drita Gordit nga Preza e Tiranës, e cila me një përkushtim të rrallë vazhdon traditën e tezgjahut dhe tashmë po ia kalon edhe të bijës.
“Respekt për zonjat duararta”, shkruan Rama.
Drita Gordi tregon se tezgjahu nuk është një punë e lehtë, por se do ta vijojë, pasi sa i vështirë është si zanat, po aq është edhe i bukur.
“Ëndrrat duan punë. Këtë zanat e kam trashëgim nga nëna ime dhe vazhdoj ta trashëgoj te ime bijë. Është zanat i vështirë, por i bukur”, shprehet Drita.
Ndërsa Jonida, e bija, thotë se tradita e tezgjahut është ndër ato tradita që ia vlen për t’u ruajtur dhe është shumë e vyer.
“E kam trashëguar nga ime më dhe nga gjyshja. Ato e punonin tezgjahun me shumë dashuri, që e përcollën edhe tek unë. Kjo më shtyn më tepër ta vijoj, të mos e lëmë të zhduket. Kam hyrë në tezgjah që e vogël dhe shpesh edhe pa i marrë leje mamit, duke ia prishur jo pak herë. Tani e kuptoj që e dua edhe unë”, thotë ajo.
Gjatë shekujve, gratë dhe vajzat në zonat rurale, janë angazhuar në shumë aspekte të jetës së përditshme të komuniteteve të tyre. Ato kanë luajtur një rol kyç në bujqësi, prodhimin ushqimor, mirëmbajtjen e familjeve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonave rurale. /atsh/
Lini një Përgjigje