VIDEO/ Regis Canameri dhe Enxhi Arapi: Kinemaja në tranzicion mes teknologjisë dhe identitetit artistik, roli i ISFFT

22 Prill 2026, 12:20Kulturë TEMA
VIDEO/ Regis Canameri dhe Enxhi Arapi: Kinemaja në tranzicion mes

Kinematografia po kalon një fazë të thellë transformimi, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Në një diskutim në Apostrof Podcast, kineastët Regis Canameri dhe Enxhi Arapi ndalen tek ky moment tranzicioni, duke e përshkruar si një periudhë ku ndryshimet teknologjike kanë përshpejtuar prodhimin, por nuk kanë rritur domosdoshmërisht pjekurinë artistike.

Sipas tyre, vetë koncepti i kinemasë ka ndryshuar. Nga një përvojë kolektive në sallat e kinemasë, industria është kthyer në një hapësirë shumë më të fragmentuar dhe konkurruese, ku përplasja nuk ndodh vetëm mes filmave, por edhe me format e reja si serialet dhe platformat digjitale. “Është një botë tjetër, më e ashpër dhe shumë më e shpejtë,” theksojnë ata, duke dalluar gjithashtu hendekun mes kinemasë si art dhe asaj si produkt argëtues.

Ky transformim reflektohet edhe në prodhimin vendas, ku gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të filmave të prodhuar në Shqipëri. Përmirësimi teknologjik ka bërë që shumë prej tyre të duken më të realizuar në aspektin visual, nga kinematografia te montazhi dhe muzika. Megjithatë, kjo rritje në formë nuk shoqërohet gjithmonë me të njëjtin nivel në përmbajtje.

Arapi shprehet se lehtësia e aksesit në mjete teknike ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e prodhimit. “Nëse më parë realizimi i një filmi kërkonte muaj të tërë përgatitje dhe xhirime, sot ky proces mund të përmbyllet në një kohë shumë më të shkurtër.” Por ndërkohë që teknologjia ka evoluar me ritme të shpejta, shton Arapi, ndërtimi i një historie të fortë mbetet një proces i ngadaltë, që kërkon reflektim dhe bashkëpunim mes departamenteve krijuese.

Në këtë kuadër, Canameri dhe Arapi e shohin industrinë si një sistem në fazë testimi, ku volumi i lartë i prodhimit është një simptomë e natyrshme e një tregu në zhvillim. Me kalimin e kohës, sipas tyre, ky volum pritet të filtrohet, duke nxjerrë në pah zëra më të qartë dhe më të konsoliduar artistikisht.

Në këtë kontekst, roli i iniciativave si Festivali Ndërkombëtar Studentor i Filmit (ISFFT) bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Festivali synon të krijojë një urë mes arsimit dhe industrisë, duke u ofruar studentëve shqiptarë mundësi të krahasueshme me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në Europë dhe më gjerë. Përmes ekspozimit ndaj standardeve ndërkombëtare dhe përfshirjes në një rrjet më të gjerë profesional, ISFFT shihet si një ndërhyrje konkrete në këtë fazë tranzicioni.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor: Një hapësirë e re për kineastët e rinj

Lini një Përgjigje