“Rendi i ri”, shfaqja e re e Kiço Londos, në datat 2 dhe 3 tetor, në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës.

1 Tetor 2025, 17:43Kulturë TEMA

“Rendi i ri”, shfaqja e re e Kiço Londos, në datat 2 dhe

“Rendi i ri”, shfaqja e re e Kiço Londos, në datat 2 dhe 3 tetor, në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës. “Rendi i ri” shfaqja e re teatrore nga regjisori Kiço Londo vjen premierë në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Drama “Rendi i ri” e autorit spanjoll Sergi Pompermayer e shkruar në vitin 2014, ku ngjarja zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër disa rrëmbyes e dy të rrëmbyera (nënë e bijë) do të jetë në skenë në datat 2 dhe 3 tetor në Gjirokastër. Shfaqja vjen në skenë si produksion i Teatrit Shëtitës “Çajupi”, që udhëhiqet nga regjisori Kiço Londo. Shfaqja vjen në skenën teatrore në Gjirokastër nga një ekip teatror, që ka në përbërjen e tij talente të reja të spikatura për brezin e tanishëm. Në rolet e veprës janë aktorët Era Çaushi, Xhoana Karaj, Aleksandër Kondi dhe Igli Fusha.

Ngjarja zhvillohet në një repart të braktisur autopsie dhe ka në qendër katër rrëmbyes e dy të rrëmbyera (nënë e bijë), që instinktivisht janë nën kthetrat e urrejtjes dhe grindjeve të vazhdueshme për vendin, pasiguri me trazira, me krizë demokracie, vënie në pikëpyetje të drejtësisë, abuzimin emocional, kompeksitetin e pakënaqësisë, anarkinë, seksin. Konfuzion ekzistencial. “Rendi i ri” shfaqet në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë, z. Flamur Golemi. Vepra është përkthyer nga Natasha Habilaj, kostumet Silvi Vrapi dhe as regjisor Fabjo Rapushaj.“Rendi i ri” në skenë

Drama “Rendi i Ri”, e shkruar në 2014, një kohë kur kriza ekonomike po “godiste” klasën e mesme, duke çuar mijëra njerëz në dëshpërim, po prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Thellësisht social, shkruar në një mënyrë imagjinative dhe me një gjuhë të guximshme, nga shkrimtari, skenaristi, profesori i universitetit, veterineri, aktori dhe regjisori spanjoll Sergi Pompermayer (Barcelona 1967), i cili sipas materialit shpjegues të veprës nxjerr në pah realitetin e zymtë dhe të ashpër të viteve të fundit, të cilin shumë njerëz e kanë përjetuar, në shumë vende.

“Dëshpërimi i të gjithë atyre që “paguan dhe ende po paguajnë” pasojat e krizës ekonomike, si dhe i “peshkaqenëve të mëdhenj” huadhënës, çojnë në fenomene ekstreme dhune, të cilat nuk synojnë hakmarrjen, por synojnë justifikimin, nëse ajo vjen, si, në rrjedhën e një krimi, ekziston mundësia e zhvillimeve të papritura, siç është rasti në këtë histori…”, thuhet rreth shfaqjes. Një grua dhe dy burra, pasi kishin humbur vendet e punës, paratë dhe shtëpinë, të dëshpëruar, rrëmbejnë ish-ministren e punës dhe drejtoreshën e bankës më të madhe të vendit, duke e shantazhuar që të ndërhyjë te bordi i drejtorëve të bankës dhe aksionarët e saj kryesorë për të ndaluar sekuestrimin e pronave dhe dëbimet dhe për t’ua kthyer paratë atyre që kanë nënshkruar kredi pa i ditur shkronjat “e bukura” të marrëveshjeve.

Përndryshe, ata do ta vrasin vajzën katërmbëdhjetëvjeçare të drejtorit, e cila mbahet peng nga anëtari i katërt i grupit të rrëmbyesve, në një vend tjetër. Tema atmosferike “e nxehtë” dhe e zymtë i jep kontekstin e duhur dhe materialin e nevojshëm aktorit. Drama “Rendi i ri”, e shkruar në vitin 2014 është dhe vepra teatrore e parë premierë për këtë sezon artistik nga Teatri Shëtitës “Çajupi”, ku në vijim të programit ë tij do të jenë në skenë të tjera shfaqje për publikun. Në aktivitetin artistik të Teatrit Shëtitës “Çajupi” që udhëhiqet nga regjisori i njohur Kiço Londo janë vënë drama dhe komedi në skenë, që janë mirëpritur nga publiku dhe janë shfaqur jo vetëm në Tiranë, por dhe në skenat e qyteteve të tjera.

Lini një Përgjigje