Rona Nishliu, koncert në teatrin “Migjeni”, ngjarja muzikore në kuadër të Javës Evropiane 2025

28 Maj 2025, 16:19Kulturë TEMA
Rona Nishliu, koncert në teatrin “Migjeni”, ngjarja muzikore

Mes emocionesh të mëdha në Shkodër projekti muzikor “JALBOZ” solli në skenën e teatrit “Migjeni” një ndërthurje unike të muzikës tradicionale shqiptare me xhazin dhe improvizimin bashkëkohor.

Ky udhëtim muzikor i rrallë në kuadër të Javës Evropiane, erdhi i kuruar me ndjeshmëri nga Rona Nishliu dhe pianisti Gent Rushi. Artistja e njohur solli për publikun shkodran disa nga këngët tradicionale në variantin e përpunuar të muzikës Jazz.

Unë kam punuar në muzikë gjithmonë sipas ndjesive të mia, kam dashur gjithmonë të jem shumë besnike ndaj dëshirave të mia duke qenë se muzika për mua nuk ka qenë asnjëherë një profesion primar, prandaj kam dashur që përmes muzikës të jem 100% unë dhe kam dashur të jem e vërtet për publikun”, u shpreh këngëtarja Ronal Nishliu.

Si një nga artistet që e ka prekur magjinë e Eurovizionit duke i dhënë Shqipërisë renditjen më të mirë historike, Rona Nishliu vlerëson prezantimin dinjitoz në edicionin e fundit me grupin “Shkodra Elektronike”.

Festivali i RTSH-së mbetet festivali më i dashur për mua. Për sa i përket “Shkodrës Elektronike” kam vetëm vlerësim pozitiv. Mendoj që kanë shkëlqyer në skenën ë madhe, ajo skenë nuk është e thjeshtë, sepse njerëzve iu duket e lehtë, por për artistin nuk është shumë e thjeshtë”, tha Nishliu.

Me një karrierë që ndërthur suksesin personal me përkushtimin ndaj kulturës kombëtare, Rona Nishliu mbetet një zë që i flet me emocion publikut brenda dhe jashtë vendit. Pas Shkodrës, rrugëtimi do të vijojë në Korçë dhe Tiranë.

/RTSH/

Lini një Përgjigje