Hamami në Durrës, Monument Kulture i Kategorisë I, është një tjetër objekt i rëndësishëm kulturor, i cili pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i vitit 2019.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako bëri me dije sot se Hamami mesjetar ka hapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj, tashmë i rilindur falë një restaurimi tërësor mundësuar nga programi E4Culture financuar nga BE.
Godina e ndërtuar në shekullin XVIII është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri, nga periudha e sundimit osman.
“Me një arkitekturë unike, Hamami një tjetër monument i rëndësishëm tashmë i hapur për publikun, shton një vlerë të re turistike dhe kulturore në qytetin e Durrësit”, thotë Sako në një postim në rrjetet sociale.
Në qendër të kompozimit planimetrik të Hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5,8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera të rrumbullakëta, çka plotëson ndriçimin e dhomës.
Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes. /atsh/
Lini një Përgjigje