Java Kulturore Spanjolle do të gjallërojë kryeqytetin nga datat 3 deri më 7 nëntor, duke premtuar një atmosferë sa argëtuese, aq edhe edukative. Kujtojmë se ka disa kohë që javët kulturore po zhvillohen në kryeqytet si mënyrë e mirë për tu njohur publiku vendas me kultura nga vende të ndryshme dhe pa pasur nevojë t’i vizitojnë, ose, akoma më mirë, këto mund të shërbejnë si indicie për t’i vizituar ato vende.
Javët kulturore shërbejnë njëkohësisht si një mënyrë për të kaluar kohën e lirë për ato që nuk ndjekin futboll por edhe si mënyrë për konsumuar art për ato që nuk kanë shumë mjete të tjera për të ndjekur eventet sportive përndryshe “të rënda” për xhepin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ftoi qytetarët që të përgatiten “për një javë të mbushur me ngjyra, tinguj dhe shije nga Spanja”.
“Nga prezantimi i librit “Anatomia e një çasti” me përkthyesin Bashkim Shehu, te kërcimi i flamengos me Lucía La Bronce, kinemaja bashkëkohore spanjolle, degustimi i verërave të kantinës “Emilio Moro”, tapaset tradicionale dhe deri te koncerti i kitaristit Denis Bizhga – çdo mbrëmje është një udhëtim kulturor që ngjall emocion dhe pasion”, shkruan Gonxhja.
Spanja është një prej vendeve me kulturë të larmishme nga muzika, por dhe nga baleti dhe letërsia. Ajo njihet veçanërisht dhe për kulturën katalane që është një pjesë e pandashme e identitetit të saj, prandaj dhe kryeqytetasit duhet të shkojnë me dëshirë në këto evente.
Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Megjithatë, jo vetëm Tirana, e gjithë Shqipëria është gati të përjetojë muaj magjikë.
Java Ndërkombëtare Kulturore e Spanjës vjen pas përfundimit të javës austriake e cila rezultoi të ishte një sukses i mirëfilltë.
Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare promovojnë dialogun ndërkulturor dhe sjellin popujt më pranë njëri-tjetrit.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje