Nga Preç ZOGAJ
“Dielli në mërgim” i Ani Wilms, botuar nga “Dudaj”-
Leximi i një romani voluminoz është si ti ngjitesh një mali të lartë. Të cilit i shkon në fund duke i dalë në krye. I tillë është “Dielli në mërgim” i shkrimtares shqiptare Ani Wilms.
Mora ta lexoj i ndikuar nga një shkrim i publicistit libërdashës Mero Baze, pastaj nga një ese e eseistit dhe leximtarit me sqimë të lartë, Namir Lapardhaja.
“Vizatimi idilik i jetës politike kulturore dhe sociale të Vlorës, Durrësit apo Tiranës në vitet 40, përballja e shqiptarëve me antisemitizmin dhe ngjyrat e pafundme përmes të cilës kaloi miti i mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët, që nga ai më i thjeshti deri tek ministrat është një histori që mund ta tregojë vetëm letërsia tani për tani”, shkruante Baze. Një pohim që evidenton “zonat” ekskluzive të letërsisë, siç janë përplasjet e të drejtave përjashtuese të njëra - tjetrës në një periudhë të dhënë apo në gjithkohë.
Në këto përplasje - konflikte letërsia hyn dhe përparon me mjetin e rrëfimit të ngjarjeve, me përthyrjen e tyre në sferën e perceptimeve, botëkuptimeve dhe botëndijimeve diverse të personazheve, ku pozicionimet apo rreshtimet i përgjigjen një ontologjie të grupit shoqëror apo një ideologjie të caktuar. Në vetvete këto pozicionime nuk janë domosdoshmërisht kriminale, por humbëse ose fituese, të gabuara ose të drejta në perspektivën e tyre në kohë dhe sidomos në dritën e humanizmit.
Për ta ilustruar ketë persiatje me subjektin e romanit “Dielli në mergim”: Jo vetëm familjet e thjeshta shqiptare i mbrojten hebrenjtë, por edhe qeveritë e tyre kolaboracioniste apo kuislinge nën pushtim. Në të vërtetë familjet e thjeshta nuk do të mund t’i mbronin dot po të mos u jepte një dorë a të mos mbyllnin sytë qeveritë “tradhëtare”. Fakti godet dogmat e historiografisë sektare. Këtu hyn letërsia që bën drejtësi në sferën e postngjarjeve, humanes, shpirtërores.
Në romanin e Wilms, regjistrit të antagonizmave me karakter klasor sikurse atyre që lidhen me qëndrimin ndaj pushtimit dhe luftës çlirimtare, i brëndashkruhet përmes sagës familjare të familjes “Jakoeli” fati i hebrenjve të vendosur herët apo të ardhur rishtas në Shqipëri për t’u shpëtuar kampeve naziste të zhdukjes.
Mund të thuhet edhe e kundërta: Sagës së familjes Jakoeli i brendashkruhet regjimi i antagonizmave të kohës.
Megjithëse Jakoelët dhe familjet e tjera hebrenje i përkasin një shtrese të pasur, ata mbështesin luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Vetë Jozefi, personazhi kryesor i romanit, del në mal si pjesë e formacioneve partizane. Si për ironi të fatit, ndërsa u shpëtojnë tentakulave naziste gjatë luftës, me instalimin në pushtetet të komunistëve hebrenjtë e Shqipërisë do t’i presë kalvari i falimentimit përmes tatimit të jashtëzakoshëm, shpronësimit të dhunshëm, harrimit në burgje, dëbimit brutal nga shtëpitë e tyre.
Lexuesit i duhet lenë kërshëria t’i zbulojë vetë fatet e personazheve nëpër episode tronditëse të një periudhe autentike të historisë sonë.
Në këtë përcjellje dua t’u bëj me dije se “Dielli në perëndim” është një roman klasik i llojit të tablosë, me disa linja në strukturë dhe narrativë, kur episodet ndjekin rendin e rrëfimit linear dhe plotësojnë si pazëlla tërësinë e tij.
Shkrimtarja demostron një njohje të thelluar të subjektit. Duket qartë se ajo është përgatitur, ka studiuar, e ka “ rindërtuar” në laboratorin e saj krijues kuadrin kohor të ngjarjeve në Vlorën, Tiranën, Durrësin dhe vendet e tjera të viteve dyzet – pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Ajo njeh në thellësi historinë e jashtëzakonshme të popullit hebre, zakonet, fenë, ritet e tij të shenjta, fatin tragjik, holokaustin, specifikat e jetës së komuniteve hebreje në vende të ndryshme të Europës. Ka mbledhur më shumë lëndë se sa do t’i nevoitej, siç thoshte Floberi. “Dielli në mërgim nuk ndjek “ trendet moderne” ku varfëria e lëndës jetësore shkapërcehet me sajime arbitrare, lidhje të shkurtëra, ormamente të kërkuara.
Shkrimtarja mikson dhe shkrin brenda unitetit artistik të veprës realen me trillimin. Romani i saj ilustron sentencën se proza e mirë është ajo kur realja i ngjan trillimit dhe trillimi jetësores. Vërtetësia dhe koloriti artistik marrin jetë nga fjalori i pasur, nga aftësia e për të përcjellë në gjuhë gjendje shpirtërore subtile, dramatike apo të errëta, nga fuqia përshkruese e skenave dhe mjediseve ku shohim një Vlorë kontrastesh me ishuj klasi e begatie që nuk e kishim njohur aq mirë, nga dialogjet funksionale, nga suspansat e përligjigjura, nga një optikë estetike, që vigjëlon faqe pas faqeje në gjithë librin.
“Romani nuk mund të lexohet vetëm si një histori e luftës dhe e pasluftës në Shqipëri, si një rrëfim për vuajtjen e hebrenjve apo si një sagë familjare. Ai është më shumë se kaq...”, shkruan Namir Lapardhaja në esenë e tij.
Në të vertëtë kur e mbaron së lexuari, klisheja e romanit për shpëtimin e hebrenjve të duket “e varfër” në kontekstin e historisë dhe kulturës biblike të hebrenjve, të cilën pasardhësit e shpërngulur përdhunshëm, përshirë hebrenjtë e Shqipërisë, e morën me vete për shekuj me radhë nëpër botë si një plagosje dhe kujtesë të shenjtë. Më tej, në shtrijen që merr përgjatë shtjellimit romanesk ndërthurja e fateve të personazheve - hebrenj dhe shqiptarë, djem dhe zonjusha, burra dhe gra, me klas të lartë apo të zakonshëm, të pasur apo të varfër, ballistë nacionalistë apo partizanë. Ne këtë galeri spikat perzonazhi i vajzës së emancipuar me bukuri e klas të lartë, Aulona Gega, fati tragjik i së cilës godet si një dëshmi emblematike e asaj që humbi vendi ynë përgjatë dekadave të stalinizmit: kulturën përëndimore në simbiozë me nacinalizmin e shtresës së mesme. Shkrimtarja e kthen në piedestal si për të provuar me një shembull pikant se për të marrë hakun e krimeve dhe padrejtësive të tmerrshme në fund mbetet letërsia.
Si përfundim, mund të themi se “Dielli në mergim” rikthen shijen e romanit klasik të tabllosë mbi një temë të njohur në pamje të parë, por që na mëson plot të reja. Siç është në zakonet e letërsisë së mirë./ Revista MAPO