Një shkrues për autorin

9 Shkurt 2026, 18:00Kulturë Ardian Vehbiu

Më doli në shfletues artikulli i njërit që ia njoh emrin kështu për së largu dhe që më parë nuk më kish tërhequr ndonjëherë vëmendjen as për thellësi as për stil; por këtë herë nuk po i shqitesha dot leximit dhe e çova deri në fund. Ishte shkruar mirë, për një temë që i kërkon autorit kulturë dhe njohuri, përpos aftësisë për të menduar paralelisht. Gati-gati, m’u duk si ta kish shkruar Zhizheku. Madje argumenti ish paketuar edhe më mirë se në esetë e Zhizhekut, që ndonjëherë pikojnë nga të gjitha anët. Artikull perfekt. Dhe, me gjasë, i shkruar i tëri me ChatGPT ose me ndonjë AI të ngjashme.

Pse e mendova këtë? Sepse rrallë, shumë rrallë më ndodh që të gjej, në mediat dhe në faqet shqipe, ese të këtij niveli – ku stili të harmonizohet me mendimin dhe arsyetimi të mos ngecë gjëkundi, me shembuj të shumtë por gjithnjë funksionalë, nga kultura dhe filmi, dhe një ndjesi tek unë, lexuesi, se kush e kish shkruar dinte dhjetë dhe hidhte në letër një.

Hiq dy-tre autorë që ua dalloj mendjen dhe dorën, të tjerët sot sikur përpiqen, sa herë që dalin me ndonjë opinion a analizë, që të mos shquhen. Ndërsa ky shkëlqente. Para se të më shkonte mendja për ndihmën bujare nga një mendje që i di të gjitha, si AI-ja, po e qortoja veten që nuk i kisha kushtuar këtij burri më shumë vëmendje më parë; që nuk ia kisha vënë re potencën intelektuale. Pastaj e kuptova psenë – ky vetëm tani e kish marrë në punë sekretarin e vet elektronik; ghost writer-in e tij. Për ta konfirmuar, u hodha një sy shkrimeve të tij në rrjedhë të viteve – siç i thonë. Nuk gjeta asgjë, që t’i lidhte me këtë që lexova tani, veç emrit të përveçëm.

Natyrisht, këto mbresa njeriu s’i provon dot. AI-të tani qëndisin romane që botohen në Amazon dhe doktoratura hijerëndë; dhe prapë nuk i kap dot me prova. E shumta, ti mund ta ndiesh që tekstin që ke përpara nuk e konceptuar një mendje njeriu; dhe jo sepse është i keq. Përkundrazi, sepse është më i mirë se ç’duhet. Më i qartë, më saktë i artikuluar, më i rrjedhshëm, me një fill mendimi që i negocion kthesat e argumentit dhe të kundër-argumentit, pa u këputur kurrë. Sot në Shqipëri praktikisht nuk gjen më pena energjike, që të shkruajnë kështu. Edhe ata që kujtojnë se ende munden, po hallakaten duke i shprehur dashuri vetes dhe duke i bërë poza lexuesit; kur nuk merren me gjepura, me ad hominem; ose edhe më shpesh, kur nuk arrijnë t’i përfundojnë fjalitë dhe shesin statuse të mekura Facebook-u për “non-fiction”.

Para dy ditësh lexoja një nga këta të tjerët, që mbase as di ta përdorë AI-në fare, por që ia pëlqej stilin e të shprehurit; sepse xixëllin edhe kur nxjerr nga dora budallallëqe seriale dhe e shndërron logosin e vet në monolog estrade të provincës. Mendoja: sa keq, edhe ky nuk ka ç’të thotë më dhe ka përfunduar i dashuruar me zërin e vet. Synimi i këtij të dytit gjithnjë ka qenë ta shndërrojë arsyen e vet në personazh dhe të argëtojë lexuesin me të – si një lloj ventrilokisti. Por duke vazhduar kështu, arsyeja i ka rrjedhur nga trutë në fytyrë, për t’iu kthyer në maskë prej klouni.

Prandaj nuk më mërziti fare, ky i tanishmi që ia kish besuar mendjen e vet një makine gjeneruese fjalësh të kthjellëta, si ChatGPT-ja. Sepse kjo makinë thotë gjëra të sakta, madje të thella, dhe të jep xhevap për gjithçka që i kërkon; dhe është në gjendje të prodhojë një tekst, me të cilin autori porositës mund të dalë pastaj në pazar. Një tekst ku lexuesi ka se çfarë të gjejë. Që e fton lexuesin për të kërcyer një tango, siç duhet të bëjë teksti.

S’është hera e parë, që i shoh këto tekste artificiale të botohen në mediat. Ngaqë më vijnë të nënshkruara nga autorë që i kam ndjekur edhe më parë, nuk mund të mos e vë re hopin cilësor edhe në parashtrim, edhe në argument, edhe në aparat. Është si të takosh qymyrxhiun të dielën në sheshin e lagjes, të larë e të veshur shik, gati për të fërkuar bërrylat me parinë në kafene. Veç kësaj, AI-të kanë stilin e tyre të shprehjes, që unë jam mësuar tashmë ta dalloj; muzikalisht, do ta kisha krahasuar jo aq me Bach-un, sa me një vegël muzikore, me të cilën është luajtur Bach-u.

Më duhet ta them: krahasuar me gjërat gjysmake që lexon sot online, mendimet që hiqen zvarrë dhe fjalitë që nuk kanë fuqi të përmbyllen, me autorët që nuk dinë as ta fshehin mirë padijen e tyre dhe topitjen kulturore, esetë e shkruara me AI (ChatGPT, Gemini, Copilot, Claude) meritojnë më shumë vend në vëmendjen tonë; sepse AI-të janë në gjendje t’i japin lexuesit atë që shumë autorë prej mishi e gjaku nuk munden më: argumentin kritik.

Është e hidhur për mua, që të shprehem kështu; vetë i përdor AI-të si vegla pune, që shpesh më ndihmojnë për të kursyer kohë dhe për të rikuperuar çfarë nuk di ose nuk jam i sigurt nëse di, si të ishin ndonjë sekretar a asistent i mirë (për shembull, për t’i kërkuar një krahasim të hollësishëm mes greqishtes κοινωνώ dhe latinishtes communicare në kontekstin kishtar); por mbetem i bindur se më e mira që këto vegla mund të bëjnë, është të përsëritin çfarë tashmë është thënë e menduar. Mendoj se AI-në mund ta përdorë mirë vetëm ai shkrimtar a publicist që e di se nuk di (do të shtoja: që nuk e di sa di). Ngaqë e shoh prodhimtarinë time non-fiction si po aq krijimtari sa edhe letërsinë e mirëfilltë, nuk do të mundesha ta bëj timin një tekst sado të qartë dhe të artikuluar dhe të mbështetur në fakte dhe referenca, të cilit i mungon tharmi krijues. Por njëkohësisht e kuptoj se shumë non-fiction që sot botohet në shqip vjen me zgavra e vese ku e ku më alarmante, se mungesa e krijueshmërisë.

Në fazën ku gjendet sot shqipja eseistike, AI-të mund t’u mësojnë mendjeve tona si të mendojnë – duke kompensuar për dështimin madhështor të shkollës dhe të mass mediave, që nuk shkojnë më tutje se trajnimi i agjitatorëve politikë, zelltarëve ideologjikë dhe shakaxhinjve televizivë. Në kuptimin se shqipja non-fiction, faqet e opinioneve, të polemikave dhe të editorialeve rrezikojnë të përçudnohen, sipas modeleve tru-vdekura që u ofrojnë “të dijshmëve” debatet televizive dhe rrjetet sociale. Nëse AI-të mund të ndihmonin sado pak për të na nxjerrë nga kjo llucë me kosto me të ulët se (ri)leximi i klasikëve, familjarizimi me Kantin dhe Nietzsche-n dhe përvetësimi i zotësisë për t’u shprehur në lartësinë e temës që trajtohet, atëherë mirë se të vijnë.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

4 Komente

  1. ¿?

    Inteligjenca Artificiale ne vetvete nuk eshte gje tjeter vecse nje bashkesi programesh kompjuterike qe eshte ne gjendje te perdore informacionin qe ka ne zoterim me shpejtesi te madhe dhe ne perputhje te plote me kodet qe jane implementuar. Perdorimi i saj per te shkruar esse dhe/ose cfaredolloj tekstesh te tjera eshte nje proces mekanik qe funksionon si cdo lloj tjeter makinerie e paraprogramuar. Ne fund te fundit perdorimi i saj prej njerezish qe kujtojne se mund te mbulojne budallallekun e tyre natyral me jorganin e Inteligjences artificiale eshte analog me femrat qe mbushin cicat me silikon.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Maskara

      Ti nuk je Anticensura. Nuk ka mundësi! Nuk e di pse ia ke kopjuar dy pikëçuditëset. te ky koment nuk ka as mut, as pordhë, as shurrë, as dhjes dhe asnjë fjalë tjetër e ndyrë. Prandaj mos merr më nicknamet e të tjerëve. Maskara.

      Përgjigjjuni
    2. ¿?

      Cfare flet or burre/grua i/e dheut, une s'kam asnje lidhje me Anticenshurren, prandaj nuk e marr vesh se cfare ke dashur apo do te thuash. Thjesht kam shprehur mendimin tim rreth shkrimit. Dhe ¿? nuk jane pikeçuditese, por pikepyetje. Nejse, merre pak me shtruar tjeter here, po s'deshe te dalesh kallep si kete rradhe.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Lexuesi

        Problemi eshte kur keta autore te glorifikuar nga ChatGPT flasin ne interviste live ne televizion. S’dine te justifikojne as 25% te atyre qe kane shkruar. ????

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje