Një diskutim ditët e fundit për trashëgiminë kulturore më bëri të mendoj për një roman dhe një film, të cilat sjellin të dyja një histori që është në thelb e njëjta. Flowers for Algernon, nga Daniel Keyes (botuar në 1958 si tregim dhe pastaj i zgjeruar, në 1966 si roman); dhe filmi Awakenings, me regjisor Penny Marshall, që u shfaq në kinema në 1990.
Romani i Keyes-it rrëfen jetën e një Charlie Gordon, 37 vjeç, i diagnostikuar si “imbecil”, me IQ 68 dhe përgjithësisht i prapambetur, i cili i nënshtrohet një operacioni që pritet t’ia rritë inteligjencën. Operacioni është testuar deri më tash me sukses në kafshë, përfshi edhe një mi laboratori, të quajtur Algernon. Pas ndërhyrjes, Charlie arrin një IQ prej 185 brenda tre muajsh dhe jeta e tij ndryshon me rrënjë, edhe pse jo detyrimisht për mirë. Hyn në konflikte të ndryshme me njerëzit që ka pasur rreth vetes dhe, më në fund, e rrëmben miun e mençur Algernon nga laboratori dhe vjen të jetojë me të në Manhattan. Atje edhe fillon të vërejë një rrëgjim gradual në sjelljen e Algernon-it dhe fillon të dyshojë se efektet e procedurës mund të jenë të përkohshme. Ka kohë të mjaftueshme, për të botuar një studim rreth “efektit Algernon-Gordon”, dhe pastaj kthehet në gjendjen e tij mendërisht të prapambetur, si para operacionit.
Filmi Awakenings mbështetet mbi një memuar të Oliver Sacks, dhe rrëfen si mjeku Malcom Sayer (Robin Williams) eksperimentoi me efektet e preparatit L-DOPA, ndaj viktimave të një epidemie të encefalitit letargjik në vitit 1919-1930, të mbetura – që atëherë – në gjendje katatonike. Preparati i kthen të sëmurët në jetë dhe u dhuron atë botë prej së cilës ishin larguar. Njëri prej pacientëve, Leonard Lowe (Robert De Niro), zgjohet prej katatonisë dhe rivjen në normalitet – por, për fat të keq, vetëm për një kohë të shkurtër, për t’u kthyer pastaj sërish në errësirën e sëmundjes.
Tema e të dy veprave është, në thelb, faustiane: një produkt magjik, që premton çlirimin nga një sëmundje a pengesë ndaj super-talentit a fuqisë së epërme, por që rezulton me efekt afatshkurtër dhe me pasoja të kobshme. Ashtu nuk ka gjë për t’u habitur që funksionon si trop në fantashkencë, dhe jo vetëm. Në të njëjtën kohë me Flowers for Algernon, edhe Thomas M. Disch pat botuar Concentration Camp, që rrëfen historinë e një eksperimenti, me një formë të modifikuar të spiroketës së sifilizit, me të burgosurit në një institucion ushtarak sekret; preparati pritet që t’ua rritë këtyre inteligjencën, duke i shndërruar në gjenij. Edhe ky eksperiment dështon – sepse preparati ka për efekt anësor degradimin fizik të subjekteve, duke i çuar brenda pak kohësh në vdekje të sigurt; por këtë herë nuk ndodh ndonjë regres mendor në gjendjen para-eksperimentit, si në dy veprat e tjera.
Gjithsesi, m’u kujtuan këto vepra, sepse mendova që edhe me kulturën ndodh që të kalojë përmes një shkëlqimi – qoftë ky edhe mirëfilli funksional – për t’u kthyer pastaj në “normalitet”; sa kohë që shkëlqimi nuk ka qenë i mbajtshëm (sustainable). “Shkëlqimi dhe rënia” mbetet një klishe narrative e tillë që t’u ketë mbijetuar disa shekujve – duke përcjellë natyrshëm ankthin e flakës që reduktohet pastaj në hi. Kujtoj që në Rusinë e fillimshekullit XX ndodhi diçka e tillë, me fermentime kulturore oqeanike, që përftuan nga një anë modernizmin, futurizmin dhe gjithfarë formash dhe shkollash arti aq revolucionare me efekte që u vazhdojnë deri sot; dhe nga ana tjetër Revolucionin e tetorit, bolshevizmin, dhe më pas stalinizmin, që konsakroi degradimin në banalitet dhe në dhunë.
Por krahasimin fillova ta bëj me kulturën në Shqipëri, që njohu edhe ajo një lloj zhvillimi kompleks në kufi të paroksizmit, gjatë viteve 1945-1990; ku modernizimi organizativ i pashembullt, kryesisht i importuar nga vende më të zhvilluara të Lindjes, prej një elite që kish studiuar atje, u kombinua me totalitarizmin dhe rekrutimin agresiv të artistëve, të intelektualëve dhe të kulturës vetë, për synime mirëfilli politike. Mendova se, përtej natyrës vetvetiu të korruptuar të një kulture që mbahet gjallë e vajiset mirë, për t’u përdorur si armë propagandistike nga pushteti, vetë Shqipëria nuk kish qenë gati për atë alfabetizim kulturor kapilar aq të përshpejtuar, me efekte të ngjashme me ato të një droge a preparati eksperimental.
Vetëm instrumentalizimi politik dhe ideologjik mund ta bënte Shqipërinë – sa për të sjellë një shembull – të prodhonte 14 filma artistikë me metrazh të gjatë në vit, të cilët sot e kësaj dite, për mirë a për keq, vazhdojnë të konsumohen si ushqim shpirtëror surrogato nga publiku. Këtu nuk e kam fjalën për skematizmin e shumë prej këtyre filmave dhe rolin e tyre faktik në mobilizimin dhe indoktrinimin e masave; por për qarkullimin e tyre aq intensiv si produkte kulturore, popullaritetin e tyre dhe aparatin organizator dhe njerëzor, që nevojitej për t’i sjellë dhe për t’i mbajtur në jetë. Dhe nuk kanë qenë vetëm filmat: në Shqipëri shkruheshin dhe luheshin simfoni, shfaqeshin balete dhe viheshin në skenë opera, hapeshin ekspozita masive të arteve figurative, shiteshin libra fiction nga autorë vendës me tirazhe marramendëse. Kjo veprimtari kulturore pa precedent, do të ketë pasur efektet e një droge stimuluese të fuqishme, me koston afatgjatë që po përjetojmë sot.
Tani që stimulimi nuk vepron më, mund të konstatojmë djegien që ai ua bëri membranave të vetëdijes dhe të kujtesës kolektive; aq sa – për ta ruajtur krahasimin me veprat e mësipërme – vendi rrezikon të bjerë në mos në demencë, të paktën në një gjendje të katatonisë kulturore, ku tradita ruhet si ritual i mysët, në rrethanat e humbjes së vetëdijes dhe të pasionit. Nëse regjimi totalitar e stimuloi artificialisht aktivitetin kulturor, duke shpresuar se ashtu do ta arrinte më shpejt indoktrinimin e masave dhe krijimin në epruvetë të “njeriut të ri”, tani operatorëve të kulturës – në mos edhe institucioneve vetë – u duhet të merren me efektet e tërheqjes dhe të rrëgjimit kolektiv; në rrethanat kur shumë formave, që ende mbahen gjallë me injeksione fondesh publike dhe OJQ-sh, po u humbet në mos kuptimi, të paktën domethënia.
Ka një episod në serialin e famshëm komedik “Seinfeld”, kur George Costanza detyrohet të heqë dorë përkohësisht nga seksi, ngaqë e dashura e tij ka mononukleozë; dhe ashtu zbulon se abstinenca seksuale po e ndihmon të bëhet mendërisht më i mprehtë, të mësojë gjëra të reja më shpejt (për shembull, portugalishten) dhe, në thelb, të pësojë një transformim të ngjashëm me atë të heroit të romanit të Keyes-it. Krenar për këto arritje intelektuale, George-i vendos që të mos bëjë më seks dhe ashtu edhe prishet me të dashurën; por pastaj, si ndonjë ish-alkoolist jo shumë i bindur, tundohet nga një kameriere portugeze që takon në bar dhe rikthehet në marrëzitë e veta “normale”. Disa shfaqje e shprehje të kulturës që preferohet sot, nga pasardhësit e publikut të djeshëm të droguar me “domethënie”, më tundojnë të mendoj se ndoshta shpjegimi komedik, sado i thjeshtuar, do t’i përshtatej më mirë rrëgjimit të sotëm; aq më tepër kur njihet mirë seksofobia e regjimit të djeshëm dhe kulti – sado hipokrit – i asketizmit.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
I dituri te zbukuron,por ca "sharlatan"si puna jote Vehbi persiani,vehbi shemtaraqi te bejne te vjellesh qe ne mengjes.Ci ke keto rrokada pa kuptim fare.Art kullture eshte bere edhe ne diktaturat me te egra ne bote dhe askush nuk eshte shqetesuar,perkundrazi ato (veprat)kane ngelur dhe frymezojne miliarda njerez.Ty se c'te grric pseudo shkencetar????
Ju lexoj me vëmëndje, por nuk jam dakort me konluzionet e analizës, mbi laboratorin e socializmit për të nxitur kulturën që do të indoktrinonte masat, por që duke qenë një nxitje artificiale, do të vdiste shpejt për të arritur në gjëndjen e mëparëshme........ . Dhe sipas jush, kjo është gjëndja natyrale, nga e cila nuk do të dalë kurrë!!!???.... Mos ndoshta, ata shkencëtarë që ngritën ato vepra, ato diga hidrocentralesh, atë sistem kullimi dhe vaditje, ishin të parakohshëm . Sot nuk vlejnë, por i kujt është faji që nuk vlejnë. I sistemit të mëparshëm, që i gjeti dhe i arsimoi e i përgatiti forcërisht përpara kohe?..... . Dhe tani u kthyen në gjëndjen natyrale?..... Apo është faji i sistemit të sotëm që ngadalsoi zhvillimin dhe ishte sistemi që u kthye në gjëndjen katatonike!!!??...... . Kështu ndodhi edhe me dhjetra talente të zbuluara në arte e kulturë për të cilat ju flisni....... Zbulimi i tyre nuk u bë si rezultat i të përdhunëshmes. Por i natyrales...... . Vërtet që shumë vepra të tyre mbeten skematike dhe të indoktrinuara, por ka edhe mjaft që i rezistuan kohës dhe do të rezistojnë me mijra vjet..... Monumenti i Nënës Shqipëri në varrezat e dëshmorëve, ato për Skënderbeun, apo kompleksi skulpturor i pavarësisë në Vlorë, e shumë e shumë të tjera do të shikohen edhe pas 1000 vjetësh me admirim. Çfarë ka më pak monumenti Nënë Shqipëri nga Statuja e Lirisë në New York?.... . Apo shumë aktorë, këngëtarë e i strumentistë që nuk kanë qenë aspak më poshtë se shumë homologë të tyre botërorë......... . Pra gjëndja e përgjumur e artit shqiptar sot është gjëndja katatonike, por nuk është gjendja natyrale...... . Gjendja natyrale është ajo e zbulimit të talenteve dhe e punës së tyre ashtu si para 35 vjetësh, në të cilën ata do të kthehen një ditë.
Rrallë herë kam lexuar një shkrim kaq idiot dhe me kaq shumë budallalliqe brenda.
Thank you, Ardi! Shkrim interesant, i shkruar mirë dhe tërheqës. Njerëzit dhe sistemet bëjnë eksperimente, disa prej të cilave dështojnë. Ky artikull që ke shkruar ndoshta flet edhe për njëfarë determinizmi të jetës biologjike ose një lloj "reset"-i ciklik. P.S. Mos ua vër veshin hajvanëve të mësipëm dashakëqinj.