Shqipja e drunjtë (IX)

20 Prill 2026, 11:25Kulturë Ardian Vehbiu

Nga të gjitha foljet e shqipes, jam është më e dobëta dhe ndeshet shpesh në ndërtime të plogëta, me emra veprimi, emra vepruesi ose mbiemra prejfoljorë; ose përdoret në vend të foljeve të tjera, me kuptim më të përcaktuar; prandaj edhe ligjërimi gjithnjë përfiton, në qoftë se bëjmë kujdes për ta mënjanuar.

Krahasoni dy ndërtimet e mëposhtme:

Fshati Gollokamje është i njohur për mikpritjen e banorëve të vet.
Fshati Gollokamje njihet për mikpritjen e banorëve të vet.

Fjalia e parë ka për kallëzues foljen është, të ndjekur nga një mbiemër prejpjesor: i njohur. Nga pikëpamja strukturore, ky ndërtim i përgjigjet pësores së tashme të gjuhëve neolatine dhe anglishtes, ose pësores së gjendjes, në gjermanishte. Përkundrazi, nga pikëpamja kuptimore, i njëjti efekt mund të arrihet duke e zëvendësuar krejt ndërtimin me një folje në pësoren (vetvetoren) e tashme, si në fjalinë e dytë. Nëse dëshirojmë të shmangim edhe ndërtimin me pësore/vetvetore, fare mirë mund ta nisim fjalinë me një kundrinë të drejtë dhe të përdorim formën e vetës së tretë shumës të foljes, në kuptim përgjithësues:

Fshatin Gollokamje e njohin për mikpritjen e banorëve.

(Si pasojë e ndikimit të sintaksës së gjuhëve neolatine dhe të anglishtes, shumë fjali të shqipes fillojnë me kryefjalë – edhe pse shqipja, si gjuhë me rasa, i lejon folësit që, për larmi të shprehjes, t’i nisin fjalitë edhe me kundrina; me këtë dukuri do të merrem veçan një herë tjetër.)

Në të gjithë botën aktivistët rinorë janë të angazhuar në vendimmarrje, në projekte komunitare, në aksione vullnetare dhe të tjera.
Në të gjithë botën aktivistët rinorë angazhohen në vendimmarrje, në projekte komunitare, në aksione vullnetare dhe të tjera.

Dhuna në Mitrovicë ka qenë e dirigjuar nga qarqet në Beograd, thotë ministri serb i Mbrojtjes, Shutanovac.
Dhunën në Mitrovicë e kanë
dirigjuar qarqet në Beograd, thotë ministri serb i Mbrojtjes, Shutanovac.

Më pas Kryebashkiaku ka qenë i pranishëm në disa nga aktivitetet që Bashkia e Tiranës ka organizuar në qendrat kryesore të kryeqytetit.
Më pas Kryebashkiaku ka marrë pjesë
në disa nga aktivitetet që Bashkia e Tiranës ka organizuar në qendrat kryesore të kryeqytetit.

E keqja e ndërtimeve të tilla, është se ia heqin energjinë thënies, duke e shndërruar foljen në ndërtim të vdekur, ose statik, me foljen jam dhe një mbiemër prejfoljor. Gjuha nuk e përballon dot mirë këtë farë kastrimi, sepse natyrshëm priret të komunikojë situata dinamike, ose narrativa; ndërsa folja jam, në kontekste të tilla, vetëm sa atribuon cilësi, duke i paraqitur si rezultate veprimesh tashmë të kryera ose të shuara.

Ka qenë e ftuar në “Javën Shqiptare të Modës” për të kënduar në praninë e shumë artistëve dhe personaliteteve të tjera në hotel Sheraton.
E kanë ftuar në “Javën Shqiptare të Modës” për të kënduar në praninë e shumë artistëve dhe personaliteteve të tjera në hotel Sheraton.

Ti nuk je i lejuar të përdorësh materiale pa autorizimin eksplicit të pronarëve ose autorëve të tyre.
Ti nuk lejohesh të përdorësh materiale pa autorizimin eksplicit të pronarëve ose autorëve të tyre.

Deri edhe shtatë vjet më parë, projektimi i filmave në Afganistan ishte i ndaluar.
Deri edhe shtatë vjet më parë, në Afganistan ndalohej projektimi i filmave (nuk të lejonin të projektoje filma).

Jessica Simpson ka pranuar se ajo në të kaluarën ka qenë e abuzuar.
Jessica Simpson ka pranuar se në të kaluarën e kanë abuzuar.

Edhe për këto ndërtime, vlen po ai arsyetim si më lart – ndërtimi me foljen jam është artificial, i panatyrshëm.

Azizi është mbështetës i kësaj nisme.
Azizi e mbështet këtë nismë.

Kuptohet menjëherë se Azizi, në thelb, nuk është “mbështetës”, në të njëjtën mënyrë sikurse është “burrë”, ose “mysliman”. Azizi vetëm sa mbështet nismën. Prandaj ndërtimi me foljen mbështet nuk ka arsye të zëvendësohet.

Të vërehet këtu dallimi me ndërtime të tilla si:

Alketa është nxënëse e mirë.

Prodhon rezultate absurde; dhe pikërisht sepse këtu emri prejfoljor nxënës në shqipe është distancuar nga folja përkatëse nxë, dhe është specializuar kuptimisht.

Babi ka qenë një përkrahës im gjatë tërë jetës sime.
Babi më ka përkrahur gjatë tërë jetës sime.

Nuk mund të zëvendësohet lehtë me:

Sepse orëndreqës është më e pasur kuptimisht sesa përkufizimi mekanik “ai që ndreq orët”; meqë përkufizohet si “ai që e ka për zanat të ndreqë orët.”

Është mallëngjyese të mendosh që gjuha ime do të dëgjohet në të gjithë planetin.
Mallëngjehem kur mendoj se gjuha ime do të dëgjohet në gjithë planetin.

Ky libër është tërheqës.
Ky libër po më tërheq.

Disa ndërtime në të cilat folja jam ndiqet nga një emër prejfoljor veprimi mund të zëvendësohen, pa problem, me foljen përkatëse:

Ka nga ata që besojnë se arti më i arrirë është rrjedhojë e vuajtjes së thellë.
Ka nga ata që besojnë se arti më i arrirë rrjedh prej
vuajtjes së thellë.

Por kjo nuk ka pse të jetë një pengesë në punën tuaj.
Por kjo nuk ka pse të pengojë punën tuaj.

Fakti që bëhej fjalë për një vizitë të veçantë, në fakt nuk është një justifikim i mjaftueshëm.
Fakti që bëhej fjalë për një vizitë të veçantë, nuk mjafton për ta justifikuar.

Folja jam në ndërtimet e emërzuara shfaqet si efekt anësor i këmbënguljes së folësve për t’i nisur fjalitë me emra prejfoljorë veprimi, duke qenë kjo e fundit veçori dalluese e shqipes së drunjtë.

Le ta ndjekim procesin hap pas hapi:

(1) Çmimet e valutave janë luhatur shumë.

Kjo thënie përshkruan një dukuri të caktuar, ose diçka që u ka ndodhur çmimeve të valutave.

Në një nivel më formal, thënia mund të ndeshet edhe si:

(2) Çmimet e valutave kanë pësuar luhatje të mëdha.

Këtu emri prejfoljor mbetet pjesë e kallëzuesit, duke marrë përsipër peshën kuptimore-leksikore; ndërsa çmimet e valutave vazhdon të jetë tema e fjalisë, ose lënda rreth së cilës po flitet.

Drunjëzimi fillon kur duam ta nisim thënien me togfjalëshin: luhatjet e çmimeve të valutave. Për ta mbyllur një fjali të tillë, jemi të detyruar t’i kërkojmë ndihmë një foljeje që, në thelb, nuk është fare folje – këpujës jam:

(3) Luhatjet e çmimeve të valutave… kanë qenë të mëdha.

Përkundrazi, emërzimi mund të pranohet madje si i detyrueshëm, në qoftë se thënien fillestare (“çmimet e valutave janë luhatur shumë”), duam ta tematizojmë, ose ta përdorim si temë të një thënieje të re:

(4) Luhatjet e mëdha të çmimeve të valutave… i kanë çrregulluar (kanë sjellë çrregullime në) tregjet financiare.

Thënia (4) ende nuk tregon ndonjë shenjë të dukshme drunjëzimi, por prania e emrit prejfoljor në pozicion nistor (tematik) gjithnjë fton për të përdorur këpujën, që këtej:

(4) Luhatjet e mëdha të çmimeve të valutave… kanë qenë shkaku i çrregullimeve (të sotme) në tregjet financiare/janë veçoria kryesore e tregjeve financiare të valutës gjatë këtyre muajve të fundit/janë problemi kryesor me të cilin do të ndeshet Guvernatori i ri i Bankës së Investimeve.

Disa shembuj të tjerë që mund të trajtohen në këtë rubrikë:

Qëllimi i statistikave të Jurisprudencës ka qenë dhe është që të sigurojë të dhëna në fushën e Jurisprudencës.
Statistikat e Jurisprudencës kanë synuar dhe synojnë
të sigurojnë të dhëna në fushën e Jurisprudencës.

Shkaku i përplasjes mes tyre ka qenë një udhëtim i Kullurit në Angli.
U përplasën për shkak të një udhëtimi të Kullurit në Angli.

Përkufizimet vlejnë në fjalorët, në artikujt shkencorë dhe tekstet shkollore, por përndryshe e rëndojnë ligjërimin dhe mund të thjeshtohen, pikërisht duke mënjanuar këpujën është:

ADSL është një teknologji që lejon transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë aksesi.
Teknologjia ADSL lejon transmetim të dhënash me shpejtësi të lartë aksesi.

Ndërmjetësimi kulturor është një profesion që synon të lehtësojë marëdhëniet midis vëndasve dhe ‎qytetarëve të huaj.
(Profesioni i) Ndërmjetësimi(t) kulturor synon të lehtësojë marëdhëniet midis vëndasve dhe ‎qytetarëve të huaj.

“Mourn Their Death” është projekti që ka për qëllim sensibilizimin e njerëzve në lidhje me dhunën që ushtrohet në mbarë botën.
Projekti “Mourn Their Death” ka për qëllim sensibilizimin e njerëzve në lidhje me dhunën që ushtrohet në mbarë botën.

Mekanizmi i këtij zëvendësimi mund të ndiqet në shembujt vijues:

Qëllimi kryesor i organizimit në komunitet, është të ndihmojë njerëzit të identifikojnë nevojat sociale.
Organizimi në komunitet ka si qëllim kryesor të ndihmojë njerëzit të identifikojnë nevojat sociale.

Që një projekt apo program të jetë vërtet efektiv duhet që të sigurojë pjesëmarrjen e komunitetit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet punës në terren.
Që një projekt apo program të ketë (japë) vërtet efekt, duhet që të sigurojë pjesëmarrjen e komunitetit dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet punës në terren.

Banka botërore ka qenë fajtore në krizën e ushqimeve.
Banka botërore ka pasur faj
në krizën e ushqimeve.

Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë kompanitë shqiptare.
Kjo iniciativë ka si objektiv të ndihmojë kompanitë shqiptare.

Shpesh folja jam përdoret për t’i atribuar dikujt një cilësi, të përhershme ose të përkohshme. Shqipja vërtet nuk e ka përkulshmërinë e spanjishtes, që përdor në këto kontekste dy folje të ndryshme, ser dhe estar; por gjithnjë ekziston mundësia që folja jam të zëvendësohet nga një folje tjetër, kuptimisht më e pasur:

Këtë e trashëgon nga babai i saj që ka qenë mësues gjuhe dhe letërsie.
Këtë e trashëgon nga babai i saj që ka punuar si
mësues gjuhe dhe letërsie.

Dyqani i familjes Gokaj në lagjen “Rus” ka qenë si qëndër takimesh për ilegalët dhe militantët e lirisë.
Dyqani i familjes Gokaj në lagjen “Rus” ka shërbyer/funksionuar si qëndër takimesh për ilegalët dhe militantët e lirisë.
Ilegalët dhe militantët e lirisë e kanë përdorur dyqanin e familjes Gokaj në lagjen “Rus” si qendër takimesh.

Në viset e veriut Shurdhi ka qenë demon i rëndësishëm.
Në viset e veriut Shurdhi njihej si/mbahej si
demon i rëndësishëm.

Shpesh këto ndërtime përmbajnë tepëri, dhe togfjalëshat kjo është, ky është, etj., mund të zëvendësohen, duke e riformuluar thënien:

Kjo është një e vërtetë që nuk mund ta mohojë askush.
Këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë askush.

Shumë herë gjatë jetës tuaj jeni pyetur se cili është roli juaj unik në këtë botë.
Shumë herë gjatë jetës tuaj jeni pyetur se çfarë roli unik keni në këtë botë.

Cili ka qenë përkthimi letrar që ju ka lënë më shumë mbresa?
Cili përkthimi letrar ju ka lënë më shumë mbresa?

Sa e vështirë ka qenë për ju…
Sa të vështirë e keni pasur…

Këto ndërtime kanë hyrë së voni nga gjuhët neolatine dhe mund të mënjanohen lehtë:

Por nuk ka qenë vetëm Sinani që është shprehur kundër Dizdarit.
Kundër Dizdarit nuk është shprehur vetëm Sinani.

Në të vërtetë dalja e veprave nga Galeria Kombëtare e Arteve është një histori që ka nisur që nga vitet ’80-të.
Në të vërtetë, historia e daljes së veprave nga Galeria Kombëtare e Arteve ka nisur që nga vitet ’80-të.

Ndërtimet e tipit: që + është + mbiemër prejfoljor shpesh përmbajnë tepëri mund të thjeshtohen duke i mënjanuar krejt dy elementet e para (që + jam):

Kështu, nëse qeveria do të aplikojë taksën e sheshtë atëherë çdo biznes që është i klasifikuar si i madh do të paguajë 10%.
Kështu, nëse qeveria do të aplikojë taksën e sheshtë atëherë çdo biznes i klasifikuar si i madh, do të paguajë 10%.

Disa studiues, që i përkasin rrymës së semantikës së përgjithshme (general semantics), mendojnë se folja jam mund të mënjanohet krejt nga anglishtja, me përjashtim të atyre rasteve kur përdoret si folje ndihmëse (me pësoret), ose në kontekste filozofike. Anglishtja e çliruar nga folja jam quhet e-prime; dhe ekzistojnë tekste të tëra të shkruara ashtu. Sipas entuziastëve të e-prime, në vend që të themi qielli është i kaltër, mund të themi qielli ka ngjyrë të kaltër, qielli më duket i kaltër, ose qielli kaltëron; madje versioni i dytë e shpreh më mirë konceptin dhe ndihmon për të shmangur disa gabime logjike elementare. Nga përvoja ime, mund të them se kur i kam mënjanuar të gjitha instancat e foljes jam në një tekst, teksti vetëm ka përfituar në qartësi, shprehësi dhe zhdërvjelltësi. Provojeni dhe ju si gjimnastikë gjuhësore - nëse nuk po përktheni Heidegger-in.

© 2008-2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

1 Komente

  1. S
    Shkerdhatokracia malokare 7501

    I nderuar z. Vehbiu kësaj i thonë të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë , më vjen për të vjellë kur dëgjoj shprehjen ndjehem i keqardhur si në frengjisht kur shqip themi më vje keq .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje