E shkuara si burim drite për pasardhësit

20 Prill 2026, 09:45Kulturë Nasho Bakalli

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Harilla Bakalli

Hyrje

Me Harillën njihesha mirë, paçka se kur unë u linda emri e tij kishte mëse një vit që  nuk figuronte më në regjistrin e njerëzve të gjallë. Them se njihesha mirë me Harillën ngaqë krahas kujtimeve familjare kam gjetur jo pak materiale arkivore dhe gazeta ku flitej për Harillën, dhe ku Harrilla shkruante për të tjerët...

Veprimtaria e Harillës në favor të shtetit dhe popullit shqiptar fillon nga viti 1914 kur ai sapo kishte mbaruar Kolegjin Tregtar Francez në Selanik, dhe mbaron në 17 shtator 1947, data kur Harillën e larguan tragjikisht nga kjo jetë.

U lind në Durrës në 25.01.1895. Prindërit e Harrillës ishin Athanas Bakalli dhe Llambrini Bakalli (lindur Bakallbashi) të parët e të cilëve kishin ardhur në Durrës nga Berati dhe më herët  nga Voskopoja ku kishin qënë edhe kryetarë të esnafit (rufetit) të bakallëve.  

Harilla u diplomua ekonomist në Kolegjin Tregtar Francez, Selanik, Greqi, dhe më pas mësoi privatisht për gazetari. Ka kryer studime (sipas shkresës zyrtare, foto nr.1) edhe në Akademinë e Athinës. Ai zotëronte gjuhët greqisht, frëngjisht, italisht, dhe gjermanisht.

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Nga korespondenca me kryeministrin Ahmet Zogu

(Fotot 2,3,4,5)

 

Harilla Bakalli ishte afro 20 vjeç kur emërohet kryearkëtar i Shtetit në Ministrinë e Financave të qeverisë së Princ Vidi-it, në Durrës; detyrë të cilën e mbajti vetëm për gjashtë muaj, 17 mars - 3 shtator 1914, aq sa zgjati edhe qeverisja e princ Vidi-it në Shqipëri. Për këtë arësye Harilla u konsiderua nga Rebelët si kundërshtar i tyre dhe u përndoq mbas shtatorit 1914. “…Rrashë therror i detyrës nga Rebelët, dhe që atëhere jetoj jashtë Shqipërisë…” e njoftonte Harilla Bakalli nga Athina, kryeministrin Ahmet Zogu (AMPJashtme, d.16, fl. 15,v.1923).  

 

Në një telegram tjetër  Harilla Bakalli i shkruante mes te tjerave kryeministrit Ahmet Zogu se “…Djallëzia e poshtër e qarqeve këtu, kundërshtare të çështjes tonë, duke mos patur tjetër armë me më luftue përdorën këto kohët e fundit mjetin me më çkreditue pranë Shoqërisë Publicistike Athinë ku unë merresha me punë, me një pagë fort të mirë, e vunë fitat se jam alvanist i rreptë, dhe kështu para tre ditësh u pushova nga puna prej Shoqënisë Publicistike dhe gjendem vërtet papunë. Ju lutem pra Shkëlqesisë Tuaj të më propozojë si sekretar në Legatën Shqiptare këtu në Athinë ku shpresoj se njoftjet personale me qarqet e MPJashtme këtu, dhe kqyrja e lëvizjeve të  Vorioepiriotëve tash gjashtë vite që ndodhem këtu, janë ato vlera që i duhen një sekretari të Legatës këtushme.” (Shiko AMPJ, d.16, fl.,13, v.1923).  

Në përgjigje të sa mësipër kemi shkresën zyrtare, fleta 17, ku shkruhet: “... të përmbushet dëshira e atij (Harilla Bakalli) tue u emëruem në një nëpunësi të meritueshme”. Kryeministri Ahmet Zogu.

E shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësit

Në njërin prej telegrameve me karakter politik që Harilla Bakalli i drejtonte kryeministrit Ahmet Zogu, në 10 shkurt 1923, ai shkruante: “… Deklarata e diplomatit grek… për ne që vërejm për s’afërmi veprat e qeverisë greke, na bën të mendonemi a vjen prej një ndjenje të sinqertë, apo nga puna se orizonti i Lindjes, pas çkputjes së marrëveshjes në Lozanë, po nxihet?”

Nga 26-28 nëntor 1937, nën kujdesin e veçantë të Mbretit Zog, u festua me madhështi 25 vjetori i Vetëqeverimit të Shqipërisë…Në Tiranë erdhën delegacione nga gjithë prefekturat e vendit për të marrë pjesë në këto festime…Delegacioni i Prefekturës së Durrësit përbëhej nga Dilaver Dervishi, Vangjel Manushi, Harilla Bakalli, Ismail Tartari (Shiko: Delegacionet e prefekturave në 25-vjetorin e vetëqeverimit).
 

Shtypi shqiptar në Athinë

 

Gjatë viteve të qëndrimit në Greqi, ku fillimisht u mor me tregëti, Harilla Bakalli i’a doli që të sigurojë statusin e përfaqësuesit të shtypit shqiptar në Greqi, i atashuar pranë Shoqërisë së Publikimeve Athinë. Nga Athina ai shkruajti jo vetëm për fletoret dhe revistat në Shqipëri, po edhe për “Shqiptari i Amerikës”; “Dielli” në Boston të SHBA; “Paqja” në Stamboll, Turqi; etj. Objekt i këtyre shkrimeve ishin kryesisht: - Padrejtësitë e Fuqive të Mëdha, në konferencën e Londrës në vitin 1913, për caktimin e kufijve të Shqipërisë; - Korrupsioni politik që karakterizonte misionin  ndërkombëtar që u mor për 12 vite rresht me shenjimin në terren të kufijëve shtetrorë të Shqipërisë; - Padrejtësitë ndaj Çamëve në Greqi; etj.

Harilla Bakalli shkruajti nga Athina, në 24 maj të vitit 1923, një artikull posaçërish për gazetat “Politika”e Vlorës dhe “Dielli” në  Boston, Amerikë, lidhur me botimin atje të librit “Majat e Shalës” të autores amerikane Rose Wilder Lane, e cila udhëtoi në Shqipëri në vitin 1921. Shkrimi mbyllet me këto konsiderata “…falenderojmë të çquarën Shkrimtarkë, si dhe amatoren e artit fotografik Zonjën Annete Marqise de Chatelard për mundimet dhe peripecitë që hoqën për me shtypur librin ‘Peaks of the Shala’ që do të bëjë të njoftun Shqipërinë në mijëra njerëz të botës qytetruar”.

Në 17 prill 1924 gazeta Politika e Vlorës botoi në krye të faqes së parë një fotografi të Harillës të shoqëruar me këtë tekst “Një nga më të mirët atdhetarë dhe të zgjuar që ka sot Shqipëria, i cili ç’prej fillimit të gazetës s’onë ka qenë korrespondenti ynë në Athinë me pseudonimin ‘Ushtimi i Durrësit’, që ka shkruar një shumicë artikujsh të vlefshëm, veçanërisht për çështjen e të mjervet Çamë…”.(Foto6)

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Mbas përfundimit të misionit diplomatik në Athinë, Harilla Bakalli ishte administrator i gazetës “Shekulli i Ri” të Durrësit. Këtë fakt e mësojmë nga një lajm i gjatë, botuar në gazetën “Shekulli i Ri”, me titull “Prurësit e mesazhit të Barit për mbretin u pritën me entuziazëm nga Bashkia e Durrësit” ku mes te tjerave shkruhej se “Dje në orën 10.oo në Bashkinë tonë u bë një pritje për nder të titullarëve të Shoqërisë Sportive të Barit…Në sallën e Bashkisë i pritën kryetari Omer Strazimiri….. dhe administratori i gazetës tonë (Shekulli i Ri) Z.Harilla Bakalli… Në kohën e shampanjës Z.Harilla Bakalli në emër të Z. kryetar të Bashkisë i përshëndeti sportistët tue falenderue kryeqytetin e Puglies për inspirimin fisnik që pati t’i drejtojë mesazh urimi mbretit të shqiptarëve… Fjalimit të Z. Bakalli iu përgjigjën…” (Foto 7).   

Harilla Bakalli pronar dhe drejtor i gazetës Vullneti i Popullit.

Në 28 nëntor 1929 botohet numuri i parë i gazetës Vullneti (që pak më vonë u quajt Vullneti i Popullit) ku Harilla Bakalli shkruan: “Po dalim në dritë tamam ditën e indipendencës s’onë kombëtare…pse duam t’i tregojmë popullit se ne do të jemi të denjë të ruajmë brez pas brezi këtë indipendencë të shenjtë, të fituar me aq gjak dhe aq sakrifica…”. 

Në faqet e të përditshmes “Vullneti i Popullit” jehonin çdo ditë zëri dhe hallet e vegjëlisë nga Shqipëria e Kosova deri në Çamëri. Gruaja, rinia, shëndetësia, sporti, kultura kishin rubrikat e tyre pothuajse në çdo numër të gazetës. Shumica e shkrimeve firmoseshin nga penat më të ndritura të kohës. At Gjergj Fishta në dyvjetorin e daljes të gazetës “Vullneti i Popullit” mes te tjerash i shkruante Harilla Bakallit se  “…fletorja Juaj, rrotull ktij vjeti, nuk e ka djerrë sysh idealin e vet - të mirën e kombit tonë -…për me vozitë ndër tallazet të vshtira të kohvet e të vendit…përgzohemshi prej zemre me Z. t’Uej…e si fletores, si ju, uroj jetë të gjatë e përparim.”

Kupa: Vullneti I Popullit. Në partneritet me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit në Amsterdam, Holandë, dhe me Gracin, qytet në Austri, Harilla Bakalli organizon për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1931, një veprimtari kulturore sportive në të cilën skuadra kampione nderohej me kupën e shtypit, dhe konkretisht me kupën e gazetës “Vullneti i Popullit”, e cila u fitua nga ekipi i futbollit “Teuta”, Durrës. Interesante për atë kohë është edhe lidhja që Harilla pat vendosur me organizmat e futbollit botëror, si dhe, asistenca e gjithanëshme që ai mori për realizimin me sukses të veprimtarisë në fjalë. Shqipëria në vitin 1931 nuk ishte ende anëtare e FIFA s.

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Skuadra Teuta e Durrësit fituese e Kupës   

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Foto e kupës Vullneti I Popullit

Gazeta Panorama Sport, në datën 23 prill të vitit 2019, mes tjerave shënon “Kështu më 1931 kryetar i komisionit futbollit shqiptar është koloneli Italian Consentini, anëtarë ishin: Petro Korçari i Korçës, Harilla Bakalli i Durrësit, Salvator Kurti i Shkodrës, Jakup Vrioni i Beratit, Ymer Sharra i Vlorës, Bahri Toptani i Tiranës. Njëri më qytetar se tjetri, njëri më me kulturë se tjetri, po dhe përfaqësues të pesë qyteteve tradicionalë të futbollit”….

Censura e shtypit.(Fotot 8,9,10,11.)

Gazeta “Rilindja e Arbërisë” në numërin e saj të datës 18 shkurt 1930 boton në faqen e parë njoftimin “Gazeta ‘Vullneti’ që botohej nën drejtimin e  Zotit Harilla Bakalli e që në këto kohë të fundit kishte ditur të tërheqë interesimin dhe vëmendjen e publikut, u pushua prej guvernës. Gazeta ‘Vullneti’ është pushuar për një kohë të pa caktueme”.

Ka patur edhe një tjetër rast kur gazeta Vullneti i Popullit është pushuar nga qeveria, për një kohë të pa caktuar. 

E shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësit

Në datën 18 prill të vitit 1930, zëvendësministri i Punëve të Brenshme i drejton Bashkisë së Tiranës një shkesë në të cilën shkruhej “Lutemi studioni me interesimin që meriton artikullin e botuem në fletoren Vullneti, Nr. 51, datë 13 prill 1930, nën titullin “Koncesjoni Ujit”. Dhe na epni hollësinat e duhura mbi përshkrimin që bahet”.

Mbas një muaji po zëvendësministri i Punëve të Brendshme ju drejtohet prefekturave Vlorë dhe Durrës, që të studiojnë dhe raportojnë me shkrim lidhur me kritikat e botuara  në fletoren Vullneti, gjatë muajit maj 1930, me titujt: “A ka vallë kontroll”; “Çpikje gjeniale për tu shfrytëzuar”; “Rjepja e Udhtarëve”; “Edhe në Durrës”.

Arësyeja ishin shkrimet që sulmomin direkt korrupsionin e ministrave “kokëtrashë” të qeverisë, si dhe artikujt me kritika aq konkrete sa nuk e kalonin dot censurën e Zyrës të Shtypit të qeverisë.   

Leja për ridaljen në qarkullim të gazetës të Harilla Bakallit ka ardhur, në të dyja rastet e lart përmendura, pas konsultimeve të kryeministrit me mbretin. Ky i fundit e fshihte mjeshtërisht dorën e vet goditëse kundër qeverisë, mbrapa forcës të disa gazetave.

            Ahmet Zogu, mbreti, thërriti në datën 9 tetor të vitit 1930, ora 10.30, në një pritje të posaçme drejtuesit e gazetave të kryeqytetit: Vullneti i Popullit; Ora; Besa; Gazeta e Tiranës; dhe Miku i Popullit. Ishte ftuar edhe drejtori i Gazeta Shqiptare të Barit, Itali. Në foton me titull: Përfaqësuesit e shtypit te mbreti Zog, shkrepur mbas pritjes në fjalë, shihen, nga e majta në të djathtë, zotërinjtë Libohova, Lorusso, Simonidhi, Dibra, dhe Harilla Bakalli.(Foto 12).

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Akti i fundit i lirisë së  gazetës Vullneti i Populli luhet në gjysmën e dytë të vitit 1931.

 Mitat Frashëri, i njohur edhe me pseudonimin “Lumo Skëndo”, kishte një librari diku përballë shtëpisë të “Kacelëve”. Kjo shtëpi katër katëshe ndodhet edhe sot, pothuajse ngjitur me “Hotel Plaza” në Tiranë. Mitat Frashëri ishte beqar. Ai kishte marrëdhënie dashurie me të venë e B.T., dhe sipas fjalëve të kësaj të fundit pritej që “romanca” e tyre të përfundonte në një lidhje bashkëshortore. Ndërkaq zonja T., mëson se Mitati mbante njëkohësisht lidhje dashurie edhe me Znj.V., gruaja joshqiptare e diplomatit shqiptar N. V., i cili pat vrarë veten nga shkaku i gruas së tij të dashur…aludonin gazetat e kohës. Dhe në këto e të tjera rrethana, që kronikat e gazetës Vullneti i Popullit i përshkruajnë hollësisht, Zonja T., e pikëlluar thellë në zemër shkon, në ditën e dytë të muajit qershor të vitit 1931, drejt e tek libraria e Lumos Skëndos dhe i “çjerr” atij maskën e dashnorit të “sinqertë”. Ajo në grindje e sipër me Mitatin nxjerr revolverin dhe kryen vetvrasjen, që për fatin e mirë ishte vetëm një gërvishtje në krah… Kjo tragjedi sa orientale po aq edhe oksidentale, e mbarsur deri në grykë me premtime të ëmbëla dhe pabesi djallëzore, raportohet në faqet e gazetës “Vullneti i Popullit”. Znj.V., e hedh në gjyq gazetën, domethënë pronarin e saj Harilla Bakalli, me akuzën se “…i ishte cënuar nderi vetiak…”. Dhe nga ky moment e tutje filloi “Odiseja” e seancave gjyqësore (Shiko koleksionin e gazetës Vullneti i Popullit, viti 1931).

Në njërën nga disa seancat e gjyqit në fjalë, përpara dhënies të vendimit nga trupi gjykues, avokati mbrojtës Terenc Toçi (avokati i parë i të drejtave dhe lirisë së shtypit shqiptar) deklaroi publikisht, në fjalën e tij të mbrojtjes, se: “…E atëherë, kundrejt shqiptarofiles Znj V, unë çoj në kambë Harrilla Bakallin shqiptar: Shqiptar në Durrës në kohë të Turqis, kur shqiptarizma mund të paguhej me litar; shqiptar n’Athinë … e luftëtar e polemist i rreptë, po n’Athinë.”

Ndërkaq disa shqiptarë, armiq të shtypit të lirë, i afruan Harilla Bakallit dy zgjidhje: burgun, ose mbylljen e gazetës. Trupi gjykues në përfundim të punës se tij vendosi dënimin e Harilla Bakallit me dy muaj burg dhe 700 franga gjobë, nga 20.000 franga gjobë që pat kërkuar zoti Floqi, avokat i Znj.V.

Në datën 24 korrik të vitit 1931 gazeta “Vullneti i Popullit”, në faqen e saj të katërt, boton lajmin me titull “Nisja e zotit Harilla Bakalli”, dhe tekst “Drejtori ynë Z.Harilla Bakalli u nis pardje për në Zvicër, ku, për arësye shëndetësore do  të qëndrojë dy apo tre muaj.” 

Përfundimi. Harilla Bakalli kthehet mbas tetë  apo nëntë muajsh në Shqipëri, nga Zvicra. Ndërkohë gazeta Vullneti i Popullit ishte mbyllur për të mos u hapur kurrë më.

E shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësit

 Harilla Bakalli në Who’S Who

Në botimin e vitit 1933/34 të enciklopedisë prestigjoze VHO’S  WHO - Zyrih, Zvicër – në faqen 51 është përfshirë edhe durrsaku Harilla Bakalli, krahas njerëzve më të shquar nga 17 shtete të Europës. Atje shënohen të dhënat vetiake, dhe postet që ai ka mbajtur në të gjithë rrafshet përbërës të karierës së tij.

 

E shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësit

Në Odën e Tregërisë Durrës

“Lajmërim Me Randësi Të Madhe. Për zotërinjtë tregëtarë, industrialistë, dhe të gjithë ata që ushtrojnë çdo lloj tregëtie qoftë ndër dyqane ose në  sheshe apo ambulante dhe shëtitse. Po vemë re se disa nga të naltpërmendurit s’kanë dijeni për ligjën e re ‘Mbi rregullimin e Tregëtisë, të Zejtarisë dhe të Industrisë që ka hyrë në fuqi qysh prej 1 prill 1932… Durrës 20 qershor 1932. Harilla Bakalli. Komiser i Odës së Tregtisë.” (AQSH. F.860.V.1932.D.2.F.1).

Nëpërmjet këtij lajmërimi - përmbajtja e të cilit është shumë më e gjatë - të firmosur nga Harilla Bakalli mësojmë se ai ishte kthyer në Shqipëri, nga Zvicra, dhe po kryente një detyrë prestigjoze.

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Korespondenti i gazetës Vatra, ne Amerikë, në shkrimin me titull “Shënime për Shijakun dhe Durrësin”, botuar në 21 maj 1933, tregonte se: “Në Odën e Tregëtisë, komiser është Harilla Bakalli, ish koleg gazetar. E di mirë ai pjacën e Durrësit. E di se ka eksperiencë, po ka edhe cilësinë e interesimit dhe të studimit. Pastaj, ai ka shpirt tregëtari modern. Eshtë shumë adapt për këtë detyrë.” Ky shkrim vazhdon me disa pyetje që gazetari i drejton Harilla Bakallit lidhur me problemet e prodhuesve shqiptarë të mallrave për eksport, dhe me përgjigjet e drejtpërdrejta të Harillës.(Më poshtë 2 foto të pjesëshme të shkrimit).

 

E shkuara si burim drite për pasardhësitE shkuara si burim drite për pasardhësit

Këtu po hap një parantezë, me disa nga kujtimet e jetuara të profesorit universitar Konstandin Leka (1932 - 2013), nipi i Harilla Bakallit nga e motra Areti Leka (lindur Bakalli).

            “…Festimi i Vitit të Ri 1938 do te zhvillohej në shtëpinë e vëllait të tij Vasilit, ku jetonte edhe Harilla i pa martuar. Ishin ftuar të gjithë kushërinjtë dhe miqtë më të afërt ku bënin pjesë tregtarë të pasur, mjekë, avokatë, gazetarë të Durrësit që unë i njoh dhe i kujtoj mirë se frekuentoheshim shpesh. Në hapsirën e madhe të sallonit kryesor ishte shtruar një tavolinë shumë e gjatë e plot mezera italiane Arrigoni...

…Disa kamerierë të veshur me të bardha, hynin e dilnin duke sjellë gota dhe pjata. Dajë Harilla drejtonte gjithçka. Në mes të tavolinës të mbushur me pjata të mëdha, lugë, pirunj , thika të argjenta që llamburinin shtrihej një peshk i madh i mbuluar me majonezë të verdhë, i rrethuar me patate dhe ullinj e të tjera, dhe me gojën  e hapur të mbushur me jeshillëk. Më vonë, kur filluam të hamë e mora vesh se ai nuk ishte peshk i vërtetë, por një peshk i formuar prej copa të vogla mishi peshku dhe të mbuluara me majonezë. Një specialitet francez i preferuar nga Daja…

…Por kulmi i festës ishte në orën 24, në çastin e kalimit në Vitin e Ri. Të gjithë ishim të ulur rreth tavolinës pafund. Harilla u vendos pranë çelësit të dritës. Rrotulloi atë dhe e shoi dritën e sallës për disa sekonda. Errësira e dhomës u prish nga disa xixëllima fishekzjarresh që dikush po i lëvizte nëpër dhomë. Sapo u ndez drita unë u tremba nga shpërthimi i tapave të shisheve të shampanjave, që disa kamerierë po hapnin, dhe një brohoritje urimesh  "gëzuar" që shpërthyen nga të gjithë, të cilët kërcyen në këmbë duke trokitur gotat dhe duke u spërkatur me shkumbë shampanje. Kur u ulëm secili gjeti para tij një zarf të ngjyrosur, ku kishte një kartolinë urimi për Vitin e ri dhe një...tullumbace që duhej fryrë…Çdo tullumbace pasi fryhej merrte pamjen e një personazhi të përrallave dhe të filmave... si “I Holli me të Trashin” (Laurel e Hardi), si dhe të gjithë personazhet e Walt Disneit. Nuk mund t’i kujtoj të tërë...Mua më kishte dhënë personazhin e Topolinos....Kurse dikujt që thoshnin se ishte kurrnac...i kishte rënë Xha Paperone (Zio Paperone)!...Në sallën tjetër...mbesa e Harillës, Nini (Llambrinia) i binte pianos dhe të gjithë filluan të vallzojnë... të këndojnë këngët e kohës, por edhe pjesë nga operetat si ato të Shtrausit, romanca nga të Shubertit, Shumanit etj., në italisht, frëngjisht, greqisht etj. Të gjithë ishin laureuar në Perëndim…

Meqë përmenda pianon do të kujtoj se Harilla ishte shumë i apasionuar ndaj muzikës klasike…Kishte një simpati të veçantë për sopranon tonë të mirënjohur të asaj kohe Tefta Tashko Koço. U njoh me të, dhe u interesua të organizohej një koncert i saj në kinema “Gloria” të Durrësit…”

 

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Letra drejtuar artistes së madhe Tefta Tashko Koço.

 

Zonjushë,
Ju falenderoj për kartën tuej të bukur. Ç’ka mujta të bëj për Juve qé kurgja kundrejt kënaqsis shpirtnore që talenti i Juej i rrallë i dhuroi durrsakve, dhe mue gjatë çasteve të Koncertit t’Uej të 8 Dhetuerit.  Ajo darkë ka lanë nji kujtim të pashlyeshëm ndër zemrat e muzikdashësve të këtushëm, të cilët do Ju ishin edhe më mirënjoftës po qé se do t’a përsërisni. Shpresoj se mbas nji ose dy muejsh pjanoja e ime do të ndërtohet në shkallë që të mund të Ju shërbejë për koncertin e ardhshëm. Me rasën e kremtimeve të Krishtlindjes dhe Vitit të ri Ju uroj çdo lumturi dhe përherë sukses.

                                                                                                                                                                                                   Harilla Bakalli

Zonjushës
TeftaTashko
Në Korçë

 “…Një tjetër kujtim... i treguar me shumë humor prej Dajë Harillës… ishte ai që lidhej me kohën kur në Durrës qe përhapur moda italiane e shamive të holla "fantazi" ngjyra ngjyra, si pikturë abstrakte, që vajzat e lidhnin në qafë. Në qendër të Durrësit, në bulevardin e "madh", u hap një dyqan i vogël ku dy djem tregëtonin këtë modë shamiash… Por një ditë, një mik i Harillës paraqitet në zyrën e tij në Bashki dhe i tregon një "leckë" të çngjyrosur keqas. ‘Shiko se si i dolën menjëherë ngjyrat kësaj shamie ‘fantazi’ italiane, sapo u lag nga uji!...’ Harilla, që nuk ia falte mashtrimin askërkujt e mori shaminë dhe u nis drejt e për në dyqanin "fantazi". Tregonte Harilla: "Sapo hyra në dyqan më tërhoqi vemendjen një perde që mbulonte pjesën e prapme të dyqanit. E ngrita perden...e çfarë të shihja!...Katër kuti me bojëra të ndryshme dhe një hekur për të hekurosur. Gjatë natës dy të rinjtë "kokë fantazie" hekurosnin copa nape të zakonshme, pastaj i spërkatnin me bojëra fantazi dhe shamitë ishin gati për shitje…". Sapo u ngrit perdja dy të rinjtë ia mbathën vrapit dhe u zhdukën nga dyqani, por Harilla i njihte mirë familjet e tyre dhe kërkoi që t’iu kthenin të gjitha paratë e fituara vajzave që ishin mashtruar prej këtyre ‘fantazive’ të rreme…”. Po e mbyll parantezën.

 

Periudha nga 1939 deri në vitin 1944. Në jetën e Harilla Bakallit - mbas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste - ndërhyn një faktor i rëndësishëm politik nipi i tij Spiro Bakalli, i cili qysh në vitin 1936 ishte anëtar i celulës së grupit marksist të Korçës në Durrës, dhe në ditët e themelimit të PKSH u zgjodh sekretar politik i PKSH për qarkorin e Durrësit që përfshinte dhe Matin edhe Myzeqenë. Që në pushtimin italian Harilla konsiderohej antifashist, se të gjithë e njihnin si patriot të madh nacionalist. Pas daljes partizan të nipit të tij Spiro atë e ndiqnin edhe si “filokomunist”. Me krijimin e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar për Durrësin Harilla Bakalli zgjidhet nënkryetar i kësaj organizate. Ai strehohej herë pas here, disa netë, në shtëpi miqsh të ndryshëm në Durrës edhe në Tiranë se, siç i thoshte ai vetë të motrës “ishte në rrezik arrestimi”. Harilla përjetonte një kohë Lufte të ngjeshur me aksione antinazifashiste dhe për pasojë në ditën e nëntë të muajit Mars e gjen veten në burg. Harilla u arrestua në vitin 1944 në Tiranë, nga kuislingët e organizatës “Mbrojtja Kombëtare”, e cila “pastronte” elementët e lidhur me LANÇ-in. Më poshtë, me shkurtime, urdhëri i arestimit.

“…. Tiranë, 9 mars, 1944. Nr. 126/2 Prot. …. Mbi arrestimin e Harilla Bakallit nga Durrësi… Bashkë me këtë shkresë nën-vrejtje shoqërohet në atë komandë i quajturi Harilla Bakalli nga Durrësi. Kundra tij të mbahen proceset, dhe ti paraqiten Prefekturës për me ja dorëzue Gjyqit për mbrojtjen e Shtetit. I përmeduri akuzohet:

1) furnizimin ushqimor me shumicë, sheqer, oriz, makarona, e te tjera, të çetës nacional çlirimtare të Myslym Pezës, në kohën kur ishte kryetar i Odës Tregëtare.

2) ka qënë anëtar i Këshillit Nacional Çlirimtar të Durrësit.

Fakte më të plota për këtë akuzë, mund të merrni nga fuqia balliste e Shijakut që ndodhet në Tiranë. Mbasi të marë fund procedimi të dërgohet në burgun politik. Komandati i Qarkut Gjindarmarisë… emëri, firma, vula, etj.”

 

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Foto e origjinalit (AQSH) të urdhërit të arestimit

Ja si i përshkruan Konstandin Leka arestimitn, burgosjen, dhe dënimin e Harilla Bakallit. …Një natë kishim bujtës në shtëpi Dajë Harillën. Ishim duke ngrënë darkë kur u dëgjua një goditje e fortë mbi pllakën e hekurt të portës. Sapo hapëm portën u futën brenda katër burra të lartë, me mjekra, me qylafe të bardhë  dhe të armatosur me automatikë, kobure dhe disa gjerdanë fishekësh. "Kush është Harilla Bakalli?” pyeti njëri prej tyre në mënyrë mjaft të vrazhdë.  Harilla, që ndodhej pranë portës, doli përpara ‘Unë jam’ i tha krejt i qetë. ‘Do të vish me ne vetëm për disa pyetje.’ Harilla veshi pallton dhe u largua mes tyre. Kaloi një orë... asnjë përgjigje…

Më vonë im atë shkoi në zyrën e Xhandërmarisë që kishim përballë. Nuk dinin gjë. Të nesërmen për gjithë ditën ai u interesua nëpër të gjitha zyrat e Xhandërmarisë të Tiranës. Përgjigjeshin prerë se nuk e kishin arrestuar Harillën. Atëhere im atë u këshillua me një korrier të Lëvizjes, që vinte çdo muaj për të tërhequr ndihmat. Ai i foli për një organizatë ilegale ‘Mbrojtja Kombëtare’ që pa pyetur kënd ‘pastronte’ elementët komunistë, dhe ata të lidhur me Lëvizjen. Por për të kontaktuar kryetarin e saj duhej shkuar në hotel Dajti, ku ishte qëndra e gjithë organizatave të kohës. Nga sa na tregoi im atë më vonë, mësova se e kishin drejtuar në një dhomë të Hotel ‘Dajti’ ku nën grykën e një mitralozi të mbështetur me tre këmbë në mes të dhomës, pas një ‘pazarllëku’ të ulët, i kërkuan një sasi floriri për ta liruar Harillën…

Harilla na tregoi se ‘Një ditë në mëngjes vinë në qeli dy vetë që e ngrejnë peshë dhe e trasportojnë në një veturë. ‘Shpëtove! Tani do të të çojmë në shtëpi!’ i thanë duke qeshur gjithë ironi. Por vetura mori rrugën jashtë Tiranës për nga Bregu i Lumit…’

Po e çonin për ta pushkatuar, por pas disa kilometrash vetura bëri një gomë dhe në mes sharjeve të xhandarëve u kthye me vështirësi prapa për të riparuar gomën. Pikërisht, në mbrëmjen e kësaj dite im atë, Minella, kishte dorëzuar florinjtë në hotel ‘Dajti’, dhe Harilla shpëtoi nga pushkatimi… Na e ‘dorëzuan’ më shumë të vdekur se të gjallë në një rrugicë të Pazarit të Vjetër… Pas kësaj ngjarje, ai kaloi në zonën e çliruar, dhe u takuam me të vetëm mbas çlirimit të Shqipërisë...”

Vitet 1945 -1947

 

“Një liman që nis jetën...Një nga limanet më të rrënuara të Europës… Një mol i ri i ndrequr brenda pak ditëve… Dy vaporë aleatë që vijnë… Dyzet të internuar nga gjermanët kthehen në atdhe...”.Harilla Bakalli përgjegjës i limanit dhe ing. Theodhor Sima, që është dërguar prej Botores (Ministria e Punëve Botore) për ndreqjen e shpejt të magazinës të madhe, janë në molin e rindërtuar bashkë me disa përfaqësues të Ministrisë të Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrisë të Asistencës Sociale, që presin personelin e L.M. (Ndërlidhja Ushtarake e Ndihmave Aleate).” Me këto e të tjera fjali të vrullshme shkrimtari i mirënjohur Petro Marko e përshkruante përtëritjen e limanit të Durrësit në një reportazh besimndjellës botuar në maj të vitit 1945 në gazetën “Bashkimi”, kryeredaktor i së cilës Petro Marko ishte.

E shkuara si burim drite për pasardhësit

Foto e reportazhit të PetroMarko

Po Kostandin Leka, atëhere katërmbëdhjet vjeç, si e perceptonte përtëritjen e limanit të Durrësit në unitet me figurën e Dajës së vet?       

“…Gjatë kësaj kohe unë dhe familja ime kishim lidhje të shpeshta me burgjet e qytetit… Çdo mëngjes do i dërgoja ushqimin tim eti (Minella Leka) në burgun brenda në qytet, në bastionin e parë venezian, në fillim të rrugës së Vilës Mbretërore. Pastaj një herë në javë duhet të shkonim familjarisht në burgun e madh të kriminelëve jashtë qytetit, për të parë Vasil Bakallin, vëllain e Harillës. Po në këtë kohë m’u shtua dhe një tjetër ‘shërbim’, dërgimi i drekës dajë Harillës në port se ai nuk arrinte të vinte në shtëpi…

…Një ditë u çmenda nga gëzimi... Daja nuk ishte në zyrë dhe roja me lejoi të afrohesha në buzë të detit ku do e gjeja atë…Dhe pas pak u duk një barkë e madhe me motor … e mbushur deri lart me arka të mëdha UNRRA. Mbi arka, një burrë i imët në këmishë e mëngëpërveshur, që mbahej në litarët e dyrekëve si Sandokani i Salgarit - Daja im Harilla! Siç tregonte dhe vetë ai, duhej të ishte gjithmonë në krye të shkarkimit të mallit, që të mos lejonte asnjë abuzim. Më falenderoi që i solla ushqimin dhe u ul në një gur të skelës së shkatërruar për të ngrënë drekën…”

“…Një mëngjes u zgjova i trembur - tregonte Kostandin Leka - nga të qarat me dënesë të gjyshes dhe të nënës sime të përqafuara me njëra tjetrën. ‘Mbrëmë e morën Dajën’ më tha në mes lotëve nëna. Fjala ‘e morën’ në atë kohë ishte një lloj ‘zbutje’ e fjalës së llahtarshme ‘arrestim’…Mua m’u ndryshua ‘drejtimi’ i dërgimit të drekës për Dajë Harillën. Nuk shkoja më në port, por në Degën e Brendshme të Durrës.

Ndërsa ishte përgjegjës i limanit të Durrësit dhe njëkohësisht i ngarkuar për menxhimin e ndihmave ushqimore dhe materiale nga UNRA(United Nations Relief and Rehabilitation Administration) Harilla Bakalli arestohet, në fillim të vitit 1947, me akuzën “agjent anglo-amerikan”! (sipas protokollit të mbledhjes të organiztës të PPSH të Skelës Durrës).           

Gjatë torturave në një nga qelitë e Degës së Punëve të Bredshme, Durrës, Harilla jep shpirt në duart e xhelatëve, i pa gjykuar. Ngjarje kjo e dëshmuar jo vetëm nga familjarët e Harillës po dhe zyrtarisht, si dhe në librat me kujtime të shkruajtura nga të burgosurit që ishin në atë kohë në të njëjtën qeli me Harillën. (M.Kokalari. Si lindi partia socialdemokrate, f.75). Këtë ngjarje fatale dhe të paharuar e përkujtonte me liri të plotë, më mirë se askush tjetër, vetëm  Kostandin Leka.

…Ishte e mërkurë, 17 shtator 1947, ajo ditë kur unë vura re se nga fundi i rrugicës po afrohej një karrocë transporti e tërhequr me kalë dhe me rrota hekuri… Para karrocës ishte një burrë kokëulur…E njoha, ishte kushëriri ynë doktor Dhimitër Vokopola. Edhe ai më njohu dhe më bëri me shenjë që të afrohesha... Më përqafoi me shumë dashuri dhe me dhimbje më pyeti ‘A është gjyshja Areti në shtëpi?...ja...po i sjellim Harillën e dashur!’ dhe hodhi sytë nga karroja. Unë ngriva në vend…

…Trupin e Dajës, si për lojë të fatit, e shtrimë në një krevat në mes të dhomës së madhe, ku ai disa vite më parë organizonte festat e mëdha të stilit europian…

Sa e vështirë qenka dhe është të jesh shqiptar, që të sakrifikohesh deri në vdekje për vendin tënd!...”.  

 

E shkuara si burim drite për pasardhësit

 

 

 

Lini një Përgjigje