
Nën titullin “Përballë së keqes”, një nga ekspertët më të mirë të luftës kundër krimit në Shqipëri, pasi i provoi të gjitha brenda pak muajsh (1991-1992): nga posti i zv-ministrit, pastaj ministër, deri në qelitë e Burgut të Bënçës, nga privimi i lirisë personale te represioni familjar, Aredin Shyti publikon kujtimet dhe refleksionet e tij për tranzicionin politik nga totalitarizmi në demokraci. Përmes fakteve, dokumenteve dhe ekspertizës juridike, autori u bën "autopsinë" dy ngjarjeve që përcaktuan jo vetëm fatin e tij por edhe fatin e regjimit të ri të ardhur me potere të madhe nën sloganet “liri-demokraci" (Dhe duhet kujtuar se pothuaj të njëjtin fat, burg ose harresë, patën të 3 oficerët e policisë që u thirrën me lutje dhe urgjencë nga politika, nën etiketën e “ministrave teknikë”, për disa javë brenda një viti (1991-1992), aq sa për të stabilizuar rendin dhe rehatuar në pushtet kastën e re: Aredin Shyti, Bajram Yzeiri, Vladimir Hysi).
Ngjarja e parë është protesta e përgjakshme e 2 prillit 1991 në Shkodër, ndodhur fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të para demokratike, kur opozita (PD e Sali Berishës) nuk mori dot “me goditjen e parë” rezultatin që dëshironte. Kurse pjesa e dytë e librit i kushtohet të ashtuquajturës organizatë e “Hakmarrjes për drejtësi” që, sipas atyre që e shpallën nga zyrat e pushtetit në prag të zgjedhjeve të radhës , ishte “krijuar nga djemtë e A. Shytit”, babai i të cilëve gjendej prej vitesh në burg me akuzën dhe vendimin e paracaktuar “vrasje me dashje”.
Një galeri personazhesh të politikës dhe drejtësisë, nëpunës dhe zyrtarë të thjeshtë të shtetit shqiptar apo funksionarë fodullë e militantë të llum-lumpenit bëhen pjesë e jetës së autorit. Edhe pas 30 e ca vjetësh ende nuk janë zbuluar vrasësit e protestuesve shkodranë; kush e organizoi rebelimin dhe pse, kujt i interesonte vrasja e protestuesve; cili ishte roli Azem Hajdarit, Pjetër Arbnorit, Ali Spahisë në këtë ngjarje? Si ndodhi rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, pse Ramiz Alia u takua me urgjencë me oficerët në Ministrinë e Brendshme, cili është roli i Neritan Cekës për uljen e tensionit pas lajmit “për vrasjen e Ramiz Alisë”, si u dogj klubi i Ministrisë së Brendshme apo si ndodhi “revolta” në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Aredin Shyti jep përgjigjet e tij në libër. Një vëmendje e posaçme i kushtohet gjyqit kundër drejtuesve të policisë së Shkodrës dhe autorit për vrasjen e të rinjve shkodranë: cilët ishin prokurorët, hetuesit, gjyqtarët dhe dëshmitarët: pse dhe si u përdorën ata nga politika dhe pushteti. Përse u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm, Maks Haxhia?
Një kapitull më vetë në libër i kushtohet të ashtuquajturës “Organizata e Hakmarrjes për Drejtësi”, gjoja e krijuar nga djemtë e autorit, Leart e Orik Shyti. Sipas dëshmive e fakteve pa fund që ofron libri, kjo ishte seanca e dytë e hakmarrjes së Sali Berishës në funksion të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit me çdo kusht e mjet. Është interesant një fakt i thjeshtë i vënë në dukje në libër: “Masakra e Shkodrës” apo “Hakmarrja për Drejtësi” “hidhen në veprim” në prag të të rotacionit politik. Dhe jo vetëm pushteti, por edhe faktorë të tjerë, si të ashtuquajturat “institucione të shoqërisë civile” apo media, shfaqen lehtësisht apo qëllimisht të manipuluara prej pushtetit apo shitblerjes. Autori shkruan në hyrje të librit “Përballë së keqes”: “Lexuesi le të gjykojë mbi të vërteta të dokumentuara pse mbeti në terr mekanizmi i kryerjes së vrasjeve në 2 prill 1991, si dhe autorët e këtyre vrasjeve. Periudhat me rend të trazuar bëhen inkubatorë për veset dhe, në kushtet që veset buisin, e vërteta martirizohet e para dhe me sukses, ndonëse përkohësisht”.
Shkurt, për ta përmbledhur me dy fjalë; nëse doni një arsye plus për të mësuar pse degradoi aq shpejt qeverisja e Sali Berishës dhe pse demokracia shqiptare është në këtë gjendje ku është lexoni refleksionet e Aredin Shytit. Pastaj do të thoni pse është kaq e vonuar reforma për drejtësi dhe pse shpallen kaq vonë dhe kaq me kursim “Non gratat” në Shqipëri.
*www.botimenaimi.com
Ka 30 vjet qe kerkohet Avni Rustemi. Eshte e vetmja zgjidhje per heqjen qafe te ESali Berish Toptanovic.