Sopranoja Nina Muho rrëfehet: Pata një lidhje që nuk zgjati shumë, por është rikthyer tani pas 20 vjetësh...

11 Shkurt 2026, 15:18Kulturë TEMA
Sopranoja Nina Muho rrëfehet: Pata një lidhje që nuk zgjati

Ndërsa Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëhet gati të ngjitë në skenë kryeveprën komike të Gaetano Donizettit, “L’elisir d’amore” në datat 11 deri më 14 shkurt, protagonistja kryesore, sopranoja Nina Muho, ka zbuluar se kjo opera është pasqyrimi i një momenti magjik që po jeton jashtë skene. 

Në një bisedë të sinqertë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, Nina ka rrëfyer se ky vit ka nisur nën shenjën e dashurisë, duke e cilësuar këtë periudhë si “shumë të mirë” nga ana personale.

Historia që sopranoja ndau me dëgjuesit ngjan me skenarin e një romance. Bëhet fjalë për një lidhje që nisi kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe, studente në Universitetin e Arteve. ​“Pata një lidhje që nuk zgjati shumë, por është rikthyer tani pas 20 vjetësh. Është historia më e bukur që mund të kem përjetuar ndonjëherë. Kur diçka shtrihet në kohë ka surpriza, emocione, kujtime, aromën e moshës së dikurshme dhe të tanishme”.

​Rikthimi erdhi përmes një pyetjeje të fortë: “Nëse do të ishe kthyer mbrapa në kohë a do kishe diçka që do doje ta ndryshoje?”. Nina pranon se kjo ishte e vetmja gjë që do të donte ta fillonte nga e para. Megjithëse partneri i saj nuk i përket botës së artit (ndonëse dikur luante kitarë dhe e dashuron këngën), ai është bërë muza e saj kryesore.

​​Ky moment emocionues ka shërbyer si frymëzim për rolin e Adinës në operën e Donizettit. Nina shpjegon se ndihet shumë e ngjashme me personazhin në këtë fazë të jetës.

“Adina në këtë periudhë më ngjan pak. Është një personazh që zhvillohet në operën ‘Eliksiri i dashurisë’ sepse nis si një vajzë pak a shumë si unë kapriçoze që ndoshta i nënvlerëson pak djemtë sepse është e tërhequr nga meshkujt që i japin siguri. Në fund dashurohet me Nemorinon, një djalë i thjeshtë të cilin ajo gjithmonë e ka pasur shumë xhan, por e ka nënvlerësuar sepse e ka parë si një djalosh pak më të butë. Por është pikërisht ai që me pafajësinë e tij i zgjon ndjenjat e dashurisë Adinës. Kur gjërat ndodhin në pafajësi dhe me sinqeritet, çfarëdolloj rrugëtimi të kesh bërë, kur rikthehesh në këtë pikë aty ndalon”.

Kjo operë është një mozaik njerëzor që zhvillohet në mjedisin e ngrohtë të një fshati të vogël. Gjatë intervistës, Nina bëri një zbërthim të personazheve që rrethojnë botën e saj në skenë. ​Adina, një vajzë karizmatike, e sigurt në vetvete dhe mjaft kapriçoze. Ajo nuk i merr gjërat shumë seriozisht në fillim dhe shfaqet si një natyrë që tenton t’i nënvlerësojë pak djemtë, duke u tërhequr fillimisht nga siguria që ofrojnë burrat autoritarë. Nga ana tjetër është ​Nemorino, një djalë i thjeshtë dhe i butë, të cilin të gjitha vajzat e përshëndesin. Nina shpjegon se Adina e ka pasur gjithmonë “shumë xhan”, por e ka parë me nënvlerësim derisa pafajësia e tij i zgjon ndjenjat e vërteta. Një tjetër personazh është Belkore, rreshteri arrogant dhe i sigurt, i cili përfaqëson atë lloj mashkulli që beson se mund t’i bëjë vajzat për vete me lehtësi. Si dhe Dulkamara, i cili duke u përpjekur të gjejë vendin e tij në këtë grup shoqëror, shpik “eliksirin e dashurisë”.

Për Ninën, Donizetti është kompozitori i duhur për zërin e saj. “Jam vokal liriko-puro me axhilitet dhe më rrinë jashtëzakonisht mirë veprat e tij”, shprehet ajo, duke shtuar se teknikisht ndihet në formën e saj më të mirë. “Më është dashur vetëm të përthyhem nga Nina e operave dramatike në Ninën e një opereje më komike, në një vajzë delikate, këmbëngulëse dhe kapriçoze”.

​​Sopranoja vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me regjisorin Riccardo Canessa dhe dirigjentin Jacopo Brusa, duke theksuar se atmosfera në prova ka qenë speciale.

​“Nuk ka gjë më të bukur se sa të këndosh për dashurinë, të frymëzohesh nga dashuria. Shfaqja ka ardhur në momentin e duhur.”

Për publikun që do të ndjekë shfaqjen, pika kulminante për sopranon mbetet momenti i fundit, ku Adina “shpërthen” dhe i tregon dashurinë Nemorinos. Një shpërthim që, këtë herë, Nina Muho do ta sjellë me vërtetësinë e dikujt që e ka gjetur eliksirin e saj të vërtetë pas 20 vitesh. A.K./TemA

Lini një Përgjigje