Nga Albert Vataj
Në një përpjekje për të përjetësuar në një monument, gjigandin e kurajës intelektuale dhe babai e psikoanalizës, Cvajg, pena më e mprehtë e kapërcyellit të shekujve, e solli Frojdun në kohën tonë me një frymëmarrje pluskuese, në një det gjigand ndryshimesh dhe mendjesh të dritura.
Masa më e sigurtë e çdo force është qëndresa që ajo mposht.
Pas një përmbytje, ajo që zgjohet është përtëritja, është krijimi, gufimi i një epoke të re dhe çelja e një stine të dëshiruar për pranverën, lulet dhe kaltërsinë e kthjellët të qiellit.
Ndërsa rëndte, bota shembej nga pas, e mbi gërmallat e asaj kohe që druhej nga instinktet njerëzore, nga deshifrimi i këtij rebusi ku mbante brenda vetvetes zanafillën e jetës.
Ishte ai, Zigmund Frojd, i cili guxoi si kurrkush, u sulmua si asnjë tjetër më parë dhe triumfoi mbi një epokë, mbi gjithë atë lukuni moralistësh që skërmisnin dhëmbët e jargnin, ndërsa ngulmonin dëshpërimisht të mbronin më thonj e me dhëmbë atë kështjellë morali sharlatan.
Cvajg shpaloi në veprën e tij, jo vetëm dritën e kësaj mendjeje që hyri më thellë se askush në nënvetëdijen e errët të njeriut, por fshikulloi pa mëshirë mendësinë e një epoke që gëlonte mes rrënojave të shtirjes dhe manipulimit.
Lini një Përgjigje