Stërgjyshja ime dhe Platoni

29 Maj 2026, 12:08Kulturë Ardian Vehbiu

Duke lexuar një ese të Fatos A. Koplikut për besën si logos, ndesha aksidentalisht në një thërrmijë filologjike për mua deri atëherë të panjohur dhe që tani më ndihmon të kuptoj diçka më shumë nga mjedisi ku jam rritur.

Stërgjyshja ime, Aneja, e lindur nënshtetase e Perandorisë Osmane por që pastaj e mbylli jetën në një shtet aq të izoluar sa Shqipëria totalitare e Enver Hoxhës, më quante ndonjëherë, me përkëdheli, eflatún; në mendjen time, kjo fjalë sillte me vete një konotacion të shkëlqimit të kombinuar me shpejtësinë, si cilësi gati apolloniane.

Por zbulova tani falë Koplikut – se nuk e paskësha ditur – që kjo eflatun në metafizikën dhe alkiminë mesjetare arabe dhe persiane e paskësh origjinën te Platoni; kalimi nga Platon Aflatun/Eflatun është fonetikisht i rregullt, me një zanore prostetike të shtuar.

Në turqishten e sotme, eflatun shënjon ngjyrën e purpurt, ose vjollcën e çelët – me gjasë, lidhja semantike kalon përmes simbolizmit të ngjyrave në alkiminë islame, ku disa nuanca ngjyrash komplekse emërtoheshin në kontekstin e kulteve filozofike, ku figura si Platoni mvisheshin me autoritet mistik dhe mishëronin harmonitë kozmike.

Kjo alkimi islame – si dije që u dha kulturave europiane edhe vetë termin kimi – e trashëgoi simbolizmin kromatik nga filozofia helenistike, hermetizmi i antikitetit të vonë dhe – këtu gjërat bëhen edhe më interesante – nga metafizika dhe misticizmi sufi.

Në të folmen e qytetit të Gjirokastrës, si në të folme të tjera të shqipes (shih Fjalorin e Orientalizmave të Dizdarit për më shumë informacion), Eflatun si epitet miklues a përkëdhelës do të ketë ardhur nëpërmjet teksteve të larta mistike dhe poetike në persishte dhe në arabishte, pa përjashtuar këtu poezinë shqipe të bejtexhinjve që pat qarkulluar gjatë në Gjirokastër (të paktën dy shekuj). Siç e vëren Dizdari, krahas Eflatun-i iláhi (Platoni i hyjnueshëm) shpesh është dëgjuar edhe Eflatun-i cihán, “ma i madhi dijetar i botës.”

Stërgjyshja ime nuk dinte shkrim e këndim, por ishte rritur në një botë të kultivuar, ku dija –religjioze dhe laike – përcillej gojarisht edhe nëpërmjet kulturës ndonjëherë sekrete të mjediseve bektashi. Edhe pse ajo me siguri nuk e ka ditur që ky Eflatun ishte emri i një filozofi grek të lashtësisë, e ka ndier elegancën, rafinimin, shkëlqimin dhe bukurinë e kultivuar që i bashkëlidhej atij cilësimi, të cilat pastaj i ka përcjellë, me një akt bekimi, edhe te stërnipi i vet.

Prandaj edhe e përdorte si një fjalë me denotacion të dobët (fuzzy), por me konotacion të ngjeshur.

Në ligjërim, epiteti mbetej i izoluar; stërgjyshja do të më quante “eflatun!” thjesht për të shprehur dashurinë që ndiente për mua, ose e shumta do të thoshte “të kam eflatun, të kam!”, por nuk do ta ngërthente fjalën në ndonjë fjali. Eflatun mbetej një formulë afektive, që u referohej – nëse mund të shprehem kështu – cilësive estetike të urtësisë së rafinuar.

Në vetvete, fjala është dëshmi e qarkullimit jo vetëm gjeografik, por edhe vertikal të fjalëve dhe të vlerave semantike brenda një hapësire shumë-përmasore aq të gjerë sa ajo osmane; sepse të merren mendtë po të përfytyrosh si ka përfunduar një term aq i lartë dhe i sofistikuar i filozofisë dhe i misticizmit islam në gojën e një gruaje gjirokastrite të fundshekullit XIX, pa ndërmjetësinë e rrugëve konvencionale të transmetimit të kulturës, si shkollat mësuesit dhe librat.

Dukuria të fton gjithashtu të pranosh se, kur vjen puna për orientalizmat në shqipe, fakti që kanë hyrë dhe i kanë dëbuar, ose që rezistojnë ende në skutat e përdorimit vulgar nuk është aq me interes për historinë e kulturës shqiptare, sa gjurmimi i kujdesshëm i ndryshimeve kuptimore që ato fjalë kanë përjetuar në gojën e marrësve folës të shqipes. Që Platoni i qytetërimit klasik fqinj të ketë ardhur te ne edhe si Eflatun, kjo dëshmon si qarkullimi i kuptimeve dhe përshtatja e tyre nuk është ndalur përballë gardheve etnike, politike dhe religjioze. Mjaft të vihet re që në turqishten e sotme e njëjta fjalë përdoret për të shënjuar ngjyrën e purpurt, madje ashtu e regjistron për atë gjuhë edhe Sami Frashëri, si “eflātūnī: një ngjyrë midis lilasë dhe të purpurtës, me nuanca të kuqërreme.”

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

3 Komente

  1. O
    O Zot cfare tjeter do te na shohen site....

    Nuk e di o Mero djali nese ndjehesh "krenor " per keto karlliqe arabesh qe shkruhen nga birazeret keto kohet e fundit.......!?

    Përgjigjjuni
    1. S
      Shiko qarte

      Plako, e ka shkruar Vehbiu jo Mero. Paske probleme me leximin

      Përgjigjjuni
    2. F
      Fieri k/ qytet i laleve

      Filloi gara e gjysheve e stergjysheve " intelektuale" te Perandorise Osmane.., te izoluara ne Shqiperine komuniste.(!!) Plasen gjyshet.... Pse vetem Lea Ypi ka gjyshe poliglote(??!) Ka edhe ky A.Vebiu, Edi Rama( qe mori leje ne Vatikan per tu martuar me ortodoks)... Hajde gjyshe hajde...kane kulture ca e ca.....

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje