Teatri i Kukullave në Lezhë, fëmijët argëtohen me interpretimet dhe botën magjike të kukullave

28 Gusht 2025, 10:13Kulturë TEMA
Teatri i Kukullave në Lezhë, fëmijët argëtohen me

Në vijim të turit veror nëpër Shqipëri, Teatri Kombëtar i Kukullave ndaloi në qytetin e Lezhës, duke dhuruar një mbrëmje të veçantë për më të vegjlit. Mbrëmja e organizuar në ambient të hapur u shndërrua në një festë të vërtetë për fëmijët, të cilët u argëtuan dhe përjetuan emocione të shumta përmes interpretimit të aktorëve dhe botës magjike të kukullave.

 “Qëllimi i aktivitetit është të sjellim sado pak te fëmijët argëtim nëpërmjet Teatrit të Kukullave, një mesazh nëpërmjet shfaqjeve dhe t’ua bëjmë pak pushimet e verës sa më interaktive me shfaqje teatrore”, deklaroi aktori Florjan Kokona.

Qëllimi i kësaj shfaqje është të edukojë dhe argëtojë fëmijët. Ne kemi ardhur në disa qytete të Shqipërisë, jo vetëm në Lezhë por edhe në Shkodër, Vlorë e shumë qytete të tjera”, tha aktorja Esi Kame.

Aktiviteti u prit me entuziazëm nga prindërit dhe fëmijët, të cilët patën mundësinë të shijojnë një shfaqje cilësore, edukative dhe argëtuese. Aktorët e teatrit sollën në skenë personazhe shumëngjyrëshe dhe histori plot fantazi, duke krijuar një përvojë të paharrueshme për të vegjlit.

Ky tur veror synon të sjellë artin e kukullës sa më pranë publikut fëmijë në qytete të ndryshme të vendit, duke nxitur kulturën, kreativitetin dhe dëshirën për të frekuentuar shfaqjet teatrore që në moshë të vogël.

Gjatë këtij sezoni veror Teatri Kombëtar i Kukullave ka udhëtuar në disa qytete të Shqipërisë, duke i kthyer mbrëmjet në kujtime të bukura për fëmijët.

- RTSH-

Lini një Përgjigje