Teatri Metropol u prezantua me veprën “Gjysmë-jeta e Marie Curie”, në Skupi International Theatre Festival 2025, në Maqedoninë e Veriut.
Kjo vepër prekëse hedh dritë mbi periudhën e vështirë të jetës së shkencëtares së jashtëzakonshme Marie Curie, pas zbulimit të radiumit dhe poloniumit dhe pas humbjes tragjike të bashkëshortit të saj, Pierre Curie.
Nata e rezervuar për Teatrin Metropol pati pjesëmarrje të madhe nga publiku, plot energji dhe ndërveprim. Teatri Metropol shkëlqeu, duke fituar çmimin “Luran Ahmeti”, mes shumë pjesëmarrësve të tjerë të talentuar.
Shfaqja tregon përballjen e saj me sfida profesionale dhe personale, në një botë ku arritjet e grave shpesh minimizohen dhe paragjykohen. Drama eksploron edhe skandalin publik me të cilin u përball Curie, duke vënë në qendër vendosmërinë e saj për të ruajtur integritetin dhe dinjitetin, si shkencëtare dhe si grua.
Drama “Gjysmë-jeta e Marie Curie” nga Lauren Gunderson me regji nga Armela Demaj u shfaq premierë në mars 2024 në teatrin Metropol në Tiranë, me interpretimin e Yllka Mujos dhe Armela Demajt. /atsh/
Lini një Përgjigje