“The Unknown”, performancë hip-hop nga balerinët e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit

25 Tetor 2025, 16:06Kulturë TEMA
“The Unknown”, performancë hip-hop nga balerinët e

 Në Galerinë e Artit Bashkëkohor të Tiranës (GOCAT) u zhvillua mbrëmjen e djeshme performanca 20-minutëshe “The Unknown”.

Artistët performuan hip-hop me ritëm, forcë si dhe improvizim, duke transmetuar një formë arti bashkëkohor. Shfaqja u realizua në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit të Tiranës (IDFT) dhe ishte konceptuar posaçërisht për Galerinë GOCAT. Performanca bëri bashkë koreografen Sandrine Lescourant dhe muzikantin Abraham Diallo, në një krijim ku kërcimi, fjala e folur dhe muzika e luajtur krijuan marrëdhënie të drejtpërdrejtë me artet pamore.

Në këtë prezantim, Lescourant dhe Diallo u shoqëruan nga një prej pjesëmarrësve shqiptarë të punëtorisë së tyre dhjetë-ditore dhe performancës publike “Blossom”, duke e lidhur në këtë mënyrë veprën e tyre me qytetin dhe duke i dhënë asaj një prani të prekshme lokale.

International Dance Festival of Tirana është në ditët e tij të fundit. Ai nisi në datën 9 tetor dhe do të ketë performancën e fundit nesër (25 tetor). Drejtori i tij artistik,
Angelin Preljocaj thotë se nëpërmjet prizmit të kërcimit, IDFT synon të nxjerrë në pah diversitetin dhe inovacionin duke ofruar nje program unik dhe ekletik.

/atsh/

Lini një Përgjigje