Nga prof. Blendi Lami
Nëse do ta përshkruaja me pak fjalë, Aladin Stafa është ai djalë që sapo ka dalë nga auditorët me një diplomë në ekonomi ndërkombëtare – dhe me një grusht idesh që nuk rrinë dot të mbyllura në kapakun e tezës. Është si ai studenti i ri që sapo ka mbaruar maratonën e parë, por në vend që të pushojë, niset menjëherë për një garë tjetër: kësaj here në fushën e analizës shoqërore, politike e kulturore. Me humor të hollë dhe kurajë për të bërë pyetje zhbiruese, ai hyn në botën akademike – pa droje, por si dikush që ka diçka për të thënë – dhe që di si ta thotë.
Vërej disa elemente – do t’i kuantifikoj në mënyrë arbitrare në pesë – (sepse janë më shumë) që karakterizojnë profilin e Aladinit: aftësia për analizë kritike dhe reflektim, vështrim ndërdisiplinor, ndjeshmëria ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, stili narrativ i rrjedhshëm dhe komunikues, si dhe këmbëngulja për çështjet e identitetit dhe vizionit shoqëror
- Analizë kritike dhe reflektuese
Aladini ka aftësi për të vëzhguar dukuri shoqërore, politike e ekonomike dhe për t’i analizuar ato në mënyrë kritike. Teksti i tij mbi censurën tregon qartazi përpjekjen për të vënë në pikëpyetje rolin e medias dhe për të gjetur një ekuilibër mes lirisë dhe kontrollit.
- Vështrim ndërdisiplinor
Edhe pse ka formim në ekonomi ndërkombëtare, shkrimet e tij trajtojnë politika, shoqëri, sport dhe kulturë. Ai lidh proceset ekonomike me ato politike e sociale – si tek marrëveshja e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, apo tek roli i diasporës në zhvillimin ekonomik e politik të vendit.
- Ndjeshmëri ndaj zhvillimeve ndërkombëtare
Në artikujt e tij pasqyrohet qartazi ndjeshmëria ndaj realitetit global. Nga analiza e emigracionit dhe politikave europiane, deri tek reflektimi mbi transformimin e futbollit në biznes global, Aladini tregon se ka tendencë të trajtojë zhvillimet ndërkombëtare dhe di të interpretojë ndikimin e tyre mbi Shqipërinë.
- Aftësi narrative dhe stil komunikues
Ai ka një stil shkrimi të rrjedhshëm, figurativ dhe të pasur me metafora – p.sh. kur flet për “One Man Show” të Edi Ramës duke e shpjeguar politikën si spektakël dhe liderin si aktor. Kjo e bën shkrimin e tij jo vetëm analitik, por edhe tërheqës për lexuesin e gjerë.
- Këmbëngulje për identitet dhe vizion shoqëror
Në mënyrë të përsëritur ai rikthehet te çështja e identitetit, diasporës dhe lidhjes me atdheun. Kjo tregon jo vetëm përkushtim ndaj realiteteve shqiptare, por edhe një vizion se si vendi duhet të përfitojë nga potenciali i njerëzve të vet brenda dhe jashtë kufijve.
* * *
Në fund të fundit, Aladin Stafa duket se nuk ka ndërmend të ndalet në stacionin “Diplomë Bachelor”. Përkundrazi, me kriticizëm, stil dhe vizion shoqëror, ai ka marrë trenin që shkon drejt botës akademike dhe publike – dhe mesa duket, nuk ka blerë biletë vetëm vajtje, por edhe kthim me ide të reja. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij.