U zhvillua konferenca shkencore “E kaluara në të tashme" - Ruajtja, digjitalizimi dhe rëndësia e fondeve etnografike dhe arkivave të trashëgimisë kulturore në bashkëkohësi

12 Dhjetor 2024, 21:02Kulturë TEMA
U zhvillua konferenca shkencore “E kaluara në të tashme" -

Sot, më 12 dhjetor 2024, Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi në sallën “Rrok Zojzi” të këtij instituti konferencën shkencore “E kaluara në të tashme" - Ruajtja, digjitalizimi dhe rëndësia e fondeve etnografike dhe arkivave të trashëgimisë kulturore në bashkëkohësi.
Ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi; prof. asoc. Olsi Lelaj, drejtor i Institutit të Antropologjisë; prof.asoc. dr. Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave; dr. Gentiana Sula (Autoriteti mbi Informimin e Sigurimit të Shtetit); z.Devis Xhaja, drejtor i Drejtorisë së Arkivave në RTSH, si dhe studiues, arkivistë, kuratorë e përfaqësues të komuniteteve të ndryshme kulturore, mes të cilëve prof. dr. Afërdita Onuzi, znj. Marinela Ndria, drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të filmit, prof.dr. Pirro Thomo, dr. Ervin Kaçiu, dr. Ermela Broci, dr. Mimoza Shqefni, etj.
Prof. asoc. Olsi Lelaj, çeli veprimtarinë dhe vuri në dukje synimet e kësaj konference për mirëmbajtjen, digjitalizimin dhe rëndësinë bashkëkohore të fondeve etnografike dhe lëndës arkivore që ruhet në Institutin e Antropologjisë. Ai tha se çështja nuk është e izoluar vetëm për koleksionet etnografike apo të trashëgimisë kulturore, por apelon për të gjithë praktikën arkivuese në tërësi.
Prof.asoc. Lelaj ia dha fjalën Kryetarit të ASHSH, akad. Skënder Gjinushit.
Akad. Gjinushi foli për rëndësinë e ruajtjes së koleksioneve arkivore të fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme dhe rëndësinë e digjitalizimit për të zgjeruar aksesin e publikut dhe për të siguruar jetëgjatësinë e koleksioneve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve.
Gjatë zhvillimit të kësaj konference, u mbajtën referate mbi politikat e ruajtjes së dokumentit arkivor, për punën që është bërë për kalimin nga dokumenti fizik tek ai digjital, konservimin dhe zbardhjen e së vërtetës historike, si dhe për politikat e digjitalizimit në RTSH.
U diskutua për rëndësinë e restaurimit të trashëgimisë filmike shqiptare përkundrejt stigmatizimit që karakterizon artin e krijuar nën diktaturë, dokumentimin dhe regjistrimin e objekteve ne muze. U trajtuan, gjithashtu, disa çështje themelore të arkivave të Institutit të Antropologjisë, e ardhmja e fondeve etnografike, muzeu digjital midis sfidave dhe mundësive, sfidat e ruajtjes dhe digjitalizimit të trashëgimisë kombëtare filmike, etj.
Një çështje me interes ishte rijetëzimi i koleksioneve etnografike në bashkëkohësi. Pjesëmarrësit diskutuan strategjitë dhe metodologjitë për ruajtjen e materialeve etnografike, trashëgimisë kulturore apo dokumenteve.
Më tej u fol dhe u diskutua për digjitalizimin dhe ‘open access’, si dhe për ekzaminimin e iniciativave të digjitalizimit.
Në fund, u diskutua për rolin e koleksioneve etnografike, fondeve të trashëgimisë kulturore dhe arkivave në tërësi në shoqërinë e sotme. Pjesëmarrësit në këtë konferencë trajtuan problematikat dhe dhanë opinionin e tyre për ndikimin ka lënda arkivore mbi identitetet e bashkësive lokale, komuniteteve etnike dhe formacioneve kombëtare, si dhe për qasjet që përfshijnë komunitetet në administrimin dhe interpretimin e trashëgimisë së tyre kulturore, duke siguruar që koleksionet të mbeten relevante dhe reflektuese të identiteteve bashkëkohore.

Lini një Përgjigje