“UNUM Festival”, muzikë, turistë dhe energji te Rana e Hedhun: 70 artistë ndërkombëtarë dhe mijëra vizitorë në festivalin elektronik

9 Qershor 2025, 15:36Kulturë TEMA
“UNUM Festival”, muzikë, turistë dhe energji te Rana e

Det, mal, muzikë. Gjithçka e gjen këto ditë në Ranën e Hedhun, zonën bregdetare në veri të vendit që është kthyer në qendër të festimeve.

“Mijëra të rinj nga e gjithë bota janë bërë bashkë në UNUM Festival, që po mbahet prej datës 5 deri më 10 qershor në Shëngjin të Lezhës. Rana e Hedhun është kthyer në epiqendër festimesh me performanca live të DJ-ve më të mirë botërorë,” raporton gazetari Martin Marku.

Të rinjtë kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës dhe janë bërë pjesë e atmosferës elektrizuese që ofron festivali ndërkombëtar i muzikës elektronike UNUM.

Festivali sjell 70 artistë me famë botërore që do të luajnë muzikën më të mirë gjatë netëve të festivalit.

Teksa shijojnë atmosferën, turistët e huaj shprehen të mahnitur nga bukuritë e bregdetit shqiptar:

“Nuk kam shumë që kam ardhur, mbërrita një ditë më parë këtu. Po kaloj mirë, gjithçka është e organizuar shumë mirë.”

“Unë kam ardhur nga Turqia, ndihem i impresionuar me Shqipërinë, ndaj kam vendosur që të kaloj pushimet edhe vitin tjetër në vendin tuaj.”

“Këtu është shumë bukur: deti, mali, atmosfera. Organizimi gjithashtu është shumë i mirë. Po kalojmë shumë këndshëm.”

Ky është edicioni i 6-të i UNUM Festival, që çdo vit gjallëron Shëngjinin. Tashmë është kthyer në një traditë që ky festival të organizohet në nisje të sezonit të ri turistik.

Këto ditë që zhvillohet UNUM Festival, janë shoqëruar me trafik të rënduar në rrugë, për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve.

Klan News

Lini një Përgjigje