Po sjell këtu më poshtë historinë kurioze të një lëvizjeje intelektuale në Japoni, që kombinonte kritikën për inferioritetin e japonishtes amtare me sugjerimin utopik të ndërrimit të saj, si gjuhë kombëtare me një gjuhë europiane perëndimore, si anglishten ose frëngjishten. Këtë histori e kam gjetur te Japan’s Modern Myth, The Language and Beyond, nga Roy Andrew Miller, Weatherhill, New York & Tokyo, 1982; dhe po e sjell më poshtë të përkthyer dhe të përshtatur, nga kapitulli “Our Language – Right or Wrong”. Libri mund të gjendet falas në archive.com, dhe ua sugjeroj të gjithë atyre që duan të kuptojnë më mirë sa do të rrëfej në vijim.
Pati një periudhë, gjatë modernizimit të Japonisë, shkruan Miller-i, kur të njëjtat elita akademike ushqenin mitin e japonishtes si gjuhë e epërme ndaj të gjitha gjuhëve të tjera dhe me “frymën” e vet unike, teksa e poshtëronin të njëjtën japonishte, duke i mveshur stereotipe denigruese në krahasim me gjuhë të tjera. Qëndrimet e dyta arrinin deri atje, sa të përdornin argumentin se japonishtja është kaq e mangët, e varfër dhe e dobët sa shoqëria japoneze do të bënte mirë ta braktiste krejt dhe të adoptonte një gjuhë tjetër në vend të saj. Kjo dukuri absurde u bë veçanërisht e spikatur në vitet e të ashtuquajturit Meiji Restoration (kur Japonia praktikisht u transformua dramatikisht nga një shoqëri feudale, në një fuqi të madhe globale), por pastaj u fuqizua sërish pas disfatës së Japonisë në Luftën II Botërore. Në të dy rast, sugjerimi se japonishtja ishte një gjuhë aq inferiore sa të meritonte braktisjen vinte nga figura publike me prestigj të jashtëzakonshëm në Japoninë e asaj kohe, sociolinguistë nga më të shquarit me autoritet të hatashëm.
I pari personalitet kulturor që të propozonte heqjen dorë nga japonishtja, për shkak të kinse paaftësisë së saj për t’u shërbyer nevojave të shoqërisë japoneze ishte Arinori Mori, personi që, më shumë se çdokush tjetër, ishte përgjegjës për zhvillimin e krejt sistemit arsimor kombëtar në Japoni. Mori kish udhëtuar shumë në Europën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut, dhe ato që kish parë andej e nxitën që të dyshonte gjithnjë e më fort nëse gjuha japoneze do të ishte ndonjëherë realisht në gjendje të shërbente si mjet arsimor i përshtatshëm në sistemin e ri arsimor të stilit europian, që ai po zhvillonte për Japoninë Meiji.
Kjo e bindi Morin se gjuha japoneze duhej braktisur, nëse Japonia duhej të adoptonte një sistem arsimor të fortë dhe efektiv, të stilit prusian; dhe vendin e saj duhej ta zinte anglishtja. Në këtë kontekst, Mori filloi një letërkëmbim me gjuhëtarin amerikan William Dwight Whitney, të Universitetit të Yale-it, duke i kërkuar një mendim nëse ky ndërrim i gjuhës kombëtare në Japoni ishte i këshillueshëm dhe, nëse po, si mund të zbatohej më mirë. Whitney, një linguist i shquar i kohës, u përgjigj haptazi negativisht – nuk kish dëgjuar kurrë, i shkroi Morit, që një popull a shtet ta arrinte realizonte këtë, dhe se kjo pamundësi duhej supozuar edhe për japonezët, edhe sikur ndërrimi të kish qenë në dobinë e tyre.
Fill pas disfatës japoneze në Luftën II, e cila shkaktoi një krizë madhore në jetën e vendit, një romancier i njohur, Naoya Shiga, botoi një artikull ku edhe ai kërkonte braktisjen e japonishtes. Shiga kish prestigj të jashtëzakonshëm si shkrimtar dhe si intelektual dhe fjala i dëgjohej anembanë Japonisë. Në një artikull të botuar në 1946, ai shkruante, mes të tjerash se “jemi mësuar me gjuhën tonë kombëtare që nga fëmijëria, por nuk është se kemi ndonjë dhemshuri të veçantë për të. Unë kam mendimin se nuk ka asgjë që të jetë më e papërsosur (fukanzen) dhe kaba (fuhen) se japonishtja sot. Kur të kuptojmë se në ç’masë kjo e ka penguar kulturën tonë të zhvillohet, do të shohim se duhet të gjejmë një zgjidhje, për të lejuar që Japonia të zhvillohet dhe të bëhet një vend mirëfilli modern.” Këto gjëra thuheshin në një kontekst kur njëherazi po kërkohej me të madhe, sidomos nga autoritetet amerikane të pushtimit ushtarak, reforma e sistemit tradicional të shkrimit të japonishtes, veçanërisht përdorimi i ideogrameve të kinezçes. Shiga ishte gjithashtu i mendimit se, po të kish ndjekur Japonia këshillën e Morit dhe të kish adoptuar anglishten si gjuhë kombëtare, do të kish shmangur deri edhe përfshirjen e saj në luftë. Çuditërisht, Shiga rekomandonte që japonishtja tani të zëvendësohej jo më nga anglishtja, por nga frëngjishtja.
Propozimet e Norit dhe të Shiga-s dhe të ndjekësve të tyre nuk u ndoqën nga asnjë lloj përpjekjeje për t’i vënë në jetë, por argumentet e këtyre dhe të tjerëve mbetën dhe vazhduan të përdoren për të provuar se japonishtja jo vetëm që nuk ishte gjuha e përshtatshme për të modernizuar Japoninë, por edhe ishte në vetvete e mangët, e gjymtë, “e gabuar”; dhe e pazonja për të shprehur “konceptet logjike”, për shembull ngaqë “i mungon përemri lidhor”. Këto mangësi të japonishtes u bënë të dukshme vetëm gjatë ballafaqimit të saj me gjuhë të tjera, veçanërisht me gjuhët perëndimore, dhe sidomos me pasurinë diturore që ishte akumuluar në kulturat përkatëse.
Sipas profesorit Hideki Yukawa, i pari japonez që fitoi çmimin Nobel në fizikë (1949), “mendësia japoneze është, në më të shumtën e rasteve, e pazonja për të menduar abstrakt dhe interesohet vetëm për gjëra të prekshme (tangible). Këtu e ka zanafillën shkëlqimi japonez në teknologji dhe në artet e holla (fine arts). Pranimi i pavetëdijshëm i kësaj mangësie në abstraksion i shtyn japonezët të adhurojnë në mënyrë kritike dhe të adoptojnë pa rezerva sistemet religjioze dhe filozofike që vijnë në Japoni nga jashtë.”
Miller-i vazhdon edhe për disa faqe, me fakte dhe interpretime të ngjashme, të cilat po i lë jashtë trajtesës sime; këtu dua vetëm të shtoj se ankimi për japonishten e padenjë nuk mund të ndahet nga mburrja për epërsinë gjuhësore dhe racore të japonezëve (unë e kam ndarë për arsye vendi), për të njëjtën arsye siç nuk mund të ndahet, në psikologji, mania e persekutimit nga megalomania. Si në rastin e inferioritetit, ashtu edhe të superioritetit, është fjala për një identitet kulturor që ende nuk e ka gjetur veten në raport me Tjetrin dhe që i ka rrënjët, në analizë të fundit, te ksenofobia tradicionale e shoqërisë dhe e kulturës japoneze.
Do të shënoj edhe se ideja – e çmendur – për të hequr dorë nga japonishtja, në emër të kompetitivitetit dhe të modernizimit, mund të lindte vetëm brenda një kulture aq ambicioze, sa që beson vërtet se gjithçka është e mundshme për t’u arritur, me vendosmërinë dhe përkushtimin e duhur; dhe në fakt, pas disfatës në Luftën II Botërore, Japonia arriti të modernizohet brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke u rreshtuar në vendet më të zhvilluara të botës; çfarë i shërbeu, sado paradoksalisht, mitit tjetër, paralel, për epërsinë japoneze ndaj Tjetrit. Fill pas Luftës, në rrethanat e një poshtërimi të pashembullt, elitat japoneze besuan se modernizimi do të arrihej nëpërmjet adoptimit të praktikave perëndimore – çfarë përfshinte edhe filozofinë politike, ekonominë politike, sistemin arsimor perëndimor dhe teknologjinë që duhej importuar dhe eventualisht kopjuar. E vetmja “pengesë” në këtë proces ishte gjuha, sepse gjuha i detyronte japonezët të mendonin dhe të vepronin në një mënyrë të caktuar, jo gjithnjë të pajtueshme e të komunikueshme me mendësinë perëndimore.
Këtë histori desha ta ndaj me ju, për të treguar se adhurimi mistik i gjuhës ka një anë të errët, që lidhet me sensin e inferioritetit kombëtar dhe me një tërheqje a regres në errësirën e mitit; dhe se asnjë kulturë nuk është e imunizuar nga marrëzia e elitave të veta, që mund të dalin nesër – edhe tek ne në Shqipëri – me propozimin që ta përqafojnë anglishten si të vetmin instrument komunikimi të bashkëkohësisë, që do të na ndihmonte të mënjanonim pasojat negative dhe mangësitë e shqipes së sotme, gjithë duke na lidhur drejtpërdrejt me strumbullarët e pushtetit politik, ekonomik dhe kulturor të planetit.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Gjuhes shqipe nuk i vjen rreziku nga anglishtja por nga menjanimi dhe harresa e qellimshme per qellime politike e deges me te rendesishme dhe burimore te shqipes asaj gege. Kongresi i drejteshkrimit ishtje nje goditje fatale per gjuhen gege. Ate qe s'ja beri asne pushtues ja beri Kongresi i drejteshkrimit i viti 1971. Mijera fjale dhe shprehje po humbasin ndoshta pergjithemone. Studiuesit, gjuhetaret e mendimtaret patriote e sidomos gege duhet ti kthehen me force rikthimit te gjuhes gege pasi eshte shansi i fundit edhe ky brez.
...po te kishin zgjedhur per te nderruar japonishten me shqipen do te kishin gjuhen me te vjeter ne bote, "nenen" e te gjitha gjuheve. Po mund ta bejne edhe sot nen udheheqjen e akademise Rrenjet tona mjafton t'u dergojme treshen prof. Huri,prof. Dollapi, prof. Xhunga...
E qfare te themi: "Ate qe s'e beri Japonia me shpate, doni te beni me Web ju te medhenjet shkerdhate".