E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy VanHorn mori pjesë në koncertin “Battle of the Bands” të grupit muzikor “Flagship” të Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë dhe Orkestrës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, VanHorn theksoi se aktiviteti shënon kremtimin e “Freedom 250”, një nismë globale e nisur nga Donald Trump për të nderuar 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, inovacionin dhe frymën e lirisë.
“Kjo është Java Kulturore Amerikane dhe ne po sjellim diçka të jashtëzakonshme. Po festojmë ‘Freedom 250’, një nismë globale për të nderuar 250 vjet pavarësi amerikane, inovacion dhe shpirtin e qëndrueshëm të lirisë”, deklaroi VanHorn.
Sipas saj, “Freedom 250” është një ftesë për miqtë e SHBA-së në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, për të festuar historinë amerikane dhe vlerat e lirisë, mundësive dhe begatisë.
Diplomatja amerikane e cilësoi koncertin si më shumë se një aktivitet artistik, duke nënvizuar se ai përfaqëson lidhjen e pathyeshme mes dy vendeve aleate dhe partnere strategjike.
Mbrëmja muzikore bashkoi në një skenë grupin “Flagship” të Forcave Detare amerikane dhe Orkestrën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa pjesë e koncertit ishin edhe artistët shqiptarë Renis Gjoka dhe Gjergji Kaçinari.
VanHorn falënderoi institucionet dhe partnerët që kontribuuan në organizimin e Javës Amerikane, mes tyre Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit, Akademinë e Sigurisë, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Arteve dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Në përfundim, ajo theksoi se partneriteti mes Shqipërisë dhe SHBA-së mbetet i qëndrueshëm falë bashkëpunimit dhe miqësisë mes institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve. A.K./TemA
Lini një Përgjigje