E ftuar në episodin e 36-të të Apostrof Podcast, botuesja Arlinda Dudaj foli hapur për çështjen e çmimeve të librave dhe paradoksin e tregut të leximit në Shqipëri. E pyetur nëse librat janë kthyer në një privilegj për pak veta - nisur nga çmimet relativisht të larta të tyre - ajo pranoi se rritja e çmimeve është reale, por theksoi se pas saj qëndrojnë kostot e larta të prodhimit.
“Është e vërtetë, çmimet e librave janë rritur, por i përgjigjen kostove. Ne botojmë nga 500 deri në 1.000 kopje, dhe vetëm pas atij numri libri fillon të mbulojë kostot dhe janë kostot të cilat duhen paguar, si përkthimi, e drejta e autorit, apo shtypshkronja, e të gjitha gjërat. Kështu që, po, çmimet i përgjigjen kostove."
Por sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm tek botuesit. “Më e bukura është që ata që kanë para nuk duan t’i blejnë librat,” shtoi ajo, duke theksuar se mungesa e mbështetjes nga shteti e përkeqëson edhe më shumë situatën. Sipas Dudajt, projektet publike për furnizimin e bibliotekave shkollore shpesh shihen si mundësi për korrupsion, jo si investim për të ardhmen e leximit.
Në këtë mënyrë, libri mbetet mes dy zjarreve: i shtrenjtë për shumicën e qytetarëve dhe i nënvlerësuar nga ata që kanë mundësi ta blejnë.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Libri si trend, 'inflacioni' i shkrimtarëve dhe sfidat e leximit sot