
Ajo natë ishte nga më të vështirat që Josefi kishte kaluar deri atëherë në manastir. Kthehej e vërtitej mbi shtrojë, sa nga njëra anë në tjetrën. Ata zotërinj fisnikë që kishte njohur aty, burra të urtë, të fortë si shkëmbinj, themeluesit e Shqipërisë, nuk i hiqeshin nga mendja. Ata i bënin ballë logjikës së ndotur të luftës, gjë për të cilën meritonin respektin më të madh. Njëkohësisht gjendja e tyre e pashpresë, ajo kundërthënie e pazgjidhshme, ai fat i keq aq i pamerituar ishin kulmi i tragjizmit Lotët nuk iu thanë gjithë natën.
Por lëvizja e rinisë ishte gjithashtu reale dhe e përligjur. Pyetja që i rrinte si kunj në tru ishte: Përse burrat fisnikë nuk ishin në gjendje ta bënin për vete rininë shqiptare? ("Dielli në mërgim", fq 347).
Josef Jakoel, personazhi në qendër të romanit « Dielli në Mërgim, » gjendet përballë një pikëpyetjeje të madhe nga fundi i librit, në një moment historik tepër specifik, kur lufta është drejt fundit dhe po bëhet e qartë se nacionalistët shqiptarë kishin humbur si kauzën e tyre, ashtu edhe mbështetjen ndërkombëtare.
Dilema vjen si një konfuzion personal i Josefit: pse këta “burra të urtë,” “të fortë si shkëmbinj,” themeluesit e Shqipërisë, nuk arritën t’i flisnin rinisë së kohës?
Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, autorja dhe historiania Ani Wilms i rikthehet këtij tensioni, ndërsa thotë se arsyeja përse në libër nuk ka një përgjigje të qartë është se edhe ajo vetë nuk e ka një përgjigje të vetme.
“Nuk i gjetën gjuhën rinisë. Flisnin një gjuhë të vjetër, të përjetshme, si të thuash. Dhe koha e re, ideali komunist ishte fare tjetër gjuhë, tjetër logjikë,” thotë Wilms, ndërsa shton se paaftësia e elitës ishte jo vetëm ideologjike por edhe gjuhësore në një sens më të thellë.
Ata e patën të pamundur t’i përkthenin vlerat e tyre në një formë që do të rezononte me botën që po ndryshonte.
Sipas Wilms, një pjesë e madhe e brezit të ri të kohës ishte formësuar në varfëri, ndërsa kishte pritshmëri të tjera, ndikuar edhe nga transformimet e mëdha që po ndodhnin në vendet fqinje.
Për elitën e vjetër, përshtatja me këtë gjuhë të re kërkonte heqje dorë nga disa privilegje dhe forma autoriteti, diçka që Wilms e përshkruan si “të vështirë” për t’u pranuar nga ata.
Për rrjedhojë, e humbën aftësinë për të bindur.
Megjithatë, libri dhe vetë Wilms është kundër një gjykimi të thjeshtë moral.
Ajo thotë se ndoshta kërkojmë shumë nga ajo gjeneratë, duke dashur që të kishte bërë disa kapërcime gjigande historike, pasi i duhej të kalonte nga “mesjeta osmane” tek bota moderne.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00
Ani Wilms: Historia e patreguar e hebrenjve të Vlorës | Apostrof #67