VIDEO/ Arlinda Dudaj: Mbyllëm sytë në vitet ’90 dhe tani e shkuara po na përplaset në fytyrë

25 Shtator 2025, 18:55Kulturë TEMA
VIDEO/ Arlinda Dudaj: Mbyllëm sytë në vitet ’90 dhe tani e

Në një bisedë për Apostrof Podcast, botuesja Arlinda Dudaj u ndal edhe te mungesa e përballjes së shoqërisë shqiptare me të shkuarën. Sipas saj, kjo nuk është një punë që mbyllet me një artikull në gazetë, apo me gjeste sipërfaqësore, por një proces i gjatë që kërkon përkushtim të vërtetë.

“Është një rrugëtim i gjatë dhe duhet të përkthehet në një kuptim të asaj që ndodh, në mënyrë që gjërat e këqija të mos përsëriten,” thotë ajo. Por Shqipëria, sipas Dudajt, e ka shmangur këtë rrugë: “Ne mbyllëm sytë për shumë gjëra që në vitet ’90. Njerëz që patën mundësi ndryshuan historinë dhe çdo gjë tjetër. Është një punë që nuk e kemi bërë mirë dhe tashmë po na përplaset në fytyrë. Do të na përplaset akoma më shumë në të ardhmen.”

Ky boshllëk i pashlyer shfaqet jo vetëm në politikë apo në histori, por edhe në kulturë dhe letërsi. Mungesa e një ballafaqimi të vërtetë dhe të thellëka prodhuar një terren ku narrativa shpesh zëvendëson faktin dhe ku kujtesa kolektive lihet në dorë të klisheve. Në vend të rrëfimeve që sfidojnë të shkuarën, kemi shpesh një lexim të sipërfaqshëm dhe një kulturë që preferon të harrojë.

Dudaj paralajmëron se kjo harresë nuk është e pafajshme: kultura e një vendi është gjithmonë pasqyrë e mënyrës se si ai vend merret me kujtesën e vet. Kur nuk e njohim dot të shkuarën, edhe letërsia mbetet e gjymtuar dhe jo e aftë për të na pajisur me mjetet kritike që na nevojiten për të mos përsëritur gabimet.

Ndiq epiosin e plotë të Apostrof Podcast:

Libri si trend, 'inflacioni' i shkrimtarëve dhe sfidat e leximit sot