VIDEO/ Gjergj Kaçinari: Muzika si akt rezistence (Apostrof, Episodi 7)

2 Mars 2025, 20:22Kulturë TEMA
VIDEO/ Gjergj Kaçinari: Muzika si akt rezistence (Apostrof, Episodi 7)

Muzika shqiptare po kalon një periudhë transformimi që ngre pikëpyetje mbi cilësinë dhe drejtimin që ajo duket se ka marrë. Në dekadat e fundit, industria muzikore është dominuar nga trende të përkohshme, ku forma shpesh ka më shumë rëndësi se përmbajtja. Këngët e reja, sidomos ato që bëhen virale, karakterizohen nga tekste të varfra, shpesh pa kuptim ose të reduktuara në klishe të konsumit të shpejtë. 

Me kantautorin Gjergj Kaçinari - i ftuari i radhës në podcast-in Apostrof - bisedojmë në lidhje me këtë transformim që muzika shqiptare duket se është duke pësuar. 

A janë tekstet e mbushura me gabime, abuzimi me dialektin dhe përsëritjet e vazhdueshme të melodisë diçka që vjen nga pakujdesia dhe dëshira për të prodhuar vetëm muzikë që shet, apo ka diçka të qëllimshme në këtë përpjekje, për të ulur IQ e përgjithshme të njerëzve? Nëse gjithçka shërbehet në doza të vogla dhe të përsëritura pafundësisht, a mos vallë po programohemi që të mos kërkojmë më shumë?

Ndër të tjera, Kaçinari thekson si problematik faktin se shumë artistë të afirmuar dhe mjaft të mirë në zhanret në të cilat krijojnë, nuk po prodhojnë më muzikë. Ai thotë se fitimet e shpejta nga performancat në lokale kanë shkaktuar një lloj përgjumjeje, duke bërë që shumë prejt tyre të mos kenë prodhuar asgjë në 20 vite, duke lënë të hapur mundësinë që tregu të dominohet nga muzika jocilësore.

 

Rikthimi i Gjergj Kaçinarit te "Rool"

Pas një periudhe shkëputjeje nga grupi "Rool", Gjergj Kaçinari ka vendosur të rikthehet me një energji të re dhe përkushtim të plotë ndaj tij. Ky projekt, që dikur ishte një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij, tani është kthyer në një mundësi për të krijuar diçka autentike dhe të vërtetë. 

Për kantautorin, ky rikthim është mundësia për të krijuar një lidhje më të thellë me muzikën dhe publikun, duke sjellë diçka që shkon përtej "performancave të zakonshme" dhe "punëve mekanike." 'Rool' është tashmë një projekt, të cilit ai i është dedikuar plotësisht, duke synuar të sjellë një muzikë më të sinqertë dhe më autentike.

 

Muzika si akt rezistence

Muzika ka qenë gjithmonë një formë e fuqishme rezistence, një mjet që artistët përdorin për të sfiduar normat, për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të pasqyruar realitete shoqërore dhe politike. Në Shqipëri, si dhe në shumë pjesë të botës, muzika ka luajtur rol të rëndësishëm si një formë e reagimit ndaj represionit dhe kontrollit. Por a ka ende gjëra që duhet të bëjmë rezistencë sot?

Gjergj Kaçinari shprehet se, përmes muzikës së tij, ai kërkon ndër të tjera të sfidojë kufijtë e stilistikës dhe tematikës që dominon tregun muzikor shqiptar.