Nuk është hera e parë që libri kthehet në një aksesor mode. Një video që qarkulloi këtë verë tregoi se për disa të rinj, libri ka më shumë vlerë si objekt për t’u ekspozuar sesa si mjet për t’u zhytur në atë çka na përcjell. Ndaj, në njëfarë mënyre, kjo pyetje — a na pëlqen të lexojmë, apo na pëlqen më shumë të na shohin me një libër në dorë — i hap udhë një debati më të thellë.
Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, botuesja Arlinda Dudaj shprehet se libri nuk mund të shihet vetëm si produkt tregu, por si një pasqyrë e shoqërisë ku jetojmë. Në sipërfaqe, Shqipëria duket një vend në zhvillim: ndërtesa të reja, fasada të shndritshme, dinamizëm ekonomik. Por sipas Dudajt, ky imazh shpesh maskon boshllëqet tona kulturore dhe shpirtërore. Një qytet që duket modern në sytë vizitorëve të huaj, mbart brenda vetes mungesën e një dialogu të sinqertë me të shkuarën. Dhe pa këtë njohje, as e tashmja, as e ardhmja nuk mund të kuptohen me qartësi.
Megjithatë, edhe tek performanca e leximit ajo sheh një farë ngushëllimi. Sepse edhe kur libri trajtohet si trend, si diçka që “shkon” për Instagram, nën sipërfaqe mbetet ideja se leximi është ende një vlerë e dëshiruar. Edhe ai që nuk lexon i thotë vetes se duhet të lexojë. Dhe vetëm kjo nënvetëdije, thotë Dudaj, është një shenjë se libri nuk e ka humbur magjinë e tij.
Ky është vetëm një nga fragmentet e bisedës mbi kulturën e leximit, çmimin e librave, sfidat e botuesve dhe tensionin mes tregut e misionit kulturor.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast me Arlinda Dudaj publikohet këtë të diel, ora 17:00.