Festivali Ballkanik i Filmit dhe i Kulinarisë do të shfaqë mbi 50 filma nga 12 vende

18 Shtator 2025, 14:10Kulturë TEMA
Festivali Ballkanik i Filmit dhe i Kulinarisë do të shfaqë mbi 50

Në qytetin e Pogradecit nisi edicioni i 15-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë.

Festivali do të shfaqë prodhimet e përzgjedhura kinematografike në Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci”, ku hyrja do të jetë falas për të gjithë të apasionuarit pas filmit.

Sesioni i paradites së sotme ishte një udhëtim unik mes tregimesh kreative, zërash të rinj dhe perspektivash të ndryshme. Në ekranin e madh u shfaqën filma si “The Phantoms of the Mind” nga Sllovenia, “OGRE” nga Kosova, “Amra” nga Maqedonia e Veriut, “Make love not porn” nga Greqia, “Mimas” nga Turqia etj.

Ndërkohë sonte në mbrëmje pritet të shfaqen edhe filmat dokumentarë “Bekim Fehmiu” dhe “Lulëkuqe mbi mure”.

Balkan Film & Food Festival, që do të vazhdojë deri më 20 shtator në qytetin magjepsës të Pogradecit, do të shfaqë mbi 50 filma, ku përfshihen: filma të shkurtër, dokumentarë, animacione, filma me metrazh të gjatë, shkruan atsh.

Prodhimet kinematografike vijnë nga Bullgaria, Turqia, Rumania, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Greqia e Mali i Zi.

Paraditeve filmat do të shfaqen në kinemanë e Pogradecit ndërsa në mbrëmje, në Qendrën Multifunksionale, vetëm disa hapa larg liqenit të Ohrit.

Ky festival i veçantë filmi, ku përveç prodhimeve kinematografike përfshihet edhe një përvojë kulinarie e cila lidh popujt e Ballkanit, lindi si një ide e tre miqve: Eno Milkanit, Fatos Baxhakut dhe Gerta Qurkut.

 

Lini një Përgjigje