Dokumentari “EUkrainian” shfaqet në Kryesinë e Kuvendit, bashkëpunim me ambasadën e Ukrainës

18 Shtator 2025, 12:14Kulturë TEMA
Dokumentari “EUkrainian” shfaqet në Kryesinë e Kuvendit,

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, mirëpriti sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Ukrainës në Shqipëri, në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë këtij aktiviteti, ku morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Ukrainës, trupit diplomatik, artistë dhe organizatorë të festivalit, u shfaq dokumentari “EUkrainian” i regjisorit suedez Victor Nordenshold, i cili pasqyron realitetin e jetës në Ukrainë, teksa shënohen katër vite nga agresioni rus.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Spahiu theksoi se ky aktivitet, tashmë i kthyer në traditë bashkëpunimi me Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, shkon përtej një ngjarjeje artistike, duke u shndërruar në një thirrje për ndërgjegjësim, reflektim dhe veprim për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ajo nënvizoi se lufta në Ukrainë mbetet simboli më i qartë i cenimit të paqes, sovranitetit dhe dinjitetit njerëzor.

“Çdo ditë, ajo na kujton se liritë dhe të drejtat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por kërkojnë mbrojtje dhe guxim për t’u mbajtur gjallë”, u shpreh Spahiu.

Në emër të Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri, Yuliia Gorokhovska përcolli përshëndetjet dhe mesazhin e Ambasadorit, Volodymyr Shkurov, i cili falënderoi popullin dhe institucionet shqiptare për mbështetjen e tyre të palëkundur, shkruan atsh.

“Kjo dëshmon unitetin e vlerave tona të përbashkëta, demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut,” theksohej në mesazh.

Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga Theodore S. Orlin, President Nderi i Festivalit dhe Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i IHRFFA.

Më herët të ftuarit patën mundësinë të ndiqnin ekspozitën e artistit ukrainas me titull “ Kujtesë e gdhendur: mite dhe heronjë midis dy botëve”. 

Lini një Përgjigje