Titulli “Poeti laureat”, 2025 - 2027
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) shpall hapjen e edicionit të ri të titullit “Poeti laureat”, një titull i krijuar për të vlerësuar poezinë shqipe bashkëkohore dhe për të nderuar poetët e gjallë të letrave shqipe. Ky titull, tashmë i konsoliduar si një prej nismave më domethënëse të QKLL–së, përfaqëson një investim kulturor të vyer në promovimin e gjuhës dhe krijimtarisë poetike.
Poezia – gjuha e shpirtit dhe e kujtesës kolektive është zhanri që vlersohet për dhënien e këtij titulli.
Në letërsinë shqipe, poezia ka qenë gjithmonë një zhanër themelor. Ajo është arti që i ka dhënë gjuhës shqipe fuqinë për të ruajtur identitetin, për të mbartur kujtesën dhe për të shprehur ndjeshmërinë e kohërave. Poezia është forma më e përqëndruar e gjuhës – aty ku fjala rritet në intensitet, ku tingulli dhe ritmi kthehen në kuptim dhe ku përvoja njerëzore gjen një shprehje të përhershme në formë arti”, thotë Alda Bardhyli.
Në një kohë kur fjala e shkruar përballet me sfidat e shpejtësisë dhe sipërfaqësisë, poezia mbetet një ftesë për reflektim dhe thellim ndiesor.
Dy fituesit e parë të këtij titulli – Rudolf Marku dhe Luljeta Lleshanaku, u vlerësuan me këtë titull nga juria, e cila punoi me përkushtim për përzgjedhjen.
Në dy edicionet e deri tanishme, titulli “Poeti laureat” i vlerësoi dy zërat e fuqishëm të poezisë shqipe për disa cilësi të thella:
Rudolf Marku, një poet i formuar brenda dhe jashtë vendit, i njohur për poezinë e tij të qartë, meditative dhe të ngarkuar me reflektime mbi lirinë, ekzilin dhe jetën moderne. Vepra e tij mishëron lidhjen midis traditës dhe sfidave të kohës sonë, duke e bërë atë një nga poetët më të rëndësishëm të brezit të tij.
Luljeta Lleshanaku, një nga poetet më të përkthyera dhe të njohura ndërkombëtarisht nga letrat shqipe, me poezi që spikat për imazhet e fuqishme, tonin intim dhe universin poetik unik. Ajo sjell një poezi të ndërtuar mbi përjetime të thella personale e kolektive, duke krijuar një gjuhë që i flet si lexuesit shqiptar, ashtu edhe atij botëror.
Zgjedhja e këtyre dy autorëve si fitues të parë të titullit “Poeti laureat” është një dëshmi e qartë e orientimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit drejt cilësisë, origjinalitetit dhe qëndrueshmërisë së zërit poetik.
Ky vlerësim, nismë synon jo vetëm të përzgjedhë më të mirën nga krijimtaria bashkëkohore, por edhe të nxisë një dialog të gjallë poetik që ushqen letërsinë dhe lexuesin. Poezia nuk është thjesht një zhanër – ajo është një hapësirë e domosdoshme për gjuhën, kulturën dhe shpirtin kolektiv shqiptar.