VIDEO/ Nga "shenjtëria e fakteve", te paprekshmëria e opinionit. Lutfi Dervishi: Betejat virtuale po helmojnë opinionin publik

15 Tetor 2025, 12:38Kulturë TEMA
VIDEO/ Nga "shenjtëria e fakteve", te paprekshmëria e

Gjatë diskutimit në Apostrof Podcast, gazetari dhe opinionisti Lutfi Dervishi ngriti shqetësime për mënyrën se si po zbehet kufiri mes informacionit dhe opinionit në media, si edhe për pasojat që kjo sjell në diskutimin publik.

“Nëse dikur thuhej që opinionet janë të lira dhe faktet janë të shenjta, tani duket që opinionet janë shenjtëruar,” theksoi Dervishi, duke shtuar se opinioni dhe bindjet personale po bëhen gjithmonë e më të paprekshme, ndërsa faktet shihen si çështje interpretimi dhe mund të debatohen.

Ai shpjegoi se përzierja midis editorialit dhe informacionit po kthehet në normë për një pjesë të konsiderueshme të mediave shqiptare. “Në komentin editorial unë mund të jem mbështetës i një partie, por kjo s’do të thotë që duhet të sajoj lajme pozitive për qeverinë dhe negative për opozitën,” tha ai. Po ashtu, nënvizoi se e kundërta nuk e justifikon shpifjen: “Unë mbështes opozitën. Kjo s’do të thotë që të gënjej ose të sajoj ose të shpif për palën tjetër.”

Gazetari paralajmëroi për rreziqet e titujve dhe përmbajtjeve të manipuluara, të krijuara herë për klikime, e herë për të ndikuar opinionin publik. Ky “fenomen osmoze”, siç e quajti ai, përforcon një pamje binare të realitetit, ku gjërat shihen gjithmonë bardhë e zi, e cila çon në humbjen e mendimit kritik. “Parja gjithmonë bardhë e zi… Mungesa e saj që quhet mendim kritik,” shpjegoi Dervishi, duke theksuar nevojën për aftësi për të pranuar kompleksitetin dhe për të dëgjuar palën tjetër.

Një tjetër efekt i këtij procesi është radikalizimi i debateve online. Dervishi shprehet se shpesh dy pikëpamje të kundërta nuk sjellin diskutim, por përshkallëzim të menjëhershëm në një “luftë virtuale”, e cila, sipas tij, po “helmon opinionin” dhe në raste të caktuara përfundon në pasoja reale për njerëzit të përfshirë.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: “Tundet flamuri i pavarësisë, por mungon shtiza” – Lutfi Dervishi për krizën e besimit në media