Publiku i Teatrit të Operas e Baletit pati fatin të ndjekë në fundjavë tri botë të ndryshme të kërcimit, brenda së njëjtës shfaqje.
“Falling Angels”, i mjeshtrit Jirí Kylián, solli në skenë tensionin mes disiplinës dhe lirisë, një udhëtim përmes lëvizjeve minimaliste dhe ritmeve të fuqishme që pasqyruan thelbin e njeriut.
Jiří Kylián është një koreograf çek me famë botërore i cili ka krijuar rreth 100 vepra, duke përfshirë baletet e famshme si “Petite Mort” dhe “Sinfonietta”, që interpretohen nga kompani kërcimi në mbarë botën. Koreografia e tij është e njohur për përzierjen e baletit klasik me lëvizjen moderne dhe eksplorimin e emocioneve dhe marrëdhënieve njerëzore.
“Troy Game” erdhi nën koreografinë e Robert North, i cili ndezi energjinë e sallës me humor, atletikë dhe ritme braziliane, duke sfiduar me elegancë konceptet tradicionale të maskilizmit.
Ndërsa “Radiant 40°” i Edi Blloshmit e mbylli mbrëmjen me një poezi të vërtetë skenike, ku kujtesa, lidhjet e padukshme dhe transformimi u shkrinë në një gjuhë të re vallëzimi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi këtë mbrëmje si të paharrueshme, ku arti i kërcimit u bë pasaportë për të udhëtuar mes kulturave, ndjenjave dhe botëve që flasin përtej fjalëve.
Kjo shfaqje ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Dancit të Tiranës (IDFT), aktivitetet e të cilit kanë gjallëruar jetën kulturore në kryeqytet dhe do vijojnë deri më 25 tetor. Më shumë se një festival, IDFT është një platformë për lidhje, kreativitet dhe shkëmbim. /atsh/
Lini një Përgjigje