Mitrojorgji: Rritje me 300% në vlerë e investimeve në trashëgiminë kulturore për periudhën 2024-2025

14 Tetor 2025, 17:11Kulturë TEMA
Mitrojorgji: Rritje me 300% në vlerë e investimeve në

Në Komisionin Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, u zhvillua sot një seancë dëgjimore me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku u dha informacion mbi ruajtjen, studimin, dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Kryetarja e këtij komisioni parlamentar, Ina Zhupa, u shpreh se kultura është shumë e rëndësishme, edhe për faktin se është në funksion të turizmit dhe duke treguar vëmendje të veçantë ndaj saj, IKTK u ftua e para.

Drejtoresha e përgjithshme e IKTK-së, Joli Mitrojorgji, iu përgjigj pyetjeve të komisionit parlamentar. Raportimi i saj nisi me projektet kërkimore shkencore. Mitrojorgji tha se, sa i përket projekteve kërkimore shkencore, IKTK i administron të gjitha aplikimet që i vijnë si dhe i monitoron më tej në terren. Ka një numër të lartë projektesh që paraqiten, duke qenë se kemi një territor të pasur me site arkeologjike.

“Ajo që mbështesim dhe sugjerojmë do të ishte një përqendrim më i madh dhe projekte të mëdha të fokusuara në njësi të cilat të kenë një vazhdimësi në kohë. Dhe jo shpërndarje shumë të madhe në territor duke bërë që të ngelin si çështje pikësore”, u shpreh Mitrojorgji.

Drejtoresha e IKTK-së tha se, në vitin 2024 ishin 22 projekte të tilla të realizuara. Ndërsa në vitin 2025, për periudhën janar-shtator, janë 20 projekte. Disa prej tyre janë në proces dhe deri në fund të vitit pritet që ky numër të ndryshojë.

E pyetur nga anëtarët e komisionit mbi numrin e vendimeve që merr IKTK, Joli Mitrojorgji u përgjigj se, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale merr një numër të madh vendimesh. Në 2024, sipas saj, pati 567 vendimmarrje, ndërsa në 2025-n (janar-shtator) ka 522 të tilla, në lidhje me ndërhyrje në site të trashëgimisë kulturore, ku lejet zhvillimore nuk janë përfshirë në këtë kategori.

Në lidhje me investimet e MTKS, për vitin 2024-2025, ku shumica janë në proces, drejtoresha e IKTK-së tha se, rezultojnë rreth 40 pasuri kulturore të shpërndara në të gjithë territorin, të shpërndara edhe sipas tipologjive: site arkeologjike, kala, fortifikime, objekte kulti etj. Mitrojorgji tha se, ka një rritje edhe në vlerë të investimeve për 2024-2025, me një rritje prej 300%.

Ajo shtoi se ka dhe shumë donatorë, palë të treta të cilat hartojnë projekte dhe që i implementojnë në sitet e trashëgimisë kulturore. Këto investime nga MTKS dhe donatorët e ndryshëm gjatë dy viteve të fundit, kanë bërë që të ketë një rritje të interesit edhe nga investitorë privatë, për të investuar në ansamble, në qendra historike apo zona të cilat kanë marrë një farë rijetësimi.

Në vitin 2025 rezultojnë 81 objekte të cilat kanë marrë financime private, si rezultat i rritjes së turizmit dhe përmirësimit të infrastrukturës. Gjithashtu po punohet nga ministria, por edhe përmes projekteve me donatorë për të rritur ofertën, për të krijuar itinerare të reja turistike, si dhe për të rritur kohën e qëndrueshmërisë së një vizitori në një sit të caktuar, gjë e cila kërkon investime të mëtejshme.

Një prej problematikave që u paraqitën në komision ishte vështirësia me të cilën përballet IKTK për çështje të zgjidhjes së pronësisë, e cila bëhet pengesë për kryerjen e një investimi, të vogël apo madhor. Drejtoresha Mitrojorgji mori shkas për ta paraqitur në komision këtë çështje, për të gjetur edhe bashkëpunimin e Kuvendit në gjetjen e mekanizmave për zgjidhjen e një problematike të tillë duke përdorur dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare. /atsh/

Lini një Përgjigje