VIDEO/ Vajzëri në Luftë: Kujtimet e një fëmije përballë “paqes” së të rriturve

21 Dhjetor 2025, 17:00Kulturë TEMA
VIDEO/ Vajzëri në Luftë: Kujtimet e një fëmije

Si është të shkruash për luftën, pa e kaluar përvojën personale në filtrat e retrospektivës? Përse të refuzosh mbylljet e qarta, formulat e pajtimit, apo retorikën e të parit drejt të ardhmes, duke hedhur pas të shkuarën?

E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast është Vjosa Musliu, Profesore e Asociuar në Universitetin e Lirë të Brukselit dhe eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të biseduar në lidhje me librin e saj të ri, “Girlhood at War: Interpreting War and Liberation in Kosovo.” Libri përmban 32 tregime, të rrëfyera nga këndvështrimi i alteregos së autores, një vajzë 12-vjeçare, e cila tregon përvojën e luftës dhe pasluftës në Kosovë. Kujtesa, në rrëfimet e saj, nuk shërben si material bruto për t’u përpunuar më pas nga njohuritë dhe dija e autores si e rritur. Përkundrazi, është dije në formën e saj më të sinqertë.

Por, episodi shtrihet përtej librit, në një përpjekje për të analizuar dhe përgjigjur një sërë pyetjesh në lidhje me luftën dhe pasluftën në Kosovë, por edhe konflikte e luftëra aktuale… Kur përfundon realisht një luftë? Kur rivizatohen kufijtë dhe instalohen institucionet e reja, apo kur misionet ndërkombëtare shpallin suksesin? Apo mos ndoshta lufta vazhdon përmes provokimeve, gjihës dhe mënyrës se si rajone të tëra trajtohen si të paafta për të qenë të qëndrueshme dhe për t’u vetëqeverisur? Përse sa herë flitet për Kosovën, ajo përshkruhet si një shtet “i papërfunduar”, kur kanë kaluar më tepër se dy dekada nga çlirimi i saj në 1999 dhe mbi një dekadë nga pavarësimi i saja?

Biseda merr një tjetër kthesë ndërsa flasim për pushtetin. Kush e vendos se cilat vende janë “gati” për të qenë të lira dhe cilat duhet të mbeten të mbikëqyrura? Përse duket sikur dobësia vjen me shkallë dhe hierarki dhe kush përfiton kur një shtet periferik bëhet i dobishëm për qendrën duke bartur politika përjashtese në emër të Europës?  A është paqja gjithmonë e kundërta e luftës, apo mos ndoshta në disa raste është vazhdimësi e saj me mjete të tjera?