Virtyti i fortë i konformimit

16 Shtator 2025, 11:25Kulturë Ardian Vehbiu

Henry Donovan shkruante dje në The Telegraph se:

The cold-blooded killing of campaigner Charlie Kirk on a university campus in Utah should have been a moment of shared grief for everyone.

Më vranë syrin dy gjëra: ajo shared grief for everyone dhe veçanërisht modaliteti foljor te should have been. Ndoshta i kam antenat tejet të ndjeshme ndaj çdo përpjekjeje rreshtore – dhe veçanërisht nuk i duroj dot thirrjet për ekzibicion politik kolektiv.

Për të ndjerin Charlie Kirk nuk kisha dëgjuar kurrë, nuk e njihja, nuk ia ndiqja aktivitetet, nuk e kisha idenë se çfarë bënte dhe cili ishte. Më erdhi keq që e vranë, sepse vrasjet politike janë ngjarje të rënda; siç më erdhi keq që ishte i ri, që ishte baba, dhe për familjen dhe miqtë e tij dhe simpatizantët e kështu me radhë. M’u dhimbs. Njëlloj më erdhi keq që “u njoha” me të dhe idetë e tij vetëm pasi e kishin vrarë (ky lloj prezantimi nuk i shërben objektivitetit).

Më duket pak e tepruar që dikush më kërkon tani mua që të mbaj zi për të, dhe aq më pak të mbaj zi në grup, bashkë me të tjerë, për të. Zi njeriu mban për vdekjen e dikujt që e ka pasur njeri të afërt e të dashur, ose që ia ka ndjekur fjalën dhe veprën, jetën dhe karrierën. Një qytetar fundja mund të mbajë zi edhe po t’i vdesë presidenti, ose Kryetari i Gjykatës së Lartë; ose poeti kombëtar; sepse kjo është pjesë e detyrave të tij si qytetar. Në Shqipëri mbaj mend njërin – më shumë hero se aventurier – që vuri një shirit të zi në xhaketë, kur vdiq Elvis Presley, gjest atëbotë sfidues dhe i dënueshëm. Por kuptimi i zisë është se njeriu e mban vetëm për disa pak që vdesin, duke u kushtuar të tjerëve vetëm respekt të mirësjellshëm; dhe se njerëzit ndryshojnë mes tyre edhe ngaqë mbajnë zi për vdekje të ndryshme.

E kuptoj edhe që i ndjeri Kirk kish shumë ndjekës dhe simpatizantë, që do të jenë tronditur pa masë nga vrasja dhe rrethanat e saj; po të më duhej t’u thoja këtyre një fjalë, ndoshta do të shkruaja: “marr pjesë në hidhërimin tuaj” – por kjo nuk është veçse një formulë mirësjellje, shprehje e dëshirës sime për bashkëjetesë dhe paqe, e cila gjithsesi nuk ka të bëjë me shared grief, që do të ishte një zi e përbashkët; meqë, siç thashë, unë, për të mirën a për të keqen time, nuk kam qenë pjesë e asaj mase që e ndiqte Kirk-un dhe e konsideronte lider; dhe sidomos, ngaqë unë Kirk-un nuk e kam njohur.

Nuk kalon ditë pa parë e lexuar, në mediat, për një ngjarje të hidhur; për një vdekje të parakohshme të një njeriu që e ke njohur, për një vrasje, ose edhe për qindra vrasje në një ditë – siç ndodh në Ukrainë por edhe më rëndë në Palestinë. Nuk kalon ditë që kjo apo ajo palë politike nuk e shfrytëzon vrasjen a vdekjen për të të tërhequr ty, lexuesin, në përqafimin e vet, për të të rekrutuar në kauzën e vet, për të të armatosur dhe dërguar në frontin e betejave të veta politike.

Dhe ashtu ia kemi mbërritur këtij momenti, kur përdoruesve të mediave – por edhe punonjësve të zyrave dhe studentëve të universitetit – po u kërkohet të mbajnë qëndrim (çfarë shprehjeje e një kohe tjetër) ndaj çfarë ka ndodhur.

Në citatin që solla, Donovan shkruante: “should have been a moment of shared grief”, duke parakuptuar se ekzistoka një qëndrim etikisht i drejtë ndaj ngjarjes (should); dhe që manifestohet, pikërisht, me zinë e përbashkët që ai ka në mendje. Atentati kundër Kirk-ut e paskësh ndarë opinionin më dysh, mes atyre që e vajtonin ikjen e parakohshme dhe kaq tronditëse të heroit të tyre, dhe atyre të tjerëve, që kishin gjetur momentin e papërshtatshëm, për t’i përmendur të ndjerit pikëpamjet përçarëse dhe qëndrimet për ta të papajtueshme, ndaj çështjeve të nxehta të ditës. (Disa prej këtyre i kanë hequr tani nga puna – i kanë ndëshkuar, siç ndëshkuan disa në Shqipëri sepse patën qeshur me zë publikisht, ditën që u varros Stalini.)

Por unë shoh një problem te kjo ndarje më dysh – sepse nuk më duket e mirëfilltë. Ka me siguri me miliona, edhe në SHBA, që nuk po mbajnë zi për Kirk-un ndonëse mund të kenë simpati për politikat e tij dhe për qasjen e tij ndaj dialogut qytetar; që thjesht janë tronditur dhe revoltuar për vrasjen, dhe për dhunën politike në përgjithësi; por tronditja dhe revolta nuk përkthehen automatikisht në zi. Ka miliona që i kanë gjykuar pikëpamjet e të ndjerit si të papranueshme dhe atë vetë e kanë parë si politikan dhe aktivist të spektrit kundërshtar. Ka pastaj me miliona të tjerë, si unë, që për Kirk-un nuk kishin dëgjuar fare. Si i bëhet në këto raste? Ta vë edhe unë fjongon e zezë, siç më sugjeron opinionisti i Telegraph-it, për të afirmuar jo ndjenjën e dhimbjes së thellë për humbjen, por përkatësinë time në kauzën e të mirëve ndaj të këqijve?

Mediat sociale janë troje njëherazi edhe të përçarjes edhe të konformimit; dhe njeriu nuk di të thotë nëse efekti përçarës është për t’u preferuar inponimit konformues, apo e kundërta. E keqja është se këto mekanizma të organizimit të opinionit dhe të debatit, këto përpjekje për t’i veshur mendjet me uniformë, po replikohen edhe jashtë rrjeteve dhe tashmë janë përhapur anembanë në komunikimin politik. Edhe një ngjarje njerëzore të rëndë, siç është eliminimi i një figure publike me atentat, do të shfrytëzohet menjëherë për qëllime politike praktike – ose, siç e thoshin komisarët qëmoti, “për të shtrënguar radhët.” Ashtu një konfrontim politik rrezikon të katandiset në një rreshtore para-ushtarake, ku njerëzit të mësohen të ecin me hap të rregullt dhe të përplasin çizmet përdhé me ritëm.

Për mua, nga sa shoh në titujt kryesorë të politikës në mediat perëndimore, tradicionale dhe sociale qofshin, çdo njoftim madhor është 10% lajm dhe 90% thirrje për konformim – dhe kjo si për luftën në Ukrainë, ashtu edhe për situatën në Gaza dhe për vendimet e Trump-it a të Putin-it dhe për zgjedhjet e kryebashkiakut të New York-ut dhe për vaksinimin e detyruar a mbajtjen e maskës. Për shumë media, qëllimi nuk është informimi i përgjegjshëm i publikut, por mbajtja konstante e publikut të përfshirë në konfliktin e ditës, detyrimi i këtij publiku që të zgjedhë, vazhdimisht, midis 0 dhe 1, midis “nesh” dhe “atyre”, midis “së mirës” dhe “së keqes”. Madje edhe palët në konflikt nuk mishërohen në qëndrimet që marrin, por vetëm sa i përdorin ato qëndrime për t’u riprodhuar.

Vetëm pak ditë para atentatit kundër Kirk-ut, u lajmërua – kryesisht nga tabloidët – vrasja absurde, me thikë, e Iryna Zarutska-s, një imigranteje të re nga Ukraina, nga një afrikan-amerikan me gjasë psikotik, në një tren të transportit publik në Charlotte, North Carolina, SHBA. Vrasja ishte kapur e gjitha në kamerë, dhe dinamika e krimit, me një vajzë të re bionde, të brishtë dhe të bardhë si bora që sulmohet në publik nga një afrikan-amerikan marrëzisht i dhunshëm sikur realizonte të gjitha makthet e së djathtës raciste. Mua kjo vrasje më preku e më lëndoi shumë, sepse kam edhe njerëzit e mi fare të afërt, që marrin çdo ditë në NYC transportin publik, duke iu ekspozuar njerëzve që, në çdo vend të qytetëruar, duhej të ishin në mjekim të detyruar. Njëlloj më turbulloi dyshimi – tinëzar – se po të kisha kërkuar qytetarisht që udhëtarëve të metrove anembanë dhe të metrosë së qytetit tim t’u garantohet mbrojtja nga ky kërcënim i ndyrë, i përditshëm, prej qeniesh të sëmura dhe të papërgjegjshme, produkt i degradimit edhe social, edhe administrativ edhe shëndetësor të metropolit, do të më kishin etiketuar edhe mua si racist.

Vrasja është edhe ajo vazhdim i komunikimit, por me mjete të jashtëzakonshme. Është akti final, që i jep fund dialogut dhe bashkëjetesës; eliminimi i partnerit nga realiteti, transferimi i tij në kohën e kryer. Dhe e them këtë pa e ditur se pse e vranë pikërisht vajzën ukrainase (ai tipi, me sa ka thënë deri më tash, nuk e di as vetë pse e bëri), ose edhe pse dhe si e vranë pikërisht Kirk-un. Me fjalë, të gjithë duket sikur janë kundër vrasjes, përveçse kur pastaj u duket e nevojshme dhe e përshëndetin në rrethana të caktuara duke e etiketuar si “kolateral” (ndonjëherë të njëjtët që e quajnë edhe abortin “vrasje”); kam frikë se edhe kjo kundërvënie kaq solidare, kaq ekumenike ndaj vrasjes nuk është, në analizë të fundit, veçse një lloj konformimi, nëpërmjet sinjalizimit të virtytit. Tek e fundit, çfarë politike mund të ndërtohet mbi të?

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Whisk. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje