Biblioteka në Bilisht pasurohet me tituj të rinj nga dhuruesit

15 Shtator 2025, 19:23Kulturë TEMA
Biblioteka në Bilisht pasurohet me tituj të rinj nga dhuruesit

Biblioteka e qytetit të Bilishtit po vijon të pasurohet me tituj të rinj, duke ofruar një fond gjithnjë e më të gjerë librash për lexuesit e saj.

Qëllimi është që çdo vizitor i bibliotekës të gjejë librin që i nevojitet, qoftë për studim, kërkim shkencor apo për kënaqësinë e leximit.

Specialistja Monika Muzikanti thotë se në raftet e bibliotekës po shtohen vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, letërsia artistike, libra historikë, studimorë, si edhe literatura e re për fëmijë dhe të rinj.

Dhurimi më i fundit që na është bërë është nga profesori Josef Buxhovi, që na ka dhuruar një fond të artë të librave të tij, edhe në gjuhë të huaj, por edhe në gjuhën shqipe. Libri më i fundit i Ardi Muçollarit ndodhet edhe në bibliotekën tonë, për të vijuar më pas me librin e Altin Ustallit, një romancier shumë premtues nga qyteti i Maliqit, por edhe autorë të tjerë. Për shembull, Riza Mborja na dhuroi librat e tij me poezi, por edhe romanin e tij më të fundit, ‘Midis dy burrave’,” tregon specialistja.

Ky pasurim i vazhdueshëm e bën bibliotekën jo vetëm një vend ku ruhet trashëgimia e shkruar, por edhe një hapësirë ku qytetarët gjejnë burime të reja dijesh dhe frymëzimi.

Të lexosh do të thotë të hapësh shumë dritare dhe duke ardhur në bibliotekën tonë është një dritare për më tepër të tjera,” shprehet znj. Muzikanti.

Me këtë nismë, Biblioteka e Bilishtit po forcon rolin e saj si një qendër kulturore e komunitetit, duke afruar lexuesit me librin dhe duke i dhënë rëndësi të veçantë kulturës së leximit në qytet.- RTSH-

Lini një Përgjigje