Zhani Ciko: Festivali i Këngës, ngjarja që ndryshoi fytyrën e muzikës shqiptare

24 Shtator 2025, 17:22Kulturë TEMA

Në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri”, maestro Zhani Ciko foli për rëndësinë e historike të Festivalit të Këngës në RTSH, duke rikujtuar atmosferën e veçantë dhe ndikimin që ky festival ka pasur në jetën artistike shqiptare.

Maestro Ciko kujtoi “bumin” artistik në vitet e para të organizimit të festivalit, që ndryshoi gradualisht imazhin e këngës shqiptare, duke e bërë atë një platformë të rëndësishme publike dhe televizive.

Populli është kronika e gjallë e jetës dhe ata që akoma jetojnë, janë ata që nuk i harrojnë mbresat e para. E ndoqa kolegun tim Jetmir Barbullushin kur tregoi si e ndiqnin nga radioja Festivalin e Këngës, që ishte një “bum” artistik në atmosferën e atyre viteve. Populli e priti shumë mirë. Dyert e sallës që sot është Universiteti i Arteve ruheshin me policë. Festivali ndërroi imazhin e këngës shqiptare pak nga pak nga edicioni i parë. Nga një faktor që merrte pjesë në jetën e njeriut, u bë një paradë e cila doli në skenë dhe më pas në ekran”, u shpreh maestro Ciko.

Një tjetër moment i rëndësishëm i festivalit, sipas Cikos, ishte prezantimi i autorit të këngës në mikrofon, një risi që nisi me emrin e Avni Mulës. Ai theksoi gjithashtu rolin e dy dirigjentëve të Orkestrës, Kristo Kotes dhe Agim Krajkës, të cilët sollën një kombinim të muzikës klasike dhe ritmike.

Në atë edicion nuk u dha çmimi i parë, por u dhanë tri çmime të dyta dhe dy çmime të treta. Këngët këndoheshin në dy variante. Për shembull, këngën “Fëmija e parë” e këndoi Vaçe Zela, por e këndoi dhe Qemal Kërtusha për të treguar se çfarë sjell një interpretim. Diçka tjetër e rëndësishme ishte se formacioni orkestral u dirigjua nga Kristo Kote, një muzikant shumë i mirë në drejtimin e orkestrës sonë. Ishte dhe një formacion ritmik i drejtuar nga Agim Krajka.

Një fenomen i ri ishte që për herë të parë u shfaq në mikrofonin shqiptar vendi i këngë-autorit, kantautorit. I pari në historinë e muzikës shqiptare ishte Avni Mula, deri atëherë solisti i shkëlqyer i operës, një njeri që e kishte filluar karrierën në ato vite pas kthimit nga studimet, dhe zbuloi një talent që më vonë do të mbërrinte të shkruante vepra të mëdha muzikore. Fenomeni i dytë ishte dalja në jetë e një trioje shumë të rëndësishme. Ndonëse festivali zhvillohe në një atmosferë ku jeta kishte aspekte të rëndësishme politike, në këngë të kësaj natyre politike nuk ka asnjë ndër këto këngët e para. Domethënë kishte një prirje për të bërë një festival origjinal tonin,” tha ai.

- RTSH-

Lini një Përgjigje