Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua sot një seancë dëgjimore me artistë-pedagogë të Universitetit të Arteve në lidhje me pengesat që hasen për avancimin në karrierën artistike dhe akademike.
“Është momenti që së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës, sindikatën dhe artistët është mirë të gjejmë një zgjidhje sepse nuk mund të rrijë kuvendi sikur nuk ka dijeni se çfarë po ndodh me komunitetin më të rëndësishëm artistik, siç janë pedagogët e Universitetit të Arteve”, tha Ina Zhupa, kryetare e komisionit.
Të pranishëm në këtë seancë dëgjimore ishin Josif Gjipali, Genc Përmeti, Manjola Nallbani, Ilir Kaso etj. Artistët thanë se titujt e tyre akademikë kanë mbetur vetëm në letër.
“Ne jemi një institucion që gëzojmë një status të veçantë pikërisht për disa specifika që janë vërtet shumë të veçanta, ne nuk kemi orë mësimi me 50 apo 100 studentë, orët i kemi individuale, ndaj dhe trajtimi financiar i Universitetit të Arteve duhet të kishte trajtim tjetër financiar, jo si universitetet e tjera. Kjo ka krijuar një ngërç dhe ka bërë që universiteti të mos ketë mundësi financiare për të përballuar këto tituj”, tha pedagogu dhe tenori Josif Gjipali.
Ndërsa këngëtarja dhe pedagogia Manjolla Nallbani, me 22 vjet karrierë në mësimdhënie, tha se studentët e Universitetit të Arteve që ditën e parë të punës paguhen më shumë se pedagogët të cilët u dhanë profesionin.
Zhupa tha se, nuk mund t’u thuhet pedagogëve-artistë se nuk kanë vepra shkencore, ndërkohë që ata kanë vepra artistike që janë pasuri kombëtare dhe kontribuojnë në kulturën e vendit.
“Për aq kohë sa me VKM është njohur statusi i veçantë i Universitetit të Arteve, ky status duhet të njihet realisht dhe jo vetëm në letër. Aktiviteti i tyre është publik dhe i mirënjohur”, tha kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. A.K./TemA
Lini një Përgjigje