Kryeministri Edi Rama vlerësoi historinë e suksesit të sipërmarrësit të ri Luis Hoxha, themelues i restorantit “Mado Sushi”, gjatë podkastit “FLASIM”, ku u ndal te zhvillimi i biznesit të gastronomisë në Shqipëri dhe rritja e kulturës kulinare.
Rama tha se “Mado Sushi” është kthyer në një nga restorantet më të frekuentuara në Tiranë, duke e cilësuar sipërmarrjen si një shembull të suksesit të arritur me punë dhe këmbëngulje.
“Është Luis Hoxha, i cili ndryshe do quhej Luhu Matotomo. Luhu Matotomo është themeluesi dhe tanimë prej shumë kohësh i afirmuar në Tiranën e darkës me një restorant që është nga më të frekuentuarit. Është një restorant sushi. Unë bëj edhe publicitet këtu, kuptohet publicitet për njerëz të suksesshëm, për njerëz që me kokëfortësi çajnë rrugën e jetës edhe pa kërkuar ndihmë nga partia, nga shteti, nga qeveria, nga rrugët e justifikimeve dhe të ankesave, ja dalin”, u shpreh Rama.
Gjatë bisedës, Luis Hoxha tregoi se sfida më e madhe në fillim ishte krijimi i një tregu për një kuzhinë ende pak të njohur në Shqipëri.
“Jo të gjithë e njihnin në fillime, por besoj se kulineria ka ecur shumë në Shqipëri dhe sot e njohin shumë”, tha ai.
Hoxha u shpreh se restoranti ka krijuar tashmë një klientelë të qëndrueshme, ndërsa ndikimi i turizmit mbetet i kufizuar krahasuar me klientët vendas.
“Është më shumë Tirana, Durrësi dhe qytetet afër. Janë klientë të përhershëm që rikthehen”, deklaroi ai.
Kryeministri vlerësoi këmbënguljen e sipërmarrësit për të investuar në një zonë që në fillim ishte ende kantier ndërtimi.
“Po kjo botë është e guximtarëve”, tha Rama, duke kujtuar se restoranti u hap në një periudhë të vështirë dhe më pas u përball edhe me pandeminë.
Rama e cilësoi “Mado Sushi” si një histori suksesi në tregun shqiptar të gastronomisë.
“Për mua është njësh. Unë di që Mado Sushi, kur porosit të vjen kutia dhe e hap, është muzikë”, u shpreh kryeministri. A.K./TemA
Lini një Përgjigje